Gjykatësja Liljana Baku pranoi këtë të shtunë kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për të vendosur “arrest me burg” ndaj Hoxhës, Ilir Hysenit, Kastriot Imerit si dhe dy shtetasve kolumbian Cesar Avila dhe Walther Morena. Katër të pandehurit e tjerë do të dalin të dielën para gjykatës.
Avokati: Ermal Hoxha eshte pa shtepi, bente taksixhiun e kolumbianeve
Përmes avokatit Asaf Haderaj, Hoxha ka pranuar lidhjen me dy kolumbianët, por sipas mbrojtjes ai bënte vetëm taksixhiun e tyre nga Tirana në drejtim të fshatit Xibrakë në Elbasan, ku ishte ngritur laboratori i Kokainës. Kjo sipas avokatit, bëhej vetëm për arsye ekonomike, pasi Ermal Hoxha është i papunë, në shtëpi me qera, e mbi të gjitha sipas tij, nuk ka as makinë. Transportin, tha avokati, nipi i ish-diktatorit e bënte me makinë e vëllait të tij, tip Volvo.
"Po është e vërtetë, çdo njëri nga ne mund të shoqërohet me çdo person që hyn e del në Shqipëri për interesat e tij ekonomike, ai ka shoqëruar kolumbianët duke e paguar ata si taksist. Si Ermal Hoxha ka lëvizur me Ferrari nëpër Shqipëri e Tiranë kur ai s’ka makinë të tijën, është i papunë është, i pa shptëpi, është me qera. I ka transportuar me makinën e vëllait të tij dhe kjo makinë është sekuestruar. Qëndrimi i klientit tim është ky, se s’ka pranuar akuzën", u shpreh Haderaj.
Avokati: S'ka asnje prove ndaj Ermal Hoxhes, do kerkojme lirine
Në këto kushte, avokati i kërkoi Gjykatës zbutjen e masës nga “arrest me burg” në detyrim paraqitje, kërkesë e cila u rrëzua. Ai paralajmëroi se do të ndjekë shkallët tjera të drejtësisë për të kundërshtuar këtë masë.
“Ne kërkuam në Gjykatë që arrestimi i kryer në drejtim të klientit që përfaqësoj të konsiderohet i paligjshëm për faktin se në adresë të tij nuk ka asnjë provë konkrete që të ligjësojë arrestimin e tij dhe akuzën. Unë kërkova që masa e sigurisë “arrest me burg” të ndërrohet duke u vendosur detyrim paraqitje. Do të ndjekim shkallët e drejtësisë për të provuar të drejtat tona ligjore”, u shpreh avokati pas përfundimit të seancës.