TIRANË- Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) ka refuzuar kërkesën e Këshillit Bashkiak për të pasur prezent në mbledhjen për konsultimin dhe detajimin e projektbuxhetit 2026 vetë kryetarin e bashkisë, Erion Veliaj.

Këshilli Bashkiak ka marrë përgjigje nga prokurorët e posaçëm Altin Dumani dhe Ols Dado të çështjes Veliaj, të cilët vendimin e tyre për moslejimin e Erion Veliajt për të marrë pjesë fizikisht në mbledhje, e kanë argumentuar duke thënë se kërkesa nuk përmbush kriteret ligjore.

"Gjithashtu, bazuar në VKM nr. 209 datë 06.04.2022 “Për miratimin e rregullores së përgjithshme të burgjeve", nenet 101-105, konstatohet i njëjti rregullim përsa i përket rasteve të lejeve të veçanta, të cilat janë shterruese, duke referuar përsëri tek sëmundjet e rënda të cilat rrezikojnë jetën e nëtarëve të familjes, të vërtetuar me raport mjekësor, ose të ngjarjeve të rëndësishme familjare, si vdekje, lindje ose martesa, si dhe në rastet e dhënies së provimeve të vetë të dënuarit.

Në këto kushte, arrihet në përfundimin se kërkesa e bërë për lejimin e përkohshëm të shtetasit të paraburgosur Erion Veliaj, për pjesëmarrje fizike në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të datës 16- 18.12.2025, e trajtuar si kërkesë për leje e veçantë nga organi procedues, nuk përmbush kriteret e përcaktuara në kuadrin ligjor përkatës", thuhet në vendim.

Në kërkesën e Këshillit Bashkiak thuhej se pjesëmarrja e Veliajt për konsultimin dhe detajimin e projektbuxhetit është një proces i përcaktuar si detyrim ligjor nga legjislacioni për vetëqeverisjen vendore. Në kërkesë, anëtarët e Këshillit Bashkiak theksojnë se prania e kryebashkiakut është e detyrueshme për të garantuar bashkëpunimin me këshillin për çështje me interes publik.

“Këshilli Bashkiak është i gatshëm të bashkëpunojë plotësisht për cdo kërkesë sigurie, protokolli apo logjistike të institucioneve tuaja, me qëllim garantimin e një procesi ligjor, transparent dhe funksional”, thuhet në kërkesë.

Buxheti 2026 i Bashkisë së Tiranës pritet të miratohet në mbledhjen e 18 dhjetorit, ndërsa vetë kryebashkiaku Veliaj në një letër drejtuar dy ditë më parë Këshillit Bashkiak të Tiranës i kërkonte të mos miratojë buxhetin e vitit 2026 pa u konsultuar me të.

Veliaj thotë se projekt/buxheti duhet të reflektojë prioritetet politike për të cilat qytetarët e kanë votuar, dhe se miratimi pa marrë mendimin e tij, nga struktura të deleguara përkohësisht, do të pasqyronte faktin se kryetari i bashkisë po pengohet të ushtrojë mandatin.

Kryebashkiaku Veliaj thekson se buxheti i vitit 2026, ndryshe nga kur ai ka qenë në krye të punëve, ka një nivel shumë ulët realizimi, tregues i qartë sipas tij, i paralizës institucionale që po i shkaktohet Bashkisë së Tiranës prej qëndrimit të tij në paraburgim.

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë të Këshillit Bashkiak)

 

(Kliko këtu për të lexuar përgjigjen e plotë të SPAK)