Carlo Bollino: Jam bërë shqiptar
…domethënë paranojak

Carlo Bollino: Jam bërë shqiptar<br />…domethënë paranojak
Isha 22 vjeçe kur mikja ime e asaj kohe, Anila Jole më telefonoi në shtëpi, për të më thënë se ‘News24’ bënte prova për spikere-gazetare. Isha plot ëndrra, pa kokërr leku në xhep dhe tersit i shtohej edhe humbja e celularit. E vetmja gjë e fortë ishte pasioni për ekranin dhe gazetarinë. Më kujtohet si sot kur atë pasdite dimri, pa drita në shtëpi, zëri i sekretares së “Gazetës Shqiptare” më tha se Carlo Bollino, nga dhjetëra regjistrime, më kish zgjedhur mua.

Nuk e njihja Carlo-n, por kisha dëgjuar për italianin që ishte ëndrra e të gjithëve të punonin me të. Nuk paguante shumë, madje kujtoj që e quanin edhe pak koprrac e kapitalist, por që ia vlente shkolla me një gazetar lufte dhe që i pillte mendja edhe kur flinte. Unë në atë kohë televizionin isha gati ta bëja dhe falas. Në fakt, kam qenë me fat, sepse gjatë kësaj rruge modeste kam mundur të punoj me më të mirët, ku Bollino për mua (dhe për shumë të tjerë) zë një vend të veçantë.

Madje edhe “armiqtë” e duan në mënyrën e tyre. Por pak e njohin Carlo-n. Pas botimit të librit për armët kimike, e pashë të shfaqej në shumë ekrane, duke dhënë argumentet e tij me atë shqipen e mësuar mirë, dhe me ato lakimet dhe zgjedhimet e foljeve të cilat gjithmonë, edhe kur punoja për të (sidomos së fundmi në A1 Report) më jepnin një gaz të lehtë edhe në momentet më të vështira. Sot kam vendosur ta takoj jo aq për librin, pasi ç’do duam të dimë rreth tij më duket natyrale që të shkosh edhe ta lexosh. “Armët” erdhën në mendjen time si arma më e mirë për të biseduar do gjëra me Carlo-n, që ‘si dimë dhe ai s’ka dashur që t’i ndajë me botën. Ndoshta nuk është vetëm për arsye modestie, por krejt praktike. Ai është gërnjar në punë. Nuk ka kurrë kohë të flasë për veten.
 
Sot, ndryshe nga zakonisht, është i veshur me kostum dhe kollare. Zakonisht ai vishet thjesht, ka një zyrë minimaliste, bërtet kur ndodhin gabime të rënda, gëzohet si fëmijë kur dikush bën një punë të mirë, dhe i pëlqen të rrijë gjithë ditën në redaksi, dhe nga përvoja ime personale mbaj mend që ishte Carlo ai që i fikte dritat në ndërmarrje.
 
Pse tani një libër për armët kimike? Ta kërkoi Rama? – ia nis unë.
 
-Jo, kurrsesi. Madje Rama nuk kish dëshirë të hapej më një debat i mbyllur.
 
Normale do më dukej, sepse ishte një ngjarje kur Rama shënoi dështimin e parë politik të tij si kryeministër, thonë disa.
 
-Jo, nuk jam dakord. Rama si njeri fitoi shumë pikë me qëndrimin e tij. Ai nuk mori garanci nga amerikanët për disa çështje të caktuara dhe pati kurajën t’i thotë ‘Jo’ John Kerrit, i cili i bëri një telefonatë diku nga fundi, a thua se Shqipëria ishte gati për çdo gjë. Unë mendoj që Edi Rama zgjoi krenarinë kombëtare dhe dëgjoi zërin e popullit të tij.
 
Në fakt nuk më kujtohet që nga fjalimi i tij, Rama të kish shprehur ndonjë mungesë garancie? Hera e parë që po e dëgjoj nga ju, i them Bollino-s, i cili ka një miqësi të vjetër me Edi Ramën dhe sot nuk pres që të mos tregojë përkujdesje ndaj një miku. Dhe, meqë jemi te miqësia e pyes se sa e vështirë është të bësh gazetari kur je afër kryeministrit. E shkuara dhe e tashmja na kanë dhënë shembuj fatalë të rënies në një gazetari të rëndomtë dhe me një feedback gati neveritës në publik.
 
-Unë nuk kam bërë kurrë gazetari militante. Ka disa gazetarë dhe media që e kanë bërë këtë në Shqipëri dhe unë nuk i respektoj gazetarët që bëjnë pyetje me qëllim të pastër politik, secili nga ne ka opinionin e tij, por media do të thotë ndërmjetës mes qytetarit dhe politikës. Pyetjet si militant të bëjnë ordiner.
 
Ke ndonjë emër në mendje?
-Sigurisht që kam. Duhet ta kesh edhe ti idenë se për kë e kam fjalën, por nuk them emra sigurisht. Mos prit, Mira.
 
Në fakt ata gazetarët që nënkuptoni ju, publiku i ndjek dhe i ka bërë të famshëm. Ndoshta nuk janë gazetarë të mirë, por kanë famën dhe sot ajo të imponohet në shtëpi si uji në rubineta.
 
-Kjo është një gjë tjetër. Unë po flas për profesionalizëm. Pastaj, çfarë shikojnë njerëzit më shumë ka të bëjë me shumë faktorë që nuk i analizojmë dot as sot.
 
Çfarë po ndodh me median?
-Është kurban i analistëve. Nuk them, ka disa prej tyre që i vlerësoj. Por problem është se në këtë vend të gjithë duan të jenë drejtorë dhe analistë, pasi kalojnë disa vite. Në fakt, gazetaria nuk është e fëmijëve, është e eksperiencës. Habitem që pothuaj të gjithë e kanë si ofendim. Do ishte një mrakulia (mrekulli) po të mos kishin turp të ishin gazetarë drejtorët dhe analistët. Mendoj që media po bën regres, si në vitet ‘90 kur erdha unë për herë të parë dhe bëhej gazetari nga propaganda. Nuk ka investigim, ka vetëm propagandë. Është një mëkat i madh me median.
 
Po ti ke ndonjë mëkat?
-Mëkatet i rrëfehen vetëm priftit. Bëj shaka. Askush nuk është perfekt. Por një gjë e them me siguri: Unë e dua punën që bëj dhe nuk kam menduar për vijat e kuqe kur interesi ka qenë për publikun.
 
Disa gazetarë janë bërë të pasur Carlo, ndërsa ata që ende besojnë tek teoria jote e profesionalizmit kanë mbetur në vend. Se të punosh me ty p.sh, mëson mjaft nga profesioni, por mbetesh në shtëpi me qira, më tha dikush njëherë. Me ty nuk bën prokopi, thotë populli- i them unë si me humor, por ai është pa komplekse, dhe nuk e kundërshton duke më thënë se kam të drejtë në këtë pikë.
 
Në fakt, je koprrac?
-Me paratë e mia, jo! Pyet Albën (bashkëshorten e tij, e cila është gjithashtu gazetare) me lekët e kompanisë jam shumë. Urrej kur lënë kondicionerin hapur, dritat. Pse duhet të abuzojmë, nuk e kuptoj?! Unë, para se të iki, i kontrolloj të gjitha një e nga një.
 
Ah, tani po e kuptoj pse ikje i fundit nga zyra, – i them dhe e mbyllim si argument me pak të qeshura.
 
Gjatë bisedës më tregon se ka besim te qeveria ‘Rama’. I pëlqen Erjon Veliaj, Saimir Tahiri, Mimi Kodheli. Po mbi të gjitha i pëlqen Rama, sepse beson tek njeriu që konturon atë si politikan.
 
-Rama dhe të tijtë duan të bëjnë shtet. Unë e di që shumë po presin që Rama të hakmerret. Por Rama është një frymë e re.
 
Pse nuk jeni xheloz kur përflitet që Sandri është sërish vizitor jo i rrallë i zyrës së Kryeministrit?
-E para nuk më rezulton e vërtetë, por edhe sikur të jetë, nuk është ky halli im. Rama si mik dhe si kryeministër janë dy gjëra që unë di t’i ndaj. Ndoshta sepse mes nesh nuk ka një raport me interesa.
 
Po Ilir Meta?
-Meta ka marrë profilin e politikanit që bën kompromise gjithëpërfshirëse, ndryshe nga Berisha që bënte kompromise për klane të ngushta.
 
Në fakt, sapo e krahasuat pak me Berishën?
-Jo, nuk mendoj që ngjajnë.
 
Nuk keni frikë se do t’ju paragjykojnë si një televizion pranë qeverisë?
-Do të jemi i pari që do them që kjo qeveri dështoi, nëse do të dështojë. Të garantoj. Nuk di të jem ushtar e militant.
 
Në fakt, deri para 7 vjetësh ka qenë i tillë. Por ai tani është ushtar i diçkaje. I një vajze të vogël që quhet Karlota, që ngjan me Carlo-n jo vetëm nga emri por edhe pamja. Nëse kishte diçka që më ngjiti në kujtesë si mushkonjë, ishte rrëfimi i tij për të bijën.
 
Çfarë të paska bërë vajza…
 
-Ehh, tani po të më thuash shko gazetar lufte, nuk do ta bëja kurrë. Dikur nuk jam menduar dy herë. Për Karlotën bëj analizat e gjakut çdo 6 muaj, kujdesem që të jem mirë me shëndet. Më duhet të mbijetoj për të. Kemi 43 vjet diferencë unë dhe ajo, ndaj nuk mund të kem shumë kapriço.
 
Është e habitshme sesi meshkujt lidhen pas vajzave të tyre. Është një shpikje e mrekullueshme e natyrës, ose më saktë e grave.
 
Ngasem ta pyes për kohën e luftës. Dikur ai më ka treguar se amerikanët dhe spanjollët ishin gazetarët më të mirë. Italianët e raportojnë ndonjëherë luftën edhe nga dhoma e hotelit, më kish rrëfyer Carlo.
 
-Kur ta kam thënë këtë gjë? Është e vërtetë. Unë gjithmonë mbaja shok amerikanët, edhe pse ndodhte që në mbrëmje të caktonim nisjen të gjithë bashkë në orën 6, p.sh, ata zgjoheshin në 5 në mënyrë që të ishin të parët për lajmin.
 
Me pak fjalë, as Carlo Bollino nuk ka patur ndonjëherë garancitë e tij, por duhet të dini që ai e gjen gjithmonë një shteg dhe i mbërrinte rrugës për në front.
 
Po nuk ndiheshe keq që të linin në baltë?
-Kur je gazetar lufte mjaft mos të vdesësh, çdo gjë tjetër është si limonçel.
 
Po me Italinë ç’po ndodh? Media, ekonomia, qeveria? Si do i kthejmë makaronat dhe picat sërish në një vend më të lumtur?
-Italia është kënetë. Ka nevojë të rindërtohet. Italianët duhet të pranojnë se ka ardhur koha të heqin dorë nga disa të drejta, nga disa garanci financiare, nga luksi! Shumë prej tyre nuk duan të besojnë, por vetëm kjo do e shpëtojë Italinë. Më vjen keq shumë për Italinë. Një nga arsyet që u riktheva. Nuk ka më pasion në atë vend. Edhe gazetarët nuk lodhen më. Kanë kontrata të pavdekshme dhe rrinë aty në zyrë. Unë i vlerësoj shumë prindërit dhe gjyshërit tanë. Ata ia dolën të rishpiknin Italinë. Shpresoj që të gjendet forca. Ndoshta një i ri si Renzi mund të japë një shpresë, por duhet pritur.
 
Pse e do Shqipërinë ti Carlo?
-Sepse mendoj që më vlerëson më shumë nga ç’meritoj. Në Itali, çfarëdo të bësh duket sikur nuk mjafton asnjëherë. Ndërsa këtu jam ndjerë shumë i vlerësuar dhe i dashur. Pavarësisht të gjithave, Shqipëria dhe shqiptarët janë treguar shumë të mirë me mua.
 
Je shqiptarizuar?
 -Ooo, shumë fare!
 
Më thuaj një ves që ke marrë?
-Tani që po e mendoj, them se jam bërë paranojak. Shqiptarët mendojnë gjithmonë se pas çdo pasoje fshihet një skenar. Ma bëri ky, ma bëri ai?! Më herët kam qenë naiv, por tani jam shqiptar.
 
Po nënshtetësinë e ke marrë si përfundim?
-Jo, nuk e kam marrë. Bisedova dikur me një nga presidentët dhe ai më tha se mund të aplikoja. Por kishte shumë letra, një odise e gjatë. Unë i urrej aplikimet e komplikuara dhe e lashë në gjysëm. Ishte shumë e vështirë për t’u bërë shqiptar me letra.
 
Po praktikisht…?
Kollaj fare!
 
P.S. Më ndodh shpesh që kur botoj personazhe që kolegët e mi i njohin nga afër, secili reagon në bazë të përvojës me ta. Që tani e di sesi do ndahen shkruesit dhe telefonuesit. Edhe Carlo vetë e di që nuk është perfekt dhe falë Zotit, nuk është i tillë. Në gazetari dhe në luftë, qëllimi ndonjëherë i justifikon mjetet.
 
Publikuar në gazetën Mapo
 
Redaksia online

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Jubileu 2025, Papa Françesku hap derën e shenjtë në burg

Jubileu 2025, Papa Françesku hap derën e shenjtë në burg