Kandidati i “Aleancës për Shqipërinë Europiane” për Bashkinë e Cërrikut Altin Toska zhvilloi një takim me komunitetin rom dhe egjiptian në këtë njësi vendore. Në këtë takim Toska ishte i shoqëruar nga Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës z. Edmond Haxhinasto shprehu mbështetjen për këtë komunitet.
 
Toska garantoi se gjatë drejtimit të bashkisë, do të mbështesë këto komunitete, ndërsa prezantoi dhe planin rregullues të qytetit që parashikon një përmirësim cilësor të infrastrukturës.
 
Në fjalën e tij, kandidati i ASHE-së, Altin Toska falënderoi për pjesëmarrjen e këtij komuniteti në këtë takim ku u shpreh se “me besimin e tij dhe mbështetjen tuaj mund ta ringjallim këtë qytetet, mund të bëjmë mrekullinë që Cërrikun ta kthejmë ndër qytetet më të bukura”.
 
Altin Toska theksoi se një vëmendje e madhe do t’i kushtohet punësimit, ku përmes planeve konkrete do të gjenerohen vende të reja pune.
 
“Investimet do të jenë të shumta sidomos ato private nga investitorë të brendshëm dhe të jashtëm. Një vëmendje do t’i kushtojmë dhe përqendrimit të biznesit fason, ku brenda 2 viteve do të punësohen rreth 500-1000 punëtorë. Një tjetër fokus i joni është edhe çështja e arsimimit. Garantoj se do të hapen shkolla profesionale për të rinjtë, por një fokus do të ketë edhe trajnimi profesional ku do të punësohen persona te moshës 40-50 vjeç duke u bërë punëtore te specializuar”, tha më tej Toska.
 
Gjatë prezantimit të programit, Toska  shprehu bindjen se shumë shpejt do të fillojë dhe puna për pastrimin e plehrave dhe për ngritjen e një qendre spitalore.
 
“Do bëhet menaxhimi i plehrave duke mos u përdorur me koshat prej betoni për to, por si në çdo qytet Europian, do të realizohet mbledhja dhe riciklimi i plehrave përmes fabrikave të vogla të përpunimit të plehrave. Do të kemi një qendër spitalore me 90-120 shtretër për të sëmuret dhe analizat do të zhvillohen këtu. Në çdo lagje do këtë qendra argëtimi, në çdo shkollë do të ketë kënde sportive. Bursa studimi dhe subvencione për arsim për studentët më në nevojë”, tha z. Toska ndërsa garantoi se në bashkinë e ardhshme të Cërrikut do të ketë edhe përfaqësues nga komuniteti rom dhe egjiptian.
 
Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto gjatë këtij takimi u shpreh se njerëzit e këtij komuniteti kërkojnë ndryshime dhe se Altin Toska është njeriu i duhur për të realizuar këtë ndryshim të shumëpritur nga të gjithë. “Njerëzit e këtij komuniteti në këtë lagje tipike e Cërrikut janë njerëz që duan ndryshimin dhe duan të njihem me njeriun që do ta ndryshojë Cërrikun. Altin Toska është personi që ka dhënë shembullin e tij personal se si ndërtohet jeta me mund dhe me djersë. Në Cërrik mund të ndërtohet një jetë më e mirë sepse këtu ka pasuri natyrore që mund të shfrytëzohen. Ju do jeni pjesë e rëndësishme e programit të tij dhe garantoj në emrin tim personal se do ta keni gjithmonë derën e Bashkisë së drejtuar nga Altini të hapur për zgjidhjen e problemeve që ju keni",theksoi Haxhinasto
 
 
 Një tjetër ndalesë e kandidatit të Aleancës për Shqipërinë Europiane për Bashkinë e Cërrikut z. Altin Toska ishte takimi me banorët e fshatit Dasar të komunës Mollas. Pasi u njoh nga afër me problemet e banorëve, z. Toska nënvizoi se pas marrjes së drejtimit të bashkisë, do të marrë masa direkte për zhvillimin e bujqësisë në njësinë e re administrative.
 
Një nga pikat e para të zbatimit të programit, sipas Toska, do të jetë dhe certifikimi i pronave duke krijuar mundësi të reja zhvillimi dhe duke i dhënë bujqësisë një potencial të ri.
 
 
“Do të hapim në Bashkinë e re të Cërrikut zyrë konsulence bujqësore. Do të ulet kostoja e inputeve dhe do garantohen produkte me cilësi. Do të sjellim investitorë seriozë për të ngritur hallkën e grumbullimit të produkteve bujqësore. Do të ketë subvencionim dhe standardizim të produkteve bujqësore”, tha Toska.
 
Kandidati i ASHE u shpreh se një vëmendje do t;i kushtohet edhe përmirësimit të infrastrukturës rrugore, e cila aktualisht është kthyer në një pengesë për tregtimin e produkteve bujqësore të kësaj zone. Z. Toska garantoi se shumë shpejt do të merren masa për ndërtimin e rrugës si dhe për përmirësimin e kanaleve vaditëse dhe kulluese.
 
“Rruga Cërrik –Banjë do të bëhet dhe tenderi për këtë do të zhvillohet pasnesër me një investim prej 35 milionë euro. Mbjellja e kulturave dhe menaxhimi i fushave do të sjellë përmirësim. Rreth 60% e tokës këtu është mbi ujë. Vendosja e pompës do të furnizojë kanalin në Mollas me ujë dhe gjithashtu do të bëhen kanalet e fushave dhe kanalizimet që të jenë me beton”,- tha Toska.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)