Bunkeri anti-bërthamor i Enver
Hoxhës, Rama: Do hapim dosjet

Bunkeri anti-bërthamor i Enver<br />Hoxhës, Rama: Do hapim dosjet
TIRANE -  Për herë të parë, 36 vjet nga inaugurimi në Qershor të 1978-ës, u hap në Tiranë bunkeri anti-bërthamor i ndërtuar nga qeveria komuniste, një pallat i vërtetë 5 kate nëntokë, por këtë radhë i shndërruar në një qendër historiko-artistike të quajtur “BUNK’ART”.

Hapësirat e parashikuara për mbledhjet e Byrosë Politike nëse Shqipëria sulmohej, dhomat ku mendohej të flinin ish-diktatori i komunizmit Enver Hoxha dhe ish-kryeministri Mehmet Shehu në rast të një sulmi bërthamor, janë transformuar në art. E ka qenë vetë kryeministri Edi Rama, i cili i i shoqëruar nga ambasadori italian Massimo Gaiani, kryediplomati amerikan Aleksandër Arvizu dhe ministra të kabinetit qeveritar të cilët hapën 5 dyert e blinduara të këtij bunkeri në periferi të Tiranës, që tashmë është shëndërruar në një ekspozitë-muze. Ja çfarë është Bunk'art e ku mund ta gjeni
 
Nga salla ku ishte parashikuar të mbaheshin mbledhjet e Kuvendit të Shqipërinë në rast sulmi bërthamor, Rama tha se pas çeljes së këtij bunkeri për mbarë publikun, do të hapet çdo varr i së shkuarës siç u shpreh ai, duke veçuar hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit. Fjala e plotë e kryeministrit Edi Rama
 
“Një varr i hapur i një kohe të shkuar për të na kujtuar se ne nuk e kemi arritur dot të varrosim në paqe tundimin që përmes të shkuarës të marrim peng të ardhmen. Kjo është arsyeja pse ne do t’i hapim të gjitha varret e të shkuarës, në formë tunelesh, edhe ato në formë dosjsesh. Për të kuptuar se nga vjinë prindërit, gjyshërit, e shkuara e tyre” , tha Rama.
 
Sipas kreut të qeverisë, vetëm duke e parë në sy të shkuarën, mund të shihet lirisht drejt së ardhmes, duke njoftuar njëherës itinerarin e hapjes së godinave të tjera. E radhës, tha Rama, do të jetë “Shtëpia e Gjetheve”. Në fjalën e tij, Rama tha se mazhoranca do të qëndrojë larg rishikimit të historisë, pasi edhe në rastet kur është tentuar tha ai, ka dështuar për shkak të ndërhyrjes politike. Rama tha se ka marrë një ndjesi të jashtëzakonshme nga çfarë ekspozohet në këtë bunker të shëndërruar totolisht përmes artit, ku nuk i shpëtoi tundimit të fotografonte me celularin e tij atë çka fshihte ky bunker i regjimit komunist.
 
Bunkeri me 5 dyer të blinduara, i emërtuar në vitet e regjimit komunist si “Objekti 0774”, ka mbi 106 dhoma, mes tyre ajo e ish-diktatorit të komunizmit Enver Hoxha dhe e kryeministrit të asaj kohe Mehmet Shehu. Në shumë nga këto ambiente janë ekspozuar armatime, uniforma, dokumente, harta të ndryshme dhe detaje të tjera që shërbenin në atë kohë.
 
Bunkeri, i cili ndodhet në Shish-Tufinë, pranë Batalionit Mbështetës të Shtabit të Përgjithshëm, hapet me rastin e 70 -vjetorit të çlirimit.  

“Ky 70- vjetor i çlirimit të Shqipërisë nuk është momenti për të nxituar se kush del më shumë partizan apo kolaboracionist nga ne të gjallët, por koha e një reflektimi dhe bashkimi për një ta ardhme më të mirë për të gjithë ne”, - theksoi kryeministri Rama.
 
Linja historike, muzeale dhe artistike, bëhen bashkë për të përcjellë tek vizitorët mesazhe të qarta për dy periudhat më të diskutuara të historisë tonë, periudhën e Luftës së Dytë Botërore dhe atë të regjimit komunist në Shqipëri. Muzeu do të qëndrojë i hapur deri në fund të dhjetorit dhe çdokush mund të shkojë ta vizitojë për të shuar kureshtjen.


Rama: Përpjeket për rishkrim të historisë, të dështuara, qytetarët ta shohin të shkuarën me sytë e tyre
E shkuara e Shqipërisë është një pjesë e pandashme historike e cila sipas kryeministrit Edi Rama duhet njohur nga qytetarët, e veçanërisht të rinjtë, në të gjitha dimensionet e saj. Me çeljen e bunkerit të nëndheshëm antibërdhamor të Enver Hoxhës, kreu i qeverisë tha se është çelur gjithashtu dera e një raporti të ri me historinë, ku ndyshe nga qeverisjet e mësparshme, publikut nuk i fshihet më e shkuara.

Rama tha se përballë përpjekjeve të dështuara për të rishkruar historinë, nga historinë që sipas tij, nuk i kanë shpëtuar dot ndikimin politik, qytetarët do të kenë mundësinë ta shohin me sytë e tyre këtë pjesë të historisë së Shqipërisë, duke i ftuar njëkohësisht që të vizitojnë “BUNK’ART”.

bunk art
FOTO TË TJERA

 “Sot ne jemi dëshmitarë se kemi çelur derën e një thesari të kujtesës sonë kolektive, e një thesari ku pa as më të voglin dyshim mund të zbulohen qindra mijëra copëza të një mozaiku të madh ngjarjesh, personazhesh, kontradiktash, ku gjakderdhja ka bërë rëndom lëndën lidhëse, dhe ku historia s’na e kthjellon dot ende sot kështu siç jemi ne të ngërthyer nga memorja kolektive e ngarkuar majtas e djathtas e siç janë dhe politikanët të ngarkuar majtas e djathtas. Çdo përpjekje politike që niset për t’i dhënë fund diskutimit për historinë është e destinuar të dështojë, dhe të prodhojë rrethin vicioz të një historie që nuk rishkruhet dot në kushtet që jemi. Shkrimi i historisë duhet t’i mbetet historianëve, dhe përpjekjet për ta rishkruar me porosi e vullnet të hekurt politik kanë qenë tragjike në të shkuarën e largët dhe qesharake në të shkuarën e afërt. Ne nuk i takojmë kësaj shkolle të të jetuarit dhe të menduarit, por një shkolle të re për Shqipërinë. Ne i përkasim shkollës së vendeve të lira e demokratike që nuk ja fsheh publikut misteret e së shkuarës. Mund të thotë kush se si është e mundur që kjo ngrehinë të ruhej si mister dhe t’i fshihej publikut si sekret shtetëror, edhe nga ata që i gënjeu mendja dhe e gënjyen popullin me iluzuionin se e përmbysën bashkë me regjimin e vjetër edhe mendësinë e atij regjimi. Jemi këtu për të çelur një fazë të re raportesh me të shkuarën, jo për të rishkruar historinë, por për ta ekzpozuar të shkuarën në të gjitha format që e disponojmë”, deklaroi kreu i qeverisë.

bunk art
Rama: Hyrja në këtë pallat nëntokësor, ndjesi e jashtëzakonshme
Nuk kam fjalë për të përshkruar ndjesitë e jashtëzakonshme që më krijoi hyrja në këtë pallat nëntokësor ku regjimi komunist synonte t’i mbijetonte duke i rezistuar një sulmi atomik. Para disa kohësh në Berlin patëm mundësinë të kalojmë edhe në Muzeun e Check Point Charlit, i famshmi i Gjermanisë, godinë e rëndomtë aty ku dikur ndahej Berlini Perëndimor me Lindorin, disa metra larg murit që mbajti ndarë dy botët e Luftës së Ftohtë”, u shpreh Rama në cëlje të fjalës së tij mbajtur nga salla ku do të mblidhej Kuvendi i Shqipërisë në rast sulmi bërthamor. 


bunk art
FOTO TË TJERA

Rama: I kemi mbyllur hesapet me Enverin në vitin ’90. Clirojmë kujtesën nga makthet e së shkuarës
Në fokus të fjalës së tij kryeminsitri vuri dhe akuzat e demokratëve për rehabilitim të figurës së ish-diktatorit Enver Hoxha. Ai tha se ndryshe nga opozita, qeveria nuk ka frikë të shohë të shfaqur figurën e tij nga veteranët, pasi siç theksoi Rama, qeveria ka ndërmarrë nismën për të çliruar kujtesën kolektive nga makthet e së shkuarës.

“Tremben nga një shashkë, doli Enver Hoxha, thonë, po e rehabilitojnë. Ne i kemi mbyllur hesapet me Enverin në vitet ‘90 e nuk kemi problema t’ia shikojmë nga të katër anët këndet e vështrimit dhe bëmat, dhe ndërkohë jemi ata që do të çojmë përpara projektin e çlirimit të kujtesës kolektive nga këto makthe”, tha Rama.

Rama: BUNK’ART mundësi e jashtëzakonshme për ndërveprim aktiv të publikut
Rama tha se vënia e historianëve, analistëve, apo edhe e qytetarëve të thjeshtë përballë kësaj pjese të historisë së vendit, do t’i shërbejë atyre për të vlerësuar lirisht historinë duke mos u penguar nga ideologjitë e së shkuarës.

“Çelja e godinave, vendosja e një paqeje në raportet mes shqiptarëve të sotëm dhe fotografive të së shkuarës, lënia e lirë e njerëzve për të parë nga afër se në çfarë lloj ferri e futi një popull të tërë, një ideologji që premtonte parajsa, dhe për të kuptuar se sa shumë të rrezikuar jemi nga mendimi unik, nga nacionalizmat dhe islamizmat ekstreme, racizmat. Është domosdoshmëri sot, sepse si asnjë popull jemi të penguar që të kemi një raport normal me të shkuarën dhe na pengon prej kaq shumë vitesh zgjatimi i të shkuarës. Nuk kemi luksin t’ia privojmë vetes këtë mundësi të jashtëzakonshme që na japin për çlirimin në këtë përvjetor çlirimi, në këtë hapësire sekrete që duhet t’i kthehen publikut, dhe t’i lihen ndërveprimit aktiv të publikut, të historianëve, analistëve, njerëzve që mesiguri në këto hapësira do të ndjejnë potecialin, që ky sekret shtetëror ka vazhduar të mbajë në formën e një përçarje që i ka rërnjët nën nëntokë, dhe vjen nga këto zgafella dhe këto ulluqe nëntokësore, përçarja e tmerrshme që u mëshirua në formën e luftës së klasave dhe ishte përcarja për të sunduar”, deklaroi Rama.

rama
FOTO TË TJERA

Rama: Hapim çdo vrimë të fshehur të regjimit, stacioni i radhës “Shtëpia e Gjetheve”
Rama paralajmëroi se të tjera pjesë sekrete, të panjohura më parë, do të hapen për publikun e gjerë, dhe stacioni i radhës do të jetë “Shtëpia e Gjetheve”.

“Askush nga të rinjtë nuk e njeh “Shtëpinë e Gjetheve”, se u ra të lindin në një kohë kur filloi armiqësia me gjethet. U prenë edhe gjethet e asaj godinës që është shumë pak metra nga Banka e Shqipërisë ku përgjohej gjithë Shqipëria dhe ku ruheshin zërat e gjithë të dyshuarve  për regjimin. Çelja e shtëpisë së gjetheve, banalitetin e një regjimi që një nga parullat kishte: të luftojmë rehatinë personale, domethënë “t’i hyjmë çdo njeriu në kokë dhe i keni parë këta të shqetësuarit që nuk bien rehat? Këta e kanë në kokë akoma komunizmin, prandaj nuk bien rehat”, tha kreu i qeverisë.

Rama falënderon gazetarin Carlo Bollino për mbështetjen e dhënë për këtë eveniment
Kryeministri Rama kritikoi paraardhësin e tij, se ka shfrytëzuar të shkuarën për të mbajtur peng të ardhmen, ndërsa u shpreh se ka ardhur koha për reflektim dhe bashkim për të ardhmen. Rama bëri edhe një falënderim publik për gazetarin Carlo Bollino, që dha një mbështetje të madhe në këtë eveniment.
 
“Ju falënderoj shumë për mundësinë dhe dua të falënderoj një personazh që qëndroi në hije sot, se ka frikë mos i thonë kolaboracionist apo partizan, Carlo Bolinon, i cili në fakt nuk është as partizan, as gjerman, është italian. Kështu që, Carlo rri i qetë. Ai ka një meritë shumë të madhe që, me aftësitë e tij, me dëshirën e tij, në mënyrë krejt vullnetare, na ndihmoi që në krye të herës për të kuptuar potencialet e këtij objekti. Unë ndjehem sot shumë keq përballë Carlos, por edhe përballë ministreve edhe përballë të gjithë atyre që punuan për këtë, sepse pavarësisht se diçka mendoja, nuk e imagjinoja që kjo hapësirë ishte kjo. Nuk e imagjinoja impaktin që kjo hapësirë ka për njeriun e kohës së sotme, për këdo nga ne. Me siguri, për impaktin që kjo hapësirë ka për këdo nga ne që e jetuam edhe atë kohë. Ky është një varr i hapur i një kohe të shkuar, për të na kujtuar se ende nuk kemi arritur dot të varrosim në paqe tundimin që përmes së shkuarës të marrin peng të ardhmen. Kjo është arsyeja pse ne do t’i hapim të gjitha këto ‘varre’ të kujtesës. Nga këto që janë në formë godinash, tek ato që janë në formë tunelesh dhe tek ato që janë në formë dosjesh, për t’i dhënë mundësi vajzave dhe djemve të gjeneratës tjetër që të kuptojnë se nga vijnë prindërit, nga vijnë gjyshërit, nga vjen vendi i tyre. Që të nxjerrin vetë ata, jo nëpërmjet imponimeve të historisë së shkruar nga politikanët apo të politikanëve që i japin të drejtën vetes të bëjnë edhe histori, por nëpërmjet raportit të drejtpërdrejtë me dëshmitë e së shkuarës, një perceptim sa më realist, por edhe sa më nxitës për imagjinatën e tyre krijuese. Në mënyrë që të jenë njerëz të lirë dhe që të mos lejojnë askënd që t’i luftojë rehatinë personale të të menduarit. Kishin tjetër parullë për dembelizmin. Kur thoshin rehati personale nuk e kishin te dembelizmi, e kishin te moskokëçarja për luftën e klasave, për partinë, për të gjitha këto”, u shpreh kryeministri Rama.

carlo
 
Kodheli: T’i mbyllim fantazmat e së shkuarës…pse jo në këtë bunker!
Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli tha se hapja e këtij bunkeri për publikun e gjerë shërben ndër të tjera edhe për të kujtuar dhe njohur nga afër historinë.

“Për më shumë se një vit kam parë dhe kam hyrë në shumë ambiente që janë ngritur në dekada në shumë shtete europiane, dhe idea që të hapnim për publikun këtë bunker anti-atomik më entuziasmoi sepse duhet t’i kujtojmë vetes e tregojmë fëmijëve se si përgjakja e grave e burrave shqiptare dhanë jetën. 45 vjet në historinë e një kombi të lashtë janë si 45 minuta në jetën e një njeriu, e ne nuk duhet të harrojmë asnjëherë atë kohë, dhe ngrehina si kjo do të na shërbejnë për t’i kujtuar vetes se zbatimi i ligjit do ta çojë Shqipërinë para. Fantazmat e së shkuarës i kemi akoma rrotull nesh e duhet t’i mbyllim diku, pse jo në këtë bunker”, u shpreh ministrja Kodheli.

bunk art
FOTO TË TJERA

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

'Shkodra Elektronike' fitoi Fest 63, kryetari Beci mirëpret këngëtarët në ambientet e bashkisë

'Shkodra Elektronike' fitoi Fest 63, kryetari Beci mirëpret këngëtarët në ambientet e bashkisë