Carlo Bollino: E vërteta e “listave të zeza” për të ftuarit në studiot televizive

Carlo Bollino: E vërteta e “listave të zeza” për të ftuarit në studiot televizive

Përplasja verbale që shpërtheu gjatë ''Opinionit'' mes Arlind Qorit dhe moderatorit të emisionit, hapi një debat për raportin politikë-media që meriton të hulumtohet në thellësi në prag të fushatës elektorale. Qori kontestoi se ai nuk kishte pasur hapsirë të mjaftueshme në atë televizion si në kanalet e tjera televizive "proqeveritare" dhe se ai ndjehej i censuruar për shkak të linjës së tij politike që shkon kundër partive tradicionale dhe kundër të ashtuquajturës "oligarki". Kontradikta e një politikani "anti-sistem" siç e konsideron Qori dukshëm veten, i cili, megjithatë pretendon të jetë i pranishëm në mediat të cilat ai vetë i akuzon si pjesë e "sistemit", do të mjaftonte për të mbyllur debatin. Inkoherenca në politikë është një nga mëkatet që votuesit e dënojnë edhe më shumë se korrupsioni. Por përtej çështjes Qori, është e zakonshme të dëgjohen ankesa të këtij lloji nga forca të ndryshme politike që denoncojnë censurën dhe mungesën e pluralizmit. 

Prania e qindra radiove dhe televizioneve dhe mijëra faqeve në internet, të gjitha të përhapura edhe në mediat sociale dhe në konkurrencë të ashpër me njëra-tjetrën, e bën Shqipërinë një vend të prekur nga kakofonia dhe obeziteti informativ dhe jo nga mungesa e informacionit. Fakti që në një vend që sot ka më pak se 3 milionë banorë ka rreth 12 stacione televizive informative me mbulim kombëtar (virus për të cilin ndihem disi fajtor pasi kam qenë i pari që kam importuar këtë model televiziv në vitin 2001), përbën një tjetër rekord unik në Evropë. Historia se televizionet shqiptare kontrollohen nga vetëm katër familje, - sipas një raporti amator të bazuar në shifrat të një sistemi matje të audiencës aq të gabuar sa tashmë ka fallimentuar - është thjesht një legjendë urbane. Dhe këtë e them edhe në kundërshtim me interesin tim, pasi jam unë një nga ato 4 familje të përmendura në raport. Nëse nga njëra anë ky obezitet rrezikon të ulë cilësinë e informacionit për shkak të numrit të pamjaftueshëm të gazetarëve adekuat profesionalisht, nga ana tjetër përgënjeshtron çdo ankim për censurë imagjinare nga "botuesit biznesmenë" të cilët në shumicën e rasteve, për më tepër, janë gazetarë.  

Megjithatë, mbetet një pyetje themelore: çfarë detyrimi ka një media private (qoftë televizion apo portal ëeb) për t'u dhënë hapësirë ​​të gjitha forcave politike të pranishme në vend? Besueshmëria (dhe për rrjedhojë fuqia) e një media private qëndron në linjën e saj editoriale, e cila përcaktohet përmes përzgjedhjeve dhe që është prerogativë ekskluzive e çdo botuesi dhe e askujt tjetër. Është liria e tij supreme për të cilën ai paguan pasojat, pasi suksesin apo dështimin e vendos publiku.Në çdo zgjedhje në Shqipëri ka dhjetëra parti që konkurrojnë dhe të presësh që të gjithë të kenë hapësirë ​​të barabartë është qesharake aq edhe e parealizueshme. Edhe kodi zgjedhor vendos të drejtën e barazisë vetëm në 45 ditët para votimit, duke u dhënë hapësirë ​​të barabartë vetëm forcave politike parlamentare, duke dalluar brenda tyre edhe ato që kanë marrë më shumë ose më pak se 20% të votave. Të ashtuquajturat ''parti të vogla joparlamentare'' të cilave u përket Qori u garantohen vetëm thërrime. Gjatë gjithë kohës deri në zgjedhjet e ardhshme, çdo redaktor apo gazetar është i lirë të zgjedhë se kë, si dhe kur të ftojë një politikan në studio. Ky është një parim autentik i lirisë dhe demokracisë, sepse vetëm në diktatura mediat marrin një listë se kë të intervistojnë. Ajo që duhet të garantojë një vend demokratik është vetëm pluralizmi dhe konkurenca e medias (d.m.th. numri i tyre) dhe siç e kemi parë në Shqipëri ky është një problem që nuk ekziston.

Në fakt, ne kemi problemin e kundërt. Ka kaq shumë media, aq shumë talk show dhe për rrjedhojë kaq shumë ftesa në studio, sa që shumë politikanë i lejojnë vetes edhe luksin të refuzojnë ftesat të marrin pjesë në debate televizive. Dhe këtu nuk e kam fjalën vetëm për ministrat, shumë prej të cilëve nuk kanë dhënë as edhe një intervistë televizive nga frika e pyetjeve që marrin, por edhe politikanëve të opozitës, madje edhe disa liderëve të atyre partive të vogla, të cilët edhe pse konkurrojnë për dukshmërinë, ata tashmë kanë arrogancën të refuzojnë praninë në studiot që nuk i kontrollojnë. Obeziteti i informacionit nga i cili vuan Shqipëria (dhe që Qori dhe disa analistë radikalë pretendojnë se nuk e vënë re), krijon paradoksin unik ku shumë politikanë shqiptarë e konsiderojnë intervistën një nder dhe jo një mundësi. Shumica e politikanëve refuzojnë përballjet televizive me rivalët e tyre, presin të zgjedhin panelin e gazetarëve që do t'i intervistojnë në studio, madje ndonjëherë kërkojnë të dinë paraprakisht listën e pyetjeve. Në vend të intervistës së refuzuar, ata presin të shohin deklaratat e tyre për shtyp të botuara të plota, videot e përgatitura nga zëdhënësit e tyre të shtypit ose intervistat e tyre të vetë-prodhuara. Është e vërtetë, listat e zeza ekzistojnë edhe në informacionin shqiptar: në raste të rralla disa politikanë nuk janë të mirëpritur në disa kanale televizive. Por cili është problemi, kur ka qindra media të tjera përmes të cilave mund të shprehen? Dhe përveç kësaj, a nuk ka lista të zeza të televizioneve edhe prej disa politikanëve, edhe pse askush nuk skandalizohet nga kjo?

Prandaj, urgjenca e vërtetë e informacionit në Shqipëri nuk është zgjedhja legjitime që bën një gazetar midis kë të ftojë dhe kë jo në studio, një zgjedhje e cila shpesh bazohet në cilësinë e argumenteve që ofron i intervistuari dhe në disponueshmërinë e tij për përballje, shumë më tepër se sa për simpatitë e botuesit për të. Emergjenca e vërtetë është roli i gazetarit dhe aftësia e tij për të filtruar mesazhin që politikani përhap, përmes parametrave etikë dhe profesionalë. Për të qenë vërtet të lirë, gazetarët duhet të pushojnë së qeni mbajtës tëë mikrofonëve, të regjistrojnë dhe ripublikojnë pa asnjë ndërhyrje vulgaritetet, lajmet e rreme dhe shpesh shpifjet që shqiptojnë disa politikanë. Politikanët kanë mediat e tyre partiake dhe rrjetet sociale për ta bërë këtë. Ndërkohë që media profesionale duhet të vendosë filtrin duke e ndarë mesazhin politik nga shpifja dhe ky nuk është akt censurimi por akt përgjegjësie. Një detyrim që duhet të shqetësojë edhe moderatoret e televizioneve, të cilët në shumicën e rasteve nuk ndërhyjnë në zënkat vulgare plot akuza personale që shpërthejnë mes të ftuarve në studio, me pretekstin se “secili është i lirë të thotë çfarë të dojë dhe të mbrohet si e sheh të arsyeshme''. Një moderator profesionist, pikërisht për shkak të rolit të tij, nuk duhet të lejojë askënd të ofendojë apo shpifë, dhe kur një politikan gënjen apo kundërshton qartë veten në përgjigjen e një pyetjeje, moderatori duhet ta sfidojë atë, sepse gënjeshtra nuk është kurrë shprehje e lirisë. Çështja është se moderatori nuk ndihet i lirë ta bëjë këtë, pasi është pothuajse gjithmonë peng i politikanit në studio dhe jo e kundërta. Nëse një gazetar e bën punën e tij me rigorozitet dhe ndershmëri, në fund askush nuk do të pranojë të intervistohet dhe prandaj ka frikë se nuk do të punojë më. 

Le të reflektojnë, pra, Qori dhe të tjerët që e mbështesin: Janë politikanët që duan të shantazhojnë gazetarët, dhe pretendimet që ai shprehu në atë debat televiziv, agresiviteti i tij dhe reagimet që mori, e tregojnë plotësisht këtë.

xy/a.m./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

El Clasico në finalen e Superkupës, Ancelotti: Na duhet ky trofe! Flick: Sfidë e madhe, Barça gati

El Clasico në finalen e Superkupës, Ancelotti: Na duhet ky trofe! Flick: Sfidë e madhe, Barça gati