Çezarina Çiftja: E kam
dashur skenën. Më vjen keq…

Çezarina Çiftja: E kam<br />dashur skenën. Më vjen keq…
Kjo grua e ditëlindjes 1927, lindur në Shkodër (tashmë, ka disa vite që ka ndërruar jetë), në bisedë me të (aso kohe unë isha gazetar në radio Shkodra), në mes të tjerave më përmend një pasazh të Cvajgut:

“Gjatë gjithë jetës sime kam skicuar portrete njerëzore, kam ngritur figura që nga thellësia e shekujve, për t’i bërë të prekshëm për njerëzit bashkëkohës…”

Ajo kujton: “Babanë e kam pasur nëpunës. Profesioni e donte që të bridhte nëpër qytete. Dhe ne, rendnim pas gjurmëve të babait. Kështu klasën e parë dhe të dytë fillore (vitet 1934 – 1935) i kam bërë në Tiranë; klasën e tretë dhe të katërt (vitet 1936 – 1937) i kam bërë në Selenicë të Vlorës.”

Në vitin 1938 familja e Çezarinës erdhi dhe u vendos në Shkodër. Mori semimaturën në Shkollën e Murgeshave Stigmatine. Kur u mbyll  kjo shkollë, vazhdoi gjimnazin e shtetit.

Ajo përsëri kujton: “Nënën e kam pasur mësuese në Shkollën e Murgeshave Stigmatine. Ka qenë ndër të parat. Shpesh, në mbrëmjet tona familjare, përgatiste me dashuri nëne skeçe të vogla, ku interpretoja unë. P. sh.: “Emri i babës”, “Qenë shtatë u bënë katërmbëdhjetë”, etj. Pra, nëna ishte ajo, e para, që më bëri të ëndërroj për skenën, të trokas në dyert e teatrit, t’i dashuroj rolet… Pra, nëna ime, e shtrenjta, ishte “regjisorja” e parë…

 Kujtimi i parë…

 “Isha shumë e vogël kur luajta në pjesën “Shpella e Betlemit”. Kam qenë një nga engjëjt që pret engjëjt e tjerë për të uruar lindjen e Krishtit. Vite më vonë interpretova në “Maria Antoneta”. Kisha rolin e guvernantes së fëmijëve… Nuk e di pse këto fëmijë më dukeshin si engjëj!.. Ndoshta flisnin për një moment të paharruar të fëmijërisë sime! Ah, fëmijëria ime, e mbushur me plot mall dhe kujtime!”

Kujtimi i dytë…

“Në dramën “Shoqet e jetës” të Vinçens Prendushit kam pasur regjisore Ester Dajçin apo Serestra. E thërrisnin edhe “Profesoreshë…”. Ajo ka qenë shoqe e ngushtë me nënën time, shoqëri që u formua që në bankat e shkollës. E, “Profesoresha…” gjithmonë më shikonte me dashuri!.. Po me dashuri përmendte edhe: Margarita dhe Antoneta Cepin, Vitore Pistullin, Anjeza Nënshatin, Zina Shirokën, Pina Markun, Urania Mozalin, Viktore Shkrelin. Mbaj mend që ka qenë data 13.06.1936.

Emër të mirë mora në dramën “Maria Antoneta”. Emri im, tashmë, kapërceu muret e shkollës… Ishte vitin 1944.”

Kujtimi i tretë…

 “Më ka mbetur në mendje edhe drama “Dje dhe sot”. Interpretonte Gac Çuni. Jo vetëm lunate bukur, por edhe ishte një këngëtar i mirë. Në këtë dramë kishte një këngë të bukur, mbështetur mbi motive të këngëve popullore shkodrane. Na mahniti dhe na befasoi me zërin e tij të ambël. Një ditë nuk u pa më në skenë. E dhe rrugëve të qytetit tim nuk u pa më. Morëm vesh se e kishin arrestuar. Di, që vdiq pa i mbushun 30 pranverat në burgun e Burrelit dhe, mësuesi i tij poeti i shquar Arshi Pipa i kish thurur një vjershë të bukur. Edhe sot i mbaj mend disa vargje, si këto: “Se ktij qielli i fali ç’ka s’i dha secilit: / frymën e muzikës, zanin e bilbilit”.

     Gaci i binte dhe kitarës. “Kanga e kaçurrelit” që kishte kompozuar, nuk kishte mbetur shkodranë pa e mësuar”.

Kujtimi i katërt…

 “Është një kujtim për Artistin e Popullit Pjetër Gjoka. Interpretonim në melodramën “Juda Makabe” të poetit Gjergj Fishta. Roli ishte zbërthyer në mënyrë të tillë sa që shpërthimi i forcës së tij shpirtërore emocionoi spektatorin. U shqua, veçanërisht në momentin kur erdhi lajmi për vdekjen e Judës Makabe. Midis skenës aktori Pjetër Gjoka nxjerr në pah vizionin e tij prej talenti, ngjyrimin aq emocionues në vargjet: “O perëndi, a ndjeve / tradhëtarët na lanë pa atdhe / e ti rri e gjuan me rrfe lisat për malet kot”.
    
Luajta në pjesët: “Portreti”, tek “Përmbysja” (autori: B. Lavranjev, regjisori: Andrea Skanjeri, shfaqur më 26.05.1950) kisha rolin e Sofisë, të shoqes së kapitenit. Isha 17 vjeçe dhe u bëra ‘72’. Gjithashtu, si harroj: Pamelën tek “Ishulli i paqes”, Sinties te “Zani i Amerikës” (autori: B. Lavranjev, regjisorë: A. Malo, A. Skanjeti, shfaqur më 29.04.1951), nënën e Nurijes te “Kunora e Nurijes”, Mirandolinën te “Zonja e Bujtinës”, etj.; pa nxjerrë jashtë “inventarit” dramat: “Dashuri në agim” (1952), “Birim im jeton”, “Borëbardha” (1954), etj.

Intermexo

Po ndalemi tek drama “Makar Dubrava” (autori: A. Kornejçuk, regjisori: A. Skanjeti, shfaqur më 23.12.1950). Po rrëfejmë pakëz nga historia e saj… “Sot me datën 23.12.1950, ju paraqit publikut të Shkodrës, me premjeren e dytë “Makar Dubrava”. Pjesë më 3 akte, 4 tabllo nga A. Kornejçuk; vënë në skenë nga regjisori Andrea Skanjeti. Skenografi: Pjetër Deda, rrobaqepës: Ejëll Gjushi, marangoz: Lec Prendi, sufler: Palok Kurti. Interpretuen 6 aktorët profesionista që kjenë: Paulin Lacaj, Adem Kastrati, Ndoc Deda, Viktore Ujka, Çezarina Çiftja dhe Antonjeta Fishta. Kurse Tef Krroqi dhe Ndrekë Prela u larguenë nga Teatri sepse u morën ushtarë. Por në këtë dramë luajtën aktorët gjysëm profesionista, dhe aktorët me recital. Rrolet kryesore u interpretuenë nga aktorët profesionista që u përmendën ma sipër, dhe patën shumë sukses, sidomos: Paulin Lacaj, Zef Jubani, Antonjeta Fishta, e tjerë.

Drama pat sukses, dhe u përsërit disa herësh siç shënohet në këtë fletore.”

Shkodër, 23.12.1950

*Premjera për popull, Shkodër, 23.12.1950, 300 spektatorë; *Premjera për popull, Shkodër, 24.12.1950, 300 spektatorë; *Premjera për popull, Shkodër, 30.12.1950, 300 spektatorë; * *Premjera për popull, Shkodër, 07.01.1951, 300 spektatorë; *Premjera për popull, Shkodër, 23.01.1952, 300 spektatorë; *Premjera për popull, Shkodër, 24.01.1952, 300 spektatorë; *  *Premjera për popull, Shkodër, 27.02.1952, 300 spektatorë; *Premjera për popull, Shkodër, 28.02.1952, 300 spektatorë. (Gjithsejt spektatorë: 2400.) –Mbajtësi i arkivës dhe i pajisun i sajë me dokumenta aktori Paulin Lacaj; Shkodër, me 28.02.1952.-  Vërtetohet Drejtori Jovan Vujoshi, Shkodër me 30.08.1972.  
    
Kujtimi i katërt, një kujtim i trishtë…

“E kam dashur shumë skenën, rolet..! Ka qenë shumë e dhimbshme për mua, kur në vitin 1956, u thashë trishtueshëm: “Lamtumirë!..” – dhe aktores së parë profesioniste të teatrit “Migjeni” Çezarina Çiftja i shpëtoi një lot mbi faqen e mplakur… Duke e parë at’ çast, mua m’u duk si një rol i ri, si një fjalë e pathënë që u shtohej galerisë së personazheve…
    
Shkodër, shkurt 2017

Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit