Bunk'Art 2, muzeu kushtuar
viktimave të terrorit komunist 

Bunk'Art 2, muzeu kushtuar<br />viktimave të terrorit komunist 
 Ish-bunkeri bërthamor nëntokë që lidh disa institucione përgjatë Bulevardit zbulohet para syve të gjithë kureshtarëve në formën e një Muzeu. Ky është 'Bunk'Art 2'.

Të gjithë ata që kanë ecur përgjatë Bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit” nuk e kanë ditur se poshtë këmbëve të tyre tunele misterioze me shumë mbi 25 dhoma dhe një sallë gjigante mbledhjesh do të shërbente në rast sulmi bërthamor për strehimin e krerëve të ministrisë së Brendshme.

Ky objekt që nuk u vu asnjëherë në përdorim për qëllimin që ishte projektuar zbulohet sot i shndërruar në një Muze unik, ku për herë të parë pas 25 vitesh rrëfehen të vërteta të frikshme mbi veprimtarinë kriminale mbi Sigurimin e Shtetit.

Dhuna e regjimit komunist, pasojat dhe viktimat e terrorit komunist prezantohen përmes fotografive-dokument, dëshmive të rralla, videove dhe objekteve duke ndërtuar kështu një histori të parrëfyer më parë.
 
Inaugurohet sot “Bunkart 2” një muze kushtuar viktimave që vuajtën terrorin komunist. I konceptuar në tre linja që ndërthuren, ky muze i ri në qendër të Tiranës sjell për turistët vendas e të huaj: një historik të forcave të rendit nga viti 1913, pak muaj pas shpalljes së Pavarësisë e deri në vitin 1991, kur u shënua edhe rënia e regjimit diktatorial; një historik të një prej strukturave më famëkeqe të Ministrisë së Brendshme gjatë viteve të regjimit, ajo që fillimisht kishte emrin Drejtoria e Mbrojtjes së Popullit e më vonë u quajt Sigurimi i Shtetit; dhe një histori e dhunës, torturave, internimeve, burgosjeve dhe  martirëve që dhanë jetën si pasojë e terrorit të prodhuar nga ky regjim.
“Bunkart 2” është ngritur në ambientet e ish-strehimit antiatomik të Ministrisë së Brendshme, ndërtuar në vitin 1982-1986, njohur asokohe me emrin e koduar “Objekti Shtylla”.
 
Hyrja e muzeut është një bunker i ndërtuar enkas për t’u futur në tunelet e nëndheshme ku është ngritur muzeu. Bunkeri bëri xhiron e botës pas protestave të një viti më parë, ku pas goditjeve me mjete të forta dhe më tej zjarrvënies, ai u dëmtua pjesërisht. Sot me hapjen e muzeut bunkeri është po i njëjti bashkë me dëmtimet e tij, por brenda, ai ka imazhin e një kupole me dhjetëra drita të mistershme që ndriçojnë portretet e mbi 100 martirëve që u ekzekutuan me gjyq e pa gjyq gjatë viteve të regjimit komunist.
 
Hapësira muzeale është shtrirë në mbi 20 dhoma, ndarë në tre linja. Në korridorin e  parë, sapo hyn në bunker, pasojnë njëra tjetër 7 dhoma, ku janë ekspozuar foto, dokumente, video, armatime e dëshmi, duke ndërtuar kështu ekspozenë e historikut të forcave të rendit pas shpalljes së pavarësisë e deri në rënien e regjimit komunist. Në tre dhomat e para janë ekspozuar foto të rralla nga krijimi, fuqizimi dhe funksionimi i xhandarmërisë dhe policisë në vitet para Luftës së Parë Botërore dhe pas saj deri në shpalljen e mbretërisë si dhe gjatë viteve të mbretërisë deri në pushtimin e vendit më 1939. Dhoma që pason sjell foto,  dëshmi, video dhe dokumente nga funksionimi i forcave të rendit gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, ku fokusi është vënë tek milicia si një dëshmi e dominimit të ideologjisë fashiste në Ministrinë e Brendshme të kësaj periudhe.

Tre dhomat që pasojnë sjellin: historinë e Policisë Popullore gjatë viteve të regjimit komunist, nga 1944-1991;  historinë e forcave të kufirit gjatë kësaj periudhe, ku u shënuan afro 100 viktima të vrara në tentativë për tu arratisur nga ferri ku po jetonin;
Dhe një historik i dy strukturave që regjimi ju dha rëndësi të veçantë forcave të zjarrfikësve dhe të Policisë Rrugore.

Sigurimi i Shtetit 

Në korridorin e dytë, që është edhe pjesa më e rëndësishme e muzeut, qëndrojnë ballë përballë dhuna me të gjitha format që karakterizonin Sigurimin e Shtetit dhe përballë saj viktimat që vuajtën pasojat e kësaj dhune dhe përndjekje: ata që shkuan jetën në internime e burgje, dhe ata që vdiqën të pushkatuar, të varur në litar, të vdekur nën tortura apo burgjeve.

Dhomat në krah të djathtë të korridorit dëshmojnë krijimin, funksionimin dhe metodat përmes të cilave funksionoi Sigurimi i Shtetit. Dy dhomat e para sjellin historinë kësaj strukture famëkeqe të Ministrisë së Brendshme, që ishte edhe shtylla që mbajti në këmbë regjimin komunist për 45 vjet. Në dhomën e parë jepen dëshmi, foto, dokumente  e objekte që  dëshmojnë ngritjen e kësaj strukture që fillimisht mbajti emrin “Drejtoria e Mbrojtjes së popullit” e krijuar në dhjetor 1944 e më vonë rreth vitit 1946 ndërroi emër dhe u quajt Drejtoria e Sigurimit të Shtetit. Dëshmitë e kësaj dhome muzeale hedhin dritë mbi atë që njihet si epoka e Koçi Xoxës në Sigurimin e Shtetit, pra nga krijimi dhjetor 1944, deri në dënimin e tij me pushkatim  në vitin 1949. Në këtë dhomë dëshmohen format ekstreme të  dhunës dhe spastrimet që u ndërmorën që në vitet e para të historisë së Sigurimit të Shtetit. 

Dhoma pasuese vijon historikun e Sigurimit të shtetit, duke sjelle një tablo më të gjerë të  veprimtarisë së tij. Në këtë dhomë për herë të parë jepen dokumente  që zbërthejnë çdo dilemë mbi dosjet e Sigurimit: Si ishin dosjet e bashkëpunëtorëve, si formuloheshin ato, çfarë raportonte një bashkëpunëtor, si betohej, etj…
 
Në dy dhomat që pasojnë jepen të gjithë metodat e ndjekjes, survejimit dhe të përgjimit që aplikonte  Sigurimi i Shtetit. Si ndiqeshin e survejoshin shqiptarët në rrugë, në teatër, në konema, në tren, në autobus në restorante, si përgjoheshin shtëpitë e të dyshuarve duke i kthyer fqinjët në bashkëpunëtor të Sigurimit, si përgjoheshin qelitë e të burgosurve apo ambiente te ambasadave të huaja. Me shembuj konkretë, objekte që janë përdorur gjatë viteve të regjimit nga Sigurimi i Shtetit, duke shfrytëzuar si burim arkivor mbi 3 mijë faqe dokumente, kjo veprimtari e fshehtë e Sigurimit të Shtetit për 45 vjet, bëhet lehtësisht e kuptueshme te të gjithë ata që do të vizitojnë këtë muze sot.
Propaganda e manipulimi

Në vijim një hapësirë e veçantë i është kushtuar fotografisë, e  përdorur nga Sigurimi i Shtetit si provë (shpesh e stisur) por edhe si mjet propagandë dhe manipulimi. Në anën tjetër të korridorit janë gjashtë dhoma, ku dëshmohen më së shumti pasojat e kësaj veprimtarie. Një dhomë i është kushtuar letrave anonime, si një prej formave më të shpeshta që shqiptarët nën terrorin komunist kishin gjetur për të shprehur revoltën dhe pakënaqësitë. Në këtë dhomë jepen dhjetëra dëshmi letrash anonime që dalin nga hetimet dhe gjurmimet e sigurimit të shtetit për të zbuluar autorët e tyre. Një rast i veçantë, evidentuar në këtë dhomë është ai një fëmije që kishte gjetur një fletushkë me sharje kundër Enver Hoxhës, rast për të cilin ishte ngritur në këmbë i gjithë Sigurimi i Shtetit.
 
Në vijim një hapësirë i është kushtuar të huajve që guxonin të shkelnin në Shqipërisë e periudhës së diktaturës, grave të huaja që ishin martuar më shqiptarë dhe kishin zgjedhur të jetonin  këtu, diplomatëve të huaj, dhe delegacioneve të ndryshme që vinin për vizita. Të gjithë survejoheshin dhe përgjoheshin, dikush në shtëpinë e tij, dikush në dhomat e hoteleve, që më parë ishin pajisur me përgjues, etj.


[gallery]19732[/gallery] 
Martirizimi

Dy dhomat vijuese i janë kushtuar vuajtjeve në kampet e internimit nga kampet me tela me gjemba në vitet e para të regjimit, ku vdiqën nga uria dhe sëmundjet qindra fëmijë të pafajshëm, e deri në kampet e shumta të internimit në gjithë Shqipërinë ku të internuarit shfrytëzoheshin ën punët më të rënda.
Dhoma pasuese i është kushtuar burgjeve në Shqipërinë komuniste, ku përmes fotove, dokumenteve dhe videodëshmive, jepet një panoramë e gjerë e vuajtjeve të mijëra të burgosurve komunist, të cilëve iu privua liria për akuza absurde për sabotim, apo agjitacion e propagandë.
Dhoma e fundit e këtij korridori, që është më rrëqethësja i është kushtuar martirëve që dhanë jetën si kundërshtarë të këtij regjimi të dhunshëm. Emrat e mbi 5500 të të pushkatuarve e të vdekurve me akuza politike gjatë viteve të regjimit, në vendosur ën hapësirat e kësaj dhome, ku tingujt e një kënge të dhimbshme  ndërthurur me efektet e ndriçimit shërbejnë si një homazh për këta viktima.
 
Në vijim korridori i tretë i Bunkart dy rezervon hapësira për veprat e artit ku temat e këtij muzeu reflektojnë në mesazhet e e seicilës video apo instalacion, realizuar nga artistët enkas për këtë muze.
 
Korridori i katërt, është i shkurtër por trajton një temë që ka mbetur ende si një prej plagëve të mëdha të regjimit: hetuesitë e frikshme, ku torturat fizike dhe dhuna psikologjike ishte mjet i pandarë. Dy dhoma përshtatur si dhoma hetuesie dhe një kthinë e përshtatur si qeli përcjellin tek vizitorët  atë çka ndodhte në  këto ambiente të frikshme pas arrestimit të një të dyshuari për “krime politike”. 
 
Por “Bunkart 2” përveç këtyre dhomave muzeale ka edhe shumë hapësira përmes korridoreve ku janë ekspozuar dëshmi delikate si ajo e asgjësimit të dosjeve, apo edhe shumë mesazhe të forta mbi kujtesën dhe të shkuarën.
                 
Letrat anonime, revolta e fshehur ndaj regjimit
 
Letrat anonime ishin një formë e qartë dhe e hapur e shprehjes së revoltës ndaj regjimit diktatorial, për kushtet e vështira të jetesës, pakënaqësitë, mungesën e lirisë, etj. Përgjatë gjithë viteve të regjimit komunist, ky fenomen ka qenë i pranishëm dhe në fokusin kryesor të Sigurimit të Shtetit për zbulimin e “armiqve” të Partisë.
 
Në këto letra, të pakënaqurit guxonin të shanin edhe vetë Enver Hoxhën, madje ndonjëherë duke i shkruajtur atij direkt. Disa prej këtyre letrave ishin të sofistikuara me shkrim të ngatërruar me shkronja kapitale, pa dhënë asnjë adresë apo indikacion që të zbulohej. Por në raste të tjera edhe pse anonime, këto letra niseshin nga posta e qytetit dhe rrethi për zbulimin e autorit ngushtohej e hetimi bëhej më i lehtë për agjentët e Sigurimit. 
 
Po ashtu ishin edhe disa letra, të quajtura ‘anonime’, edhe pse kishin në fund emër, mbiemër dhe vendin nga shkruhej. Autorët e tyre cilësoheshin të sëmurë mendorë apo me luhatje emocionale. Sidoqoftë edhe këto letra shqyrtoheshin me kujdes.
 
Në strukturat e Sigurimit të Shtetit, zbulimi i autorëve të këtyre letrave ishte një prej detyrave shumë të rëndësishme. Në disa raste hetimet kishin rezultat pozitiv dhe autori i zbuluar mund të tregonte edhe miq të tij, me të cilët ndante pakënaqësitë.
Në raste të tjera hetimet nuk jepnin rezultat dhe autori mbetej anonim përgjithmonë.
 
Studimi i këtyre letrave që ruhen në fondet arkivore në AQSH dhe Arkivin e Ministrisë së Brendshme dëshmon gamën e gjerë të pakënaqësive të shqiptarëve nën regjimin komunist, të cilët përmes kësaj forme kishin gjetur mundësinë të shpreheshin pa doreza, duke i shpëtuar akuzës për “agjitacion e propagandë”.
 
Por ky fenomen mori edhe një përmasë tjetër sidomos pas vitit 1967, me përhapjen e fletërrufeve. Letrat anonime me sulme personale, shpesh në formë hakmarrje, denonconin tek udhëheqësit e partisë, persona të caktuar dhe ndryshe nga fletërrufetë, ku dihej kush ishte autori, këtu denoncimi ishte i fshehtë. Prej kësaj doli edhe shprehja e famshme e asaj periudhe “Një anonime poshtë derës”.
 
Por në të gjithë format, letra anonime ishte një “mjet i dashur” i regjimit, që shpesh përdorej për të kontrolluar humorin e popullsisë dhe gjetur gjurmë të kundërshtarëve kur ishte e mundur.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

 

  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?



×

Lajmi i fundit

Mbytja e nënës bashkë me 3 fëmijët në lumin Buna, kreu i KMSH: Ngjarja tregon se familja shqiptare është në krizë

Mbytja e nënës bashkë me 3 fëmijët në lumin Buna, kreu i KMSH: Ngjarja tregon se familja shqiptare është në krizë