Pavarësisht se është buxheti më i madh i akorduar ndonjëherë Partia e Lirisë e konsideron projektbuxhetin e qeverisë për vitin 2027 si të pamjaftueshëm për të përballuar problematikat ekonomike dhe sociale të vendit, duke argumentuar se fondet publike duhet të orientohen më shumë drejt qytetarëve dhe sektorëve prodhues.

“Një buxhet që u vjedh të gjithë shqiptarëve mundësitë për një jetë më të mirë, u mohon të rinjve perspektivën dhe mundësinë për të ndërtuar të ardhmen e tyre të sigurt në atdheun e tyre. Është një buxhet që e lë prodhimin vendas në mëshirë të konkurencës së pandershme dhe që braktis sektorët më jetikë të vendit”, tha Blushi.

Partia e Lirisë ka paraqitur propozimet e saj dhe ka prezantuar shtatë amendamente, të ndara në tri paketa kryesore, “Rinia”, “Made in Albania” dhe “Emergjencat Civile dhe Siguria”. Përmes këtyre propozimeve, grupi parlamentar i PL-së kërkon rishpërndarjen e fondeve publike drejt arsimit, prodhimit vendas, mbrojtjes së konsumatorëve dhe përmirësimit të kushteve financiare të punonjësve të sigurisë.

Në paketën “Rinia”, propozohet dyfishimi i fondeve për mbështetjen e të rinjve dhe fëmijëve, nga 750 mijë në 1.5 milionë euro, si dhe rritja me 22.28 milionë euro e buxhetit për arsimin profesional.

Ndërsa paketa “Made in Albania” parashikon rritjen e financimit për bujqësinë dhe zhvillimin rural në 167.08 milionë euro, si dhe akordimin e 5.6 milionë eurove për Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes së Konsumatorit. PL kërkon gjithashtu ruajtjen e pragut aktual të TVSH-së për biznesin e vogël gjatë vitit 2027.

Në paketën e tretë propozohet rritja me 35% e fondit të pagave për punonjësit e Policisë së Burgjeve dhe Emergjencave Civile, duke përfshirë edhe orët shtesë, shpërblimet dhe dietat.