Bushati: Holanda ende s’ka
një vendim për Shqipërinë

Bushati: Holanda ende s’ka<br />një vendim për Shqipërinë
TIRANE- Ministri i jashtëm, Ditmir Bushati, ka konfirmuar skepticizmin e Holandës mbi marrjen e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë. Kreu i diplomacisë shqiptare nënvizoi se nuk ka një vendim të qeverise holandeze për këtë çështje por ajo çka qeveria shqiptare pret, është një vendim politik unanim nga BE. “Mund t’ju them që Holanda është një ndër vendet themeluese të atij që sot njihet si BE. Jemi në kontakte të vazhdueshme me autoritetet hollandeze. Jemi shumë të njohur nga qëndrimi i Holandës, që s’është thjesht një qëndrim ndaj Shqipërisë, por është një qëndrim konstant në procesin e zgjerimit, përsa i përket rreptësisë së ndershme, me të cilin Holanda sheh zhvillimet në këtë proces. Më lejoni t’ju them që nga kontaktet e përditëshme, nuk ka ende një vendim të qeverisë hollandeze në lidhje me propozimin e Komisionit Evropian për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat.

Është bërë vetëm prezantimi paraprak i raportit të Komisionit, shoqëruar me relacionin shpjegues të ministrit Timmermans. Kuvendi holandez do të flasë për këtë çështje, sikundër Qeveria hollandeze do flasë për këtë cështje”, tha Bushati pas takimit dhe konferencës së përbashkët me homologun e tij bullgar, Kristian Vigenin. “Le ta themi fare qartë, ne presim një vendim politik nga ana e vendeve anëtare të BE, një vendim, që duhet të jetë unanim në mënyrë që Shqipërisë t’i jepet statusi i vendit kandidat dhe çdo qëndrim, përsa i përket Shqipërisë, do duhet të ishte qëndrim inkurajues për stadin e reformave, procesin politik që ka nisur në Shqipëri pas zgjedhjeve parlamentare të 23 Qershorit dhe gjithashtu një vendim, i cili do t’i jepte një nxitje të mëtejshme zhvillimeve pozitive në rajon”, nënvizoi Bushati në përgjigjie të interesit të mediave për lobimin pranë vendeve skeptike për statusin në BE.

Ndërkohë që ministri bullgar tha se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet dhe nuk ka asnjë arsye që të shtyhet dhënia e statusit të vendit kandidat nga vendet anëtare të Këshillit të Europës. Bushati i shprehu homologut bullgar mirënjohjen për mbështetjen e rëndësishme të Bullgarisë në procesin e integrimit të vendit në BE dhe marrjen e statusit të vendit kandidat. Ai siguroi për angazhimin dhe vullnetin e plotë të qeverisë për t’u fokusuar në përmbushjen e reformave ku nevojitet progres i mëtejshëm. Ministri Vigenin vlerësoi progresin e deritanishëm të Shqipërisë në procesin e integrimit evropian dhe theksoi se Bullgaria do të mbështesë në vijimësi Shqipërinë për marrjen e statusit të vendit kandidat në muajin Dhjetor. Duke garantuar dhe njëherë se Shqipëria do gjejë tek Bullgaria një mike të vërtetë.

Shkrimi u publikua sot (23.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Fushë Arrëz/ Reshjet e dëborës vështirësojnë qarkullimin në Iballë, borëpastrueset në terren

Fushë Arrëz/ Reshjet e dëborës vështirësojnë qarkullimin në Iballë, borëpastrueset në terren