TIRANË- Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) ka refuzuar kërkesën e Këshillit Bashkiak për të pasur prezent në mbledhjen për konsultimin dhe detajimin e projektbuxhetit 2026 vetë kryetarin e bashkisë, Erion Veliaj.

Këshilli Bashkiak ka marrë përgjigje nga prokurorët e posaçëm Altin Dumani dhe Ols Dado të çështjes Veliaj, të cilët vendimin e tyre për moslejimin e Erion Veliajt për të marrë pjesë fizikisht në mbledhje, e kanë argumentuar duke thënë se kërkesa nuk përmbush kriteret ligjore.

Në Tiranë, viti 2025, muaji Dhjetor, data 17.

Ne Altin Dumani dhe Ols Dado, Prokurorë në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi u njohëm me kërkesën e nënshkruar nga Sekretari i Këshillit Bashkiak Tiranë, me nr. Prot. 42497/2 datë 16.12.2025,

KONSTATUAM

Se anëtarë të Këshillit Bashkiak Tiranë, kanë paraqitur kërkesë për lejim të përkohshëm për pjesëmarrje fizike të të pandehurit të paraburgosur Erion Veliaj, në mbledhjen e Këshillit Bashkiak që do të zhvillohet në një nga datat 16 deri në 18.12.2025.

Në lidhje me këtë kërkesë, duhet mbajtur në konsideratë fakti se ligjvënësi, referuar ligjit nr. 81/2020 "Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve", neni 73 pika 1 dhe 2, ka përcaktuar: se "I burgosuri ka të drejtën të përfitojë leje të veçantë në rast të sëmundjeve të rënda, të cilat rrezikojnë jetën e anëtarëve të familjes, të vërtetuar me raport mjekësor, ose të ngjarjeve të rëndësishme familjare, si vdekje, lindje ose martesa, si dhe në rastet e dhënies së provimeve të vetë të dënuarit. Kjo periudhë përfshihet në kohën e vuajtjes së dënimit. Leja e veçantë për të dënuarinjepet nga Drejtori i Institucionit, ndërsa për të paraburgosurin jepet nga Drejtori i Institucionit, me pëlqimin paraprak të prokurorit.

Gjithashtu, bazuar në VKM nr. 209 datë 06.04.2022 “Për miratimin e rregullores së përgjithshme të burgjeve", nenet 101-105, konstatohet i njëjti rregullim përsa i përket rasteve të lejeve të veçanta, të cilat janë shterruese, duke referuar përsëri tek sëmundjet e rënda të cilat rrezikojnë jetën e nëtarëve të familjes, të vërtetuar me raport mjekësor, ose të ngjarjeve të rëndësishme familjare, si vdekje, lindje ose martesa, si dhe në rastet e dhënies së provimeve të vetë të dënuarit.

Në këto kushte, arrihet në përfundimin se kërkesa e bërë për lejimin e përkohshëm të shtetasit të paraburgosur Erion Veliaj, për pjesëmarrje fizike në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të datës 16- 18.12.2025, e trajtuar si kërkesë për leje e veçantë nga organi procedues, nuk përmbush kriteret e përcaktuara në kuadrin ligjor përkatës.

Për këto arsye, bazuar në nenin 73 pika 1 dhe 2 të ligjit nr. 81/2020 si dhe VKM nr. 209 datë 06.04.2022,

VENDOSËM

1. Mosdhënien e miratimit paraprak në lidhje me Kërkesën për Leje të Veçantë, përsa i përket pjesëmarrjes fizike në mbledhjen e Këshillit Bashkiak në datat 16-18 të muajit në vazhdim, të shtetasit të paraburgosur Erion Veliaj.

2. Të njoh me këtë vendim kërkuesin.

Në kërkesën e Këshillit Bashkiak thuhej se pjesëmarrja e Veliajt për konsultimin dhe detajimin e projektbuxhetit është një proces i përcaktuar si detyrim ligjor nga legjislacioni për vetëqeverisjen vendore. Në kërkesë, anëtarët e Këshillit Bashkiak theksojnë se prania e kryebashkiakut është e detyrueshme për të garantuar bashkëpunimin me këshillin për çështje me interes publik.

“Këshilli Bashkiak është i gatshëm të bashkëpunojë plotësisht për cdo kërkesë sigurie, protokolli apo logjistike të institucioneve tuaja, me qëllim garantimin e një procesi ligjor, transparent dhe funksional”, thuhet në kërkesë.

Buxheti 2026 i Bashkisë së Tiranës pritet të miratohet në mbledhjen e 18 dhjetorit, ndërsa vetë kryebashkiaku Veliaj në një letër drejtuar dy ditë më parë Këshillit Bashkiak të Tiranës i kërkonte të mos miratojë buxhetin e vitit 2026 pa u konsultuar me të.

Veliaj thotë se projekt/buxheti duhet të reflektojë prioritetet politike për të cilat qytetarët e kanë votuar, dhe se miratimi pa marrë mendimin e tij, nga struktura të deleguara përkohësisht, do të pasqyronte faktin se kryetari i bashkisë po pengohet të ushtrojë mandatin.

Kryebashkiaku Veliaj thekson se buxheti i vitit 2026, ndryshe nga kur ai ka qenë në krye të punëve, ka një nivel shumë ulët realizimi, tregues i qartë sipas tij, i paralizës institucionale që po i shkaktohet Bashkisë së Tiranës prej qëndrimit të tij në paraburgim.

Lajmi në përditësim...

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë të Këshillit Bashkiak)

 

(Kliko këtu për të lexuar përgjigjen e plotë të SPAK)