Përgjigja elegante dhe e kujdesshme e zëdhënësit të MPJ greke. Z. Delavekuras, ndaj një pyetjeje jo edhe aq spontane në konferencën e shtypit të 9 marsit 2012 në Athinë ngërthen disa problem të rëndësishme.
Së pari, konferenca e shtypit u zhvillua në një klimë pak më të qetë në krahasim me ditët e shkuara si rrjedhojë e miratimit të paketës së pashembullt 􀂿 - nanciare, ku Greqisë iu falën 138 miliard euro nga borxhi kolosal prej 487 miliard eurosh, çka u quajt “sukses historik” prej kryeministrit Papadhimo. Ky koncesion rrit mundësitë e kapërcimit të krizës që ka pllakosur vendin fqinj, gjë që edhe shqiptatët, dhe natyrisht edhe çamët, e dëshirojnë.
Së dyti, konferenca e shtypit e 9 marsit 2012 përkon me një ndër ngjarjet më tragjike në historinë e Greqisë moderne të ndodhur pikërisht 67 vjet më parë. Fjala është për valën e dytë të terrorit, masakrave dhe krimeve çnjerëzore të bandave zerviste ndaj popullsisë së pafajshme të Çamërisë Veriore. Dihet se pas masakrave të qershorit e shtatorit 1944 në Paramithi, Pargë, Margëlliç, Filat e gjetkë, mijëra pleq e plaka, burra e gra, të rinj e fëmijë, u ngulën përkohësisht matanë kufirit, në Çamërinë shqiptare, më saktë në rajonin midis Sarandës dhe Konispolit, me shpresë që të ktheheshin në shtëpitë e tyre me t’u qetësuar gjakrat. Pikërisht atje, në shtator 1944 u mbajt Kuvendi i Parë Çam i Shalësit të Sarandës, ku u morën vendime të rëndësishme për ruajtjen e jetëve njerëzore dhe riatdhesimin.
Gjashtë muajve të terrorit të Zervës në Çamëri, të ndihmuar tërthorazi nga gjermanët në ikje dhe anglezët në ardhje, iu erdhi papritur fundi në dhjetor 1944, kur trupat e EAM-it i shpartalluan brenda disa ditëve pseudo “divizionet” dhe “regjimentet” e Zervës. Madje ky i fundit mezi arriti të shpëtojë kokën tek i hypi një anijeje angleze në Prevezë pikërisht ditën e fundit të vitit 1944. Ndërkohë, rreth dymijë banditë zervistë u çarmatosën dhe u strehuan përkohësisht në Korfuz.
Çlirimi i Çamërisë solli shpresa të mëdha për çamët e pafajshëm të shndërruar në refugjatë lufte në Çamërinë shqiptare. Sipas historianit të shquar amerikan, Mark Mazower, EAM-i bëri diferencim midis bashkëpunëtorëve të gjermanëve dhe popullsisë së thjeshtë dhe të pafajshme çame, dhe u bëri thirrje çamëve të ktheheshin në shtëpitë e tyre.
Si rrjedhim, mijëra syresh, që u kishin mbijetuar vuajtjeve të dimrit të ashpër, skamjes, urisë dhe sëmundjeve në Shqipëri - çka dëshmohet edhe sot në varrezat e Kllogjerit - u kthyen në janar 1945 në shtëpitë e tyre të djegura, të plaçkitura e të braktisura në Çamëri dhe filluan të ndërtojnë jetën nga e para.
Mirëpo qetësia e përkohëshme u prish në prag të pranverës 1945. Pas marrëveshjes së Varkizës të 12 shkurtit 1945, banditët e çmobilizuar të Zervës në Korfuz u inkuadruan në Gardën e sapoformuar Kombëtare dhe zbarkuan në Sajadhë ditët e para të marsit 1945. Pa humbur kohë kriminelët e EDES-it tashmë nën uniformat e Gardës Kombëtare, filluan sërish masakrat ndaj popullit të pafajshëm. Përveç plaçkitjeve, vrasjeve e përdhunimeve në Filat e rrethe, kulmi ishte masakra e Përroit të Vanarit, ku kollona e civilëve të paarmatosur e të pambrojtur çamë u kosit nga mitrolozat e ushtarëve të “Gardës Kombëtare” të qeverisë së Greqisë të çliruar, të kryesuar nga Kryepeshkopi Damaskinos si regjent, dhe gjenerali Plastiras si kryeministër.
Ndërkohë që këto krime të llahtarshme ndaj njerëzimit janë lënë në harresë në të dyja anët e kufirit, një gazetar grek pas 67 vjetësh ngre pyetje për “pjesëmarrjen e dy përfaqësuesve të partisë çame në qeverinë shqiptare”. [Nënvizimi imi, A.A.].
Mirëpo në përgjigjen e vet të kujdesshme Zori Delavekura iu shmang termit “parti çame” dhe përdori termin “PDIU”. Kjo zgjedhje termash natyrisht mund të interpretohet në mënyra të ndryshme. Ajo çka nuk mund të injorohet është se zoti Delavekura duket sikur bën diferencim midis komunitetit të gjerë çam dhe PDIU-së. Me të vërtetë, pak më tej, zoti Delavekura nuk ia mvesh mbarë komuniteti çam, por vetëm PDIUsë kritikën se kjo e fundit “ka shprehur qëndrime që dëmtojnë perspektivën për fuqizimin dhe përmirësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona dypalëshe”. Në njëfarë mënyre, të krijohet përshtypja se qeveria greke nuk është edhe aq e shqetësuar për pjesëmarrjen e çamëve në administratën e Republikës së Shqipërisë, se sa ndaj “qëndrimeve” të veçanta të PDIU-së.
Dhe në fakt, nuk ka se si të jetë ndryshe, pasi çamët kanë marrë pjesë në administratën shqiptare para viteve 1991, dhe sidomos pas ndryshimeve demokratike në vend dhe pas themelimit të Shoqatës “Çamëria”.
Si ilustrim përmendim disa personalitete çame në administratën Berisha të viteve 1992- 1996, si diplomatin e talentuar Petrit Kasemi, juristen Betula Bollati, që mban emrin e gjyshes së vet të masakruar në Paramithinë martire, ish zv. Ministrin Iljaz Mehmeti, apo deputetin Leonard Demi.
Nuk mund të mohohet se dalja në skenë në vitin 2005 e PDI-së dhe mandej e PDIU-së, pavarësisht shtysës dhe interesit fillestar që krijuan për çështjen çame, krijoi një ndjesi të panevojshme monopolizimi dhe la në hije shoqatën mbarëçame “Çamëria”, e cila ishte ndër lulet më të para të pranverës së demokracisë e pluralizmit shqiptar. Kujtojmë se Shoqata Çamëria, e kryesuar nga Abaz Dojaka dhe personalitete të tjera, ishte organizatë me bazë demokratike dhe gjithëpërfshirëse që kishte pikësynim kryesor ndërgjegjësimin për zgjidhjen e çështjes çame në kuadrin e të drejtave të njeriut, në respekt të së drejtës ndërkombëtare dhe të ligjeve të BE-së e Greqisë. Në veprimtarinë e saj ajo iu përmbajt amanetit të të parëve dhe vendimeve të Kuvendeve historike çame të Shalësit në shtator 1944 dhe të Vlorës në shtator 1945.
Mirëpo instrumentet politike-partiake të lindura këto vitet e fundit, siç është PDIU, nëse nuk i përmbahen me rreptësi një programi të qartë, të kujdesshëm e të moderuar politik, e sidomos të kufizuar në hapësirë dhe kohë, janë të destinuara të dështojnë. Çështja çame është çështje e të drejtave të njeriut. Prandaj edh objektivi i çdo organizmi të vërtetë e të mirëfilltë çam mbetet një dhe vetëm një: përmbushja e amanetit të të parëve për të drejta njerëzore dhe riatdhesim. Kaq.
Dalja jashtë këtyre dy shtyllave kardinale të përcaktuara nga Kuvendet historike çame, bërja pjesë e lojës politike urbane tiranase, mungesa e neutralitetit të rreptë në raportet ndërpartiake, marrja me probleme të tjera kinse “madhore” e “kombëtare”, nuk e ndihmon por, përkundrazi, e dëmton çështjen e të drejtave të njeriut të komunitetit çam. Të mos harrojmë se kreu i tanishëm i PDIU-së u zgjodh në Kuvendin e Shqipërisë në vitin 2009 me votat e elektoratit të majtë. Devijimi i vullnetit të elektoratit shqiptar dhe largimi papritur nga PS-ja tek një parti tjetër në thelb nuk e ndihmon çështjen çame, pavarësisht se në dukje ta jep këtë përshtypje. Komuniteti çam nuk ka nevojë për dhurata e retorikë boshe apo për platforma apo objektiva politike që u takojnë partive të tjera në vend.
Komuniteti çam ka platformën e vet të përcaktuar nga Kuvendet çame që, e përsërisim, synon vetëm të drejtat e njeriut, riatdhesimin dhe bashkëjetesën në paqe e harmoni me popullin grek. Ndofta ka ardhur koha të mblidhet një tjetër Kuvend Mbarëçam, ku brezi i të mbijetuarve, i cili ende injorohet në Shqipëri dhe fyhet në kufi, bashkë me bijtë, bijat, nipat dhe mbesat e tyre, të përcaktojnë qëndrimet e reja në kuadrin e ndryshimeve themelore në marrëdhëniet shqiptaro-greke të përcjella pas hyrjes së Shqipërisë në NATO, farkëtimit të marrëdhënieve të mira midis të dyja vendeve edhe në kontekstin ushtarak, dhe rrethanave të reja demokratike në Greqi.
Pjestarët e komunitetit çam nuk kanë nevojë as për lëmoshë dhe as për akrobacira politike, por për punë konkrete dhe të frytshme, sidomos në rrafshin juridik. Dhe e vetmja ndihmë konkrete që mund të japë kryetari i tanishëm nuk janë pazaret për poste në administratë, por është ngritja me pjekuri e me takt e çështjes së të drejtave të njeriut të komunitetit çam në Komisionin e Çështjeve Juridike dhe të Drejtave të Njeriut në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku ai vetë është anëtar. Sepse, për t’u kthyer tek zoti Delavekura, çamët - që de facto janë shtetas të Greqisë e qytetarë të BE-së - para se të mëtojnë poste në qeverinë shqiptare duhet që, nëpërmjet procesit të vonuar të riatdhesimit, ta bënin këtë gjë në administratën e vendit të të tyre të prejardhjes, Greqisë.

(shqiptarja.com)