- Deklaron deputeti demokrat në përfundim të takimit Shqipëri-BE -
Aldo Bumci, deputet i Partise Demokratike
TIRANË, 17 Mars/ATSH/.- Deputeti i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi, në një deklaratë për mediat në përfundim të takimit të tetë ndërparlamentar Shqipëri-BE, u shpreh se Shqipëria ndodhet mbrapa në rrugën e integrimit europian dhe për këtë ngarkoi me përgjegjësi qeverisjen aktuale.
"Kjo qeveri është përgjegjëse për gjendjen ku është katandisur Shqipëria. Një vit nga marrja e statusit nuk është përcaktuar ende data për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Shqipëria nuk ka ecur përpara për shkak të kësaj qeverie", deklaroi Bumçi.
Ai bëri të ditur se gjatë takimit me eurodeputetët, opozita ngriti një sërë shqetësimesh, duke nisur me mosrespektimin e të drejtave të njeriut, si dhe mungesën e vullnetit politik për të luftuar krimin e organizuar dhe vazhdimin e shkarkimeve në administratë.
Deputeti Bumçi prezantoi edhe pikat për të cilat mazhoranca nuk kishte rënë dakord për miratimin e një deklarate në përfundim të takimit ndërparlamentar. Maxhoranca, sipas tij, nuk pranoi që në procesin e dekriminalizimit të përfshihet edhe Ilir Meta, si person i akuzuar nga një deputet i mazhorancës për organizimin e vrasjes së dy deputetëve.
Po ashtu, palët nuk ranë dakord dhe për përfshirjen në deklaratë të çështjes së shkarkimeve në administratë, si dhe realizimin e reformës në drejtësi. Për këtë të fundit, deputeti demokrat akuzoi qeverinë se po kërkon ta realizojë në mënyrë të njëanshme dhe se ka përjashtuar nga procesi faktorin ndërkombëtar./a.s/ /a.ke/