Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako,  ka zhvilluar  një takim me ambasadorin e Japonisë në vendin tonë,  Makato Ito, me qëllim diskutimin e çështjeve me interes të përbashkët policor si dhe vendosjen e bashkëpunimit mes dy policive.

“Për shkak të largësisë dhe të pozicioneve gjeografike bashkëpunimi ynë midis sektorëve të sigurisë ka qenë më i paktë.

Policia e Shtetit është e vendosur për të kryer misionin e saj në luftën kundër krimit të organizuar, radikalizmit, por edhe trafiqeve të ndryshme ndërkombëtare, duke realizuar prioritetet tona për anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe për të rritur bashkëpunimin me vendet e tjera.

Në këtë kuadër jemi shumë të interesuar që të përforcojmë bashkëpunimin dhe kontaktet edhe me Policinë e Japonisë. Kjo mund të arrihet nëpërmjet vlerësimit tuaj, të vendosim kontakte të drejtpërdrejta, për të shkëmbyer eksperiencat tona, informacione për sigurinë e përbashkët të vendeve tona pse jo dhe në nivel global”,
është shprehur Çako.

Gjithashtu edhe ambasadori i Japonisë Makato ITO, ka falënderuar  për gadishmërin dhe predispozicionin për të vendosur bashkëpunim mes policive të dy vendeve.

Në përfundim të takimit, ambasadori japonez ka ftuar kreun e Policisë së Shtetit, Haki Çako në një vizitë në Japoni, e cila do të shërbejë për të vendosur kontaktet e bashkëpunimin me Policinë japoneze.

Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com