Në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Itali, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta zhvilloi një takim me Presidentin e Komisionit të Politikës së Jashtme dhe Migracionit në Senatin Italian, Pier Ferdinando Casini.

Meta vlerësoi rolin e Casini si një mik i vjetër i Shqipërisë dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe vëmendjen e veçantë të Italisë ndaj zhvillimeve në Shqipëri e në rajonin e Ballkanit.

Italia, theksoi Meta është fqinji me i rëndësishëm i BE-së për Shqipërinë dhe Ballkanin dhe roli i saj në proceset tona demokratizuese dhe integruese ka qenë dhe mbetet i pazëvendësueshëm.

Meta vlerësoi rëndësinë strategjike që kanë investimet italiane për Shqipërinë dhe se vendi ynë mirëpret rritjen e këtyre shkëmbimeve dhe pjesëmarrjen më aktive të Italisë në sektorë strategjikë të ekonomisë shqiptare.

Pas takimit, Pier Fernando Casini tha në një prononcim se Shqipëri dhe Italia duhet të ecin së bashku në Europë e në NATO, duke punuar për stabilitetin e Mesdheut dhe implementimin e marrëdhënieve në rrafshin social-ekonomik.

“Shqipëria është një vend i besueshëm për Europën dhe ne e shohim këtë ndryshim të madh me kënaqësi dhe krenari. Mendojmë se kemi dhënë një ndihmesë dhe do të vijojmë ta japim edhe në të ardhmen”, theksoi Casini.

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)