Për të shmangur krijimin e grumbujve të mbetjeve në territore të ndryshme të vendit dhe djegies në vendin e grumbullimit duke shkaktuar ndotje të shumta mjedisore, janë rritur fondet për bashkitë për trajtimin e mbetjeve urbane.
Sipas projektbuxhetit për vitin 2024, pushtetit vendor do t’i jepen 714 milionë lekë ose rreth 7 milionë euro si transfertë e pakushtëzuar për menaxhimin e mbetjeve urbane. Ky fond i rritur në krahasim me vitin e kaluar me 14 milionë lekë, do të ndahet mes 30 bashkive.
Vlerën më të madhe të fondeve do e marrë bashkia e Durrësit me 240.7 milionë lekë, ndjekur nga bashkia Kavajë me 58.1 milionë lekë dhe Sarandë me 43.4 milionë lekë.
Këto fonde do të shpërndahen për pushtetin vendor në mënyrë që ato të kenë mundësi t’i transportojnë mbetjet, në zonën e trajtimit të mbetjeve në Shkodër, në Tiranë, në Elbasan dhe në zonën e menaxhimit të mbetjeve Gjirokastër.
“3. Detajimi i fondeve është bërë për bashkitë:
a) Malësi e Madhe, Shkodër, Vau i Dejës, Pukë, Fushë Arrëz, Lezhë dhe Kurbin për financimin e transportit të mbetjeve urbane në zonën e menaxhimit të mbetjeve Shkodër.
b) Krujë, Durrës, Vorë, Kamëz, Shijak, dhe Kavajë për financimin e transportit të mbetjeve urbane në zonën e menaxhimit të mbetjeve Tiranë.
c) Librazhd, Elbasan, Rrogozhinë, Peqin, Cërrik, Belsh, Përrenjas dhe Gramsh, për financimin e transportit të mbetjeve urbane në zonën e menaxhimit të mbetjeve Elbasan.
d) Himarë, Sarandë, Gjirokastër, Tepelenë, Memaliaj, Këlcyrë, Përmet, Libohovë dhe Dropull, për financimin e transportit të mbetjeve urbane në zonën e menaxhimit të mbetjeve Gjirokastër”, thuhet në aneksin 8 të buxhetit.
Ndërsa pjesa tjetër e bashkive (Berat, Bulqizë,, Delvinë, Devoll, Dibër, Divjakë, Fier, Finiq, Has, Klos, Kolonjë, Konispol, Korçë, Kuçovë, Kukës, Lushnje, Maliq, Mallakastër, Mat, Mirditë, Patos, Pogradec, Poliçan, Pustec, Roskovec, Selenicë, Skrapar, Tiranë, Tropojë, Dimal dhe Vlorë), nuk do të marrin fonde për menaxhimin e mbetjeve.
Për menaxhimin e mbetjeve janë planifikuar edhe 569.7 milionë lekë si pjesë e buxhetit të Ministrisë së Turizmit për vitin 2024. Në komisionet parlamentare ministrja Mirela Kumbaro është shprehur se pastrimi i vendit e kryesisht i bregdetit është objektiv parësor edhe për vitin që vjen.