Cani shpjegoi në detaje parashikimin e nivelit të borxhit për vitin e ardhshëm, planifikimin e qeverisë mbi ecurinë e borxhit për periudhën afatmesme dhe hapat që parashikohen të ndërmerren në vijim për realizimin e objektivit të uljes së borxhit në nivelin 60% të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2018. Sipas Canit, në kushtet e ekonomisë të këtij viti, pas një rivlerësimi të borxhit publik, që nënkupton vlerësimin e borxhit të deklaruar dhe të padeklaruar, qeveria parashikon që gjatë vitit 2014 borxhi të shkojë në nivelin 74%.
Opozita dhe mazhoranca u përfshinë në debat lidhur me këtë çështje, pasi opozita akuzoi qeverinë se ka rritur borxhin publik. Por, ministri Cani vuri në dukje se qeveria ka marrë një borxh në masën 2 %, krahasuar me qeverinë e mëparshme që kaloi shifrën e 12.8%. Deputeti i PD-së, Sheferedin Shehu kërkoi që të rritet parashikimi për rritjen e të ardhurave, pasi sipas tij 22 miliardë lekë vijnë vetëm nga rritja e taksave. Po dje, Komisioni për Ekonominë dhe Financat mori në shqyrtim edhe raportet e komisioneve të tjera kuvendore lidhur me diskutimin në parim të projektligjit "Për buxhetin e vitit 2014".
Pas shqyrtimit të këtyre raporteve, Komisioni e miratoi në parim projektbuxhetin për vitin 2014, për të vijuar javën e ardhshme me diskutimin nen për nen të këtij projektligji dhe të projektligjeve të paketës fiskale. Ministri i Financave tha se gjatë vitit 2014 do të shkohet drejt instrumenteve sa më afatgjatë të borxhit, pasi aktualisht borxhi i Shqipërisë rezulton me risk të lartë për shak të periudhës së shkurtër të maturimit. "Pritshmëria për vitin e ardhshëm është që të gjenden instrumenteve që do të mundësojnë mbajtjen e borxhit në nivele të qëndrueshme," tha Cani. Senncën e nesërme plenare pritet që të kalojnë dhe projektligjet e tjera që kanë të bëjnë me paketën fiskale të hartuar nga Ministria e Financave.
Kërkesa e PD
Kuvendi do të hedhë në votim edhe kërkesën e depozituar nga partia demokratike në lidhje për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për të kontrolluar zbatimin e legjislacionit në fuqi për administrimin e bazës së të dhënave shtetërore tatimore, kërkesë kjo që pritet të rrëzohet nga mazhoranca. E djathta në opozita ka akuzar vetëm pak kohë më parë se qeveria ka ndërhyrë në serverat kryesore të Drejtorisë së Përgjithshme e Tatimeve dhe si rezultat duhet që të ndëshkohen fajtorët, ndërkohë që mazhoranca i konsideruar këto si akuza politike të opozitës, e cila po mundohet që të mbulojë manipulimet që ka bërë kur ka qenë në qeveri.
Shkrimi u publikua sot (22.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)