/ATSH/- Projektligji "Për procedurat tatimore" përcakton që 2 % e totalit të të ardhurave të mbledhura nga kjo administratë të shkojnë për shpërblime stimuluese te punonjesve te tatimeve dhe investime në infrastrukturë. Kjo u bë e ditur nga ministri i Financave Shkelqim Cani, gjatë prezantimit në Komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave të ndryshimeve në ligjin "Për procedurat tatimore".

"Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve i lihen deri në 2% të të ardhurave tatimore të mbledhura, për t'u përdorur për shpërblime stimuluese të personelit të administratës tatimore dhe për investime për përmirësimin dhe modernizimin e infrastrukturës së mbledhjes të të ardhurave", sqaroi ministri Cani. Ai bëri të ditur se edhe për Adminsitratën Doganore është parashikuar një përcaktim i tillë ligjor në Kodin e ri Doganor.

Ndryshimet e propozuara në ligj propozojnë që personelit të administratës tatimore t'i jepen shpërblime stimuluese për efektivitetin e shërbimit të kryer në organet tatimore, apo kryerjen e një shërbimi me rrezikshmëri të veçantë.

Me vendim të Këshillit të Ministrave përcaktohen rregullat për dhënien e shpërblimeve dhe miratimin e investimeve. Ministri i Financave me urdhër miraton çdo vit masën për shpërblime stimuluese të personelit dhe për investimet.