Sa është pasuria e Monika Kryemadhit dhe familjes së saj? Çështja u ngrit mbrëmë  gjatë emisionit "Open" të drejtuar nga Eni Vasili në Top Channel. Kryetarja e LSI (njëkohësisht bashkëshorte e Presidentit të Republikës Ilir Meta), që në nisje të emisionit kushtuar post tërmetit sulmoi tre nga katër gazetarët e pranishëm në studio: e nisi me Eni Vasilin, pastaj me Carlo Bollinon, pastaj me Alban Dudushin dhe në fund me Besar Kadinë, duke kursyer nga kritikat mbi sjelljen e mediave vetëm Neritan Sejaminin, i cili kishte meritën të mos e kritikonte.

Pas një sërë sulmesh personale drejtuar gazetarëve, nisi një përballje direkte mes Carlo Bollinos dhe Monika Kryemadhit. Bollino u shpreh i habitur se si Monika Kryemadhi, e konsideruar si një nga politikanet më të pasura në vend të kishte kurajo t'u jepte leksione morali dhe etike të gjithëve, edhe mediave  që nuk kanë asnjë përgjegjësi për menaxhimin e emergjencës së tërmetit. "Eshtë e vërtetë që jam e pasur, - u përgjigj Monika, - por ti Carlo je më i pasur se unë". Dhe këtu Monika shpiku pa asnjë problem se Bollino fitonte 10 milionë euro në vit nga biletat e Bunk-Art. "Nëse unë do të kisha gjithë ato para - u shpreh Bollino  - do të ndërtoja edhe unë si ju një vilë me 20 banjo dhe do të dërgoja edhe unë fëmijët e mi të studionin në Angli".

"Në të vërtetë unë kam ndërtuar vetëm dy muzeume - shtoi Bollino - dhe jo vila e pallate si zonja Kryemadhi. Lajmi i mirë që vjen është se që nga sot qeveria zvicerane ka vendosur të bëjë transparente llogaritë bankare të qytetarëve shqiptarë që kanë depozituar paratë e tyre në Zvicër, dhe kështu, më në fund, do të mund të zbulohen pasuritë e shumë politikanëve. Ndërsa sa i takon kategorisë sime, prej vitesh kërkoj që të hetohet origjina e pasurive me të cilat janë ndërtuar mediat në Shqipëri, përfshi edhe pasuritë e politikanëve natyrisht"

Në debat ndërhyri dhe Alban Dudushi, i akuzuar nga Monika Kryemadhi se merr 50.000 lekë në vit si anëtar i bordit të një agjencie shtetërore për shoqërinë civile: "Për aq sa fitojmë ne gazetarët duhet t'i përgjigjemi vetëm zyrës së taksave,  - tha Dudushi, - ndërsa për atë që fitoni ju politikanët, duhet të bëni transparencë edhe përballë opinionit publik".

Sa i takon vilës së saj luksoze në Gjirin e Lalzit, Monika Kryemadhi deklaroi se e ka ndërtuar me "këmbim malli" (clering) dhe Bollino i kërkoi të mësonte se pse, meqë në këtë periudhë është e pabanuar, nuk e vë në dispozicion të familjeve të mbetura pa shtëpi nga tërmeti. "E kam vënë. E kam vënë", u përgjigj Kryemadhi. Por nga një verifikim i bërë sot në terren, vila e Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit në Gjirin e Lalëzit rezulton e mbyllur.