Sektori që punëson 33% të shqiptarëve në krizë! Qeveria parashikon rritje me vetëm 11 mln euro të buxhetit për bujqësinë deri në 2027

Ekonomia do të ishte rritur më shumë se 3.44% në vitin e kaluar nëse bujqësia nuk do të kishte pësuar rënie. Instituti i Statistikave raporton se sektori që punëson më shumë se një të tretën e shqiptarëve, në tremujorin e fundit të vitit të kaluar është tkurrur me 3.07% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022.

Në dokumentin e politikave prioritare 2025-2027, qeveria thotë se bujqësia kontribuon në 18.36% të prodhimit të brendshëm bruto dhe punëson 33.6% të fuqisë punëtore në vend. Por edhe pse vitet e fundit është në rënie, në këto dokument pritshmëritë janë pozitive për të ardhmen, pasi pritet që sektori të rritet me 2.4% në vit. Në këtë dokument, evidentohet fakti që bujqësia po përballet me mungesë punonjësish të kualifikuar, por njëkohësisht thuhet se potenciali i sektorit është i madh.

Kurse për ekspertët shkaqet për këtë rënie janë të shumta, por lista kryesohet nga largimi i banorëve nga zonat rurale, mungesa e fuqisë punëtore, financimi i ulët dhe ngecja tek makineritë e vjetra. Por nga ana tjetër edhe blegtoria nuk është në ditë të mirë, pasi është tkurrur numri i bagëtive, ndërkohë që kostot e prodhimit si për bujqësi ashtu dhe për blegtori janë shtuar.

Edhe vetë qeveria po tregohet ‘dorështrënguar’ me bujqësinë, pasi buxheti i vënë në dispozicion për këtë vit është më i ulët se i vitit të kaluar.

Ndërkohë që edhe për tre vitet e ardhshme, planet për këtë sektor nuk janë për shtim të ndjeshëm të fondeve, aq sa ka nevojë sektori. (Kur u diskutua buxheti 2024, u tha se duheshin 3-fish fonde më shumë se sa kishin në dispozicion për të rimëkëmbur bujqësinë).

Nëse këtë vit për Ministrinë e Bujqësisë janë vënë në dispozicion 138.7  milionë euro, ky fond do të rritet lehtë përgjatë tre viteve për të arritur në 149.9 milionë euro në 2027-ën.

Ndërsa fondi i dedikuar zhvillimit rural, ku përfshihen skemat kombëtare për mbështetjen e fermerëve, blegtorëve apo bletërritësve nga 70.9 milionë euro që është planifikuar për këtë vit, do të arrijë në 82.3 milionë euro në vitin 2027.

Bujqësia prej dekadash vuan mungesën e financimit, sidomos nga bankat për shkak se është biznes i ekspozuar ndaj rreziqeve të shumta, siç janë përmbytjet apo breshëri që ju dëmton prodhimin. Por prej mesit të vitit 2023 e deri më tani, po përballet edhe me mungesë të fondeve të IPARD-it, e ende nuk ka një vendim nga BE, për zhbllokim të kësaj mbështetje.

Referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë gjatë vitit të kaluar bankat kanë dhënë për këtë sektor vetëm 2.7 miliardë lekë, ose rreth 0.9% e totalit të huasë së re të dhënë për gjithë ekonominë përgjatë vitit të kaluar.

BUXHETI PËR ZHVILLIMIN RURAL
Viti 2024        70.9 mln euro
Viti 2025        72.8 mln euro
Viti 2026        80.4 mln euro
Viti 2027        82.3 mln euro
BUXHETI PËR MINISTRINË E BUJQËSISË
Viti 2024        138.7 mln euro
Viti 2025           139 mln euro
Viti 2026        146.8 mln euro
Viti 2027        149.9 mln euro

B.K/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kjo Krishtlindje është ftesë për të përjetuar magjinë... Çfarë thonë yjet për ju sot

Kjo Krishtlindje është ftesë për të përjetuar magjinë... Çfarë thonë yjet për ju sot