Ditën e fundit të javës që lamë pas Qeveria e Kosovës ka miratuar projektbuxhetin e vitit 2015, i cili në realitet është buxhet i mjerimit, buxhet i skamjes, e jo buxhet i zhvillimit ekonomik, siç do të duhej të ishte në kushte normale.
Buxheti i miratuar më së miri tregon se Kosova po shkon drejt një kolapsi ekonomik, pasi që pushtetarët aktualë përmes buxhetit (mjeteve të taksapaguesve kosovarë) po tentojnë që ta “rrëmbejnë” pushtetin.
Me buxhetin e ri, Kosova nuk mund të krijojë zhvillim ekonomik, por nëse kryeministri në largim Hashim Thaçi, vazhdon qeverisjen edhe për katër vitet e ardhshme, ai as nga afër nuk mund të zbatojë në praktikë “misionin e ri” që e ka promovuar gjatë gjithë fushatës parazgjedhore.
Të gjitha premtimet që ai i ka dhënë nuk i ka futur fare në buxhet, edhe pse kabineti i tij ka hartuar projektbuxhetin për vitin që vjen.
Premtimet prej më shumë se një miliard euro tashmë i takojnë së kaluarës.
Situata e keqe po ashtu do të jetë edhe për bllokun e partive opozitare nëse këta vazhdojnë me qeverisjen e vendit në katër vitet e ardhshme, pasi që edhe këta të fundit nuk do të kenë mundësi që të inkorporojnë ide dhe premtimet e tyre parazgjedhore.
Thjesht do të zbatojnë projektet që ka paraparë Qeveria në largim e Hashim Thaçit.
Bazuar në projektbuxhetin e vitit 2015, shihet qartë se të hyrat e planifikuara janë 1 miliard e 576 milionë euro, derisa shpenzimet arrijnë në 1 miliardë e 682 milionë euro, duke nisur vitin kështu me një deficit fillestar prej 106 milionë euro.
Për dallim nga viti aktual, gjatë vitit 2015 në Kosovë ka rritje të buxhetit për kategorinë e pagave prej rreth 66 milionë euro.
Më këtë shumë të mjeteve, Qeveria synon të mbulojë rritjen ilegale të pagave që ka ndodhur në mars të këtij viti, por assesi nuk bëhet fjalë për rritje të re të pagave nga 1 janari i vitit që vjen, ku brenda një vitit për këtë qëllim Kosova shpenzon 549 milionë euro.
Për dallim nga viti aktual, në vitin e ri ka rritje të theksuara të buxhetit edhe për kategorinë e transfereve sociale.
Sivjet për këtë qëllim janë të destinuara 314 milionë euro, e derisa vitin që vjen parashikohet të shpenzohen 437 milionë euro, ku ka një rritje prej më shumë se 100 milionë euro.
Por, si për çudi gjatë vitit 2015 do të kenë rënie të shumës për investime kapitale, e këtë shumë pakkush e ka pritur.
Sivjet për shpenzime kapitale do të shpenzohen 530 milionë euro, e derisa vitin që vjen për këtë qëllim janë ndarë nga Qeveria 470 milionë euro, ku ka një zvogëlim të shpenzimeve prej më shumë se 70 milionë euro.
Andaj rritja e shpenzimeve për paga dhe transfere sociale, si dhe zvogëlimi i mjeteve për investime kapitale, godet edhe më shumë ekonominë e brishtë të vendit tonë, pasi që të gjitha mjeteve që shpërndahen përmes pagave dhe transfereve, edhe ashtu transferohen jashtë Kosovës, pasi që shumica prej tyre harxhohen për bukë dhe produkte elementare për jetë.