Buxheti i shtetit/6-mujori 2018, rriten investimet, por ulet ritmi i të ardhurave

Buxheti i shtetit/6-mujori 2018, rriten investimet, por ulet ritmi i të ardhurave

Foto ilustruese

Ka vijuar edhe si gjashtëmujor rritja e të ardhurave buxhetore, krahasuar me vitin e kaluar. Po kështu, ka vijuar, në të njejtën kohë, edhe rritja e shpenzimeve. Por në të dy kahet trendi i rritjeve është në rënie. Megjithatë, edhe në fund të muajit qershor, arka e shtetit rezulton me suficit.

Të ardhurat
Në total, të ardhurat buxhetore kanë shënuar një rritje në masën 2.3 për qind, krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar, raporton ministria e Financave dhe Ekonomisë. Sipas shifrave zyrtare të publikuara prej saj ditën e djeshme, në total janë arkëtuar 217 miliardë lekë, ose më shumë se 1.7 miliardë euro, sipas kursit zyrtar në periudhën janar-qershor 2018, ndërkohë që shifra për të njejtën periudhë të vitit të kaluar ishte 212.2 miliardë lekë.

Tatimi që ka shënuar një rritje të ndjeshme në nivel vjetor ka qenë ai mbi të ardhurat personale, ku kryesisht pasqyrohet taksimi nga pagat e punonjësve. Rritja është në masën 11.5 për qind, duke kaluar në 17.4 miliardë lekë, nga 15.6 miliardë një vit më parë. 
Rritje të vazhdueshme vijojnë të shënojnë kontributet lidhur me sigurimet e detyrueshme. Kështu, kontributet për efekt të sigurimeve shoqërore janë këtë vit 9.5 për qind më të larta se ato të një viti më parë, duke kaluar në 39.1 miliardë lekë, nga 35.7 miliardë në 2017-ën.

Ndërkohë, të ardhurat nga kontributet për sigurime shëndetësore janë 6 miliardë lekë, kurse një vit më parë shënonin 5.7 miliardë, me rritje në masën 5.3%. Kjo pasqyron një rezultat pozitiv në luftën kundër informalitetit, që sjell shtim të deklarimeve të punonjësve që deri më parë punonin në të zezë.

Edhe Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) ka sjellë 68 miliardë lekë, 3.3 për qind më shumë të ardhura, si pasojë edhe e rritjes së ndjeshme të eksporteve të mineraleve apo energjisë elektrike këtë periudhë. Nga ana e vet, tatim fitimi i ndërmarrjeve shënon gjithashtu rritje 2.9%.  Në tendencë të kundër shkojnë të ardhurat nga akcizat (taksa speciale për karburantet, alkolin, kafenë dhe duhanin, etj), të cilat rezultojnë me një ulje në masën 1.9 për qind.

Sa i përket pushtetit vendor, duket se 61 bashkitë kanë ngecur “në vend numëro”. Shifra prej 10.9 miliardë lekëve të arkëtuara prej tyre është e barabartë me rezultatin e shënuar një vit më parë në të njejtën periudhë.

Shpenzimet
Në përputhje me rritjen e të ardhurave, institucionet shtetërore kanë rritur njëkohësisht edhe shpenzimet. Sipas statistikave zyrtare, rezulton se këto kanë qenë në masën 214.7 miliardë lekë, shifër, e cila, krahasuar me 209.2 miliardët e shpenzuara një vit më parë, është 2.6 për qind më e lartë. Kështu, në vitin aktual janë kaluar edhe shpenzimet e bëra në një “vit elektoral” si ai i vjetshmi.
Në drejtim të investimeve duket se janë bërë përpjekjet më të mëdha. Me 29.9 miliardë lekë të shpenzuara për këtë qëllim, nga 26.4 miliardë vitin e kaluar, rritja është në masën 13.3 për qind. Kjo rritje mund edhe të thellohet deri në fund të vitit, ndërkohë që janë tenderuar apo po tenderohen një numër punimesh në infrastrukturë, me kosto jo të vogël.

Ndërkohë, një rritje – e cila në vetvete nuk është pozitive – sa vjen e shënohet në drejtim të pagesës së interesave të borxheve. Në total, në gjashtë muaj, janë paguar 15.4 miliardë lekë, ose 122 milionë euro interesa borxhesh. Një vit më parë si gjashtëmujor kjo vlerë ishte 14.3 miliardë lekë.

Nga ana tjetër, një shpërpjesëtim në pagesat buxhetore sa vjen e po rritet në drejtim të shlyerjes së detyrimeve ligjore për kategoritë e pronarëve dhe të përndjekurve. Për të parët, shifra ka qenë 0.9 miliardë lekë, 3.33 herë më e ulët se një vit më parë në të njejtën periudhë, ku kryesisht janë paguar pronarë, trojet e të cilëve janë zënë nga ndërtime pa leje në proces legalizimi dhe shumë pak ish-pronarët e vjetër.

Kurse për ish-të përndjekurit politikë pagesat kanë qenë në total vetëm 0.2 miliardë lekë, shifër kjo, 6 herë më e ulët se një vit më parë. Sikurse janë shprehur në disa raste kohët e fundit zyrtarë të lartë, qeveria po mendon të amendojë ligjin për dëmshpërblimet dhe, me sa duket, në pritje të kësaj ka “ngrirë” pagesat në shifra të ulta.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • redi: 20/07/2018 10:23

    Te ardhurat ministrua mos ti jrahasoj me nje vit ne oare por me planin e buxhetit 2018 , kjo e lidhur dhe me rrutjen ekonomike te 6 mujorit te oare qe eshte 4.48% te GDP . E jeqa me e nadhe e ekonomise dhqiptare eshte borxhi publik . Ne vend ta ulim ,ne marrim akoma borxhe te reja , qe me llogjiken e rritjes se te ardhurave nuk kemi pse marrim . Kucedra qe rremben parate e shqiptareve eshte infrastruktura , ku shpenzimet nga nje here hane te kota . Ci duhesh qeverise te jape ne koncension rrugen Thuman - Kashar me vlere absilute korruptive 340 mulion euro . Rregulloni me 10 mulion rrugen Kombinat -Plepa qe te shpetoj trafiku per ne jug

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Studentët në Beograd sërish në rrugë, ndalen para Prokurorisë së Përgjithshme: Të luftohet për ligjin dhe rendin pa u ndikuar nga politika e korrupsioni

Studentët në Beograd sërish në rrugë, ndalen para Prokurorisë së Përgjithshme: Të luftohet për ligjin dhe rendin pa u ndikuar nga politika e korrupsioni