Nexhmije Pagarusha, këngëtare: "Nuk kam parë shkëlqim më të bukur që del nga shpirti i njeriut se tek Vaçe Zela."
Osman Mula, regjisor: ”Vaçe Zela ishte një këngëtare e madhe me zemër të madhe. Krijoi një botë të sajën. Ajo qëndroi me të dyja këmbët në tapetin e këngës shqiptare, si këngëtarja e krahasuar me një simfoni pambarim të së ardhmes. Vaçe Zela ishte një këngëtare potente, në vokalin e së cilës morën jetë shumë zhanre këngësh. Dhe në secilin syresh ajo dha maksimumin.”
Prof. Tish Daija, kompozitor: "Vaçe Zela ishte tepër skrupuloze. Përzgjedhjen e këngës e ngriti në kult, përtej të zakonshmes, në mënyrë që t'i jepte mundësi zërit dhe vetes për interpretime të shkëlqyera. Kur ndonjë këngë s'i përshtatej sadopak natyrës së zërit të saj, ajo e braktiste. Zërin, këngën si karakter ajo i shihte të lidhura ngushtë mes tyre. Vaçe Zela ka pasur një vokal të shkëlqyer. Ngjyrimet e zërit i ka përftuar në maksimum. I ka përdorur me inteligjencë të gjitha veçoritë e zërit, duke i vënë në veprim kur dhe si duhet, me vibrime të shkëlqyera : në portament, glisando, melizmat, kantilenën dhe lëvizje kolorature. Me këngët që këndoi, popullore dhe të muzikës së lehtë, ajo krijoi stilin e vet, të cilin e imituan të tjerët me kalimin e kohës. Mbeti gjithmonë një këngëtare e veçantë."
Gjokë Beci, poet: "Nëse ka përkthim togfjalëshi "KRENARI KOMBËTARE SHQIPTARE" ai pa dyshim do të ishte VAÇE ZELA."
Avni Mula, kompozitor e këngëtar: “Vaçja kishte një inteligjencë natyrale. Ia ka bërë "hyzmetin" këngës në të gjitha vështrimet. Dhe, gjithmonë ia ka arritur qëllimit. Vaçja ishte edhe njeri i sakrificës. E vendosur në atë që kërkonte të bënte. Madje, ishte kurajoze, trime. Për këto cilësi çdo këngëtar duhet t'ia ketë zili. Në shpirt ishte thellësisht humane, demokrate në mendime. Edhe si njeri ishte e drejtë, e dashur. Me kontributin që i solli këngës shqiptare, Vaçja mbeti një artiste e madhe, një patriote e vërtetë".”
Zijà Saraçi, kantautor: “Vaçja erdhi në skenën Shqiptare si një erëz e lehtë, si një shi pranveror me të gjitha perkusionet e saj natyrore, ajo kaloi si një meteor mbi qiellin tonë, duke lënë pas një tis të hollë emocionesh të paharruara, emocione të cilat i dhanë ndriçimin e munguar shpirtrave. Ajo krijoi shkollën, iku dhe hipi në “Piedestal”, për të mbetur një legjendë e paharruar në kujtesën tonë kolektive...”
Limoz Dizdari, kompozitor: ”Kërkesat e Vaçes në rrafshin muzikor ishin estetikisht të pakontestueshme. Vaçja ishte një këngëtare me zë të veçantë. Kjo veçanti kishte të bënte me gjithë formimin e saj biologjik e intelektual. Shijet e saj të natyrshme, shumë të kultivuara, ishin të domosdoshme për ta bërë këngën estetikisht të arritur. Në rast se realizoheshin këto kërkesa, ti do të ishe i sigurt për suksesin e këngës. Në të kundërt, Vaçja nuk pranonte ta këndonte këngën.”
Nora Çashku, pedagoge e pianos: "Vaçe Zela ka qenë piedestal në skenë. Edhe si njeri, edhe si aktore. Vaçja ishte një zog në skenë. Ndokush mund ta kenë quajtur edhe të panënshtruar ose, në një farë mënyre, "rebele". Falë talentit, ajo i është bindur zërit të brendshëm për të mos u nënshtruar kur ishte për t'i shkuar deri në fund fjalës në poezinë e këngës dhe ngjeshjes së frazës në melodinë e saj. Vaçe Zela ishte njeri i brishtë. Për mua ajo mbetet njeriu që solli emancipimin në skenë për shumë dekada. Fakti që nuk doli një e dytë mes shumë këngëtarëve, tregon që akoma s'është paraqitur në skenën tonë një talent i tillë."
Prof. Zana Shuteriqi, muzikologe: "Nuk bëj pjesë midis atyre që e njohin Vaçe Zelën nga afër, por midis mijëra shqiptarëve të tjerë që u pushtuan prej saj gjatë një periudhe 40-vjeçare. Kjo njohje për së largu është ndër të paktat arsye përse Vaçja tek ne u shndërrua në një mit. Arsyet e tjera janë të shumta, cilësisht të rralla për një brez të tërë që dijshëm apo vetëdijshëm i realizon kërkesat e komunikimit ngjeshur pas trupit të një radioje. Vaçja mendoj se mishëronte në atë kohë përfytyrimin më konkret të asaj çka ne kërkonim si në eter. Këndoi gjithçka dhe kudo la vulën e një personaliteti të papërsëritshëm, që komunikoi me tërë arsenalin e mundshëm të ndjenjave, prej të cilave do të veçoja atë çka përbën thelbin e shpirtit të saj: dhimbjen njerëzore. Vaçja kështu hyri midis shqiptarëve me dhuntinë, me gjeninë e artistëve të mëdhenj, që kanë privilegjin të bëjnë epokë dhe që për këtë arsye janë të pazëvendësueshëm në identitetin e vet."
Prof. Dr. Adriatik Kallulli, kritik letrar, shok klase: "Të njohësh nga afër artistët më të shquar të kombit tënd, është një rastësi që nuk u ndodh të gjithëve. Qenë vite kur vendi mezi e siguronte kafshatën e gojës dhe rrobën e varfër të trupit. Jeta kishte fare pak gëzime dhe një këngëtare e vërtetë në klasën tënde, ishte një pasuri njerëzore e madhe dhe e rrallë, një grimcë gëzimi që të falte shoqja jote, një shoqe fisnike dhe humane që vinte tek kënga shpirtin e saj të madh, një shoqe e veçantë që lëndohej për të gjitha plagët e atdheut dhe të njerëzve dhe intuitivisht e ndjente se melodia dhe tingujt mund të bëheshin një balsam për shpirtrat e shqetësuar. Artistja Vaçe, më së miri dëshmon atë që pat thënë Mikelanxhelo "Ruajeni atë zjarr që ndjeni brenda vetes, se ai jeni vetë ju."
Ferdinand Deda, dirigjent: ”Ishte fat për ne njerëzit e artit, të kishim mes nesh një këngëtare si Vaçe Zela, për vokalin e saj të shkëlqyer në të gjitha komponentët. Kishte një forcë të madhe interpretative, që lidhej me shkallën e lartë të frymëzimit artistik. Përdorte një mjeshtëri të veçantë të kënduari, ku gjenin vend ngjyrime të shumta. Ishte njeri i thjeshtë dhe mjaft i dashur, por edhe e ashpër kur s'i përfilleshin kërkesat. Ishte tejkaluese në realizimin e qëllimit artistik për të çuar tek auditori pikërisht ato emocione që ngërthente kënga. Talenti, inteligjenca muzikore dhe intuita, kur unë drejtoja këngën e saj më krijonin një gjendje të tillë emocionale, sa nuk më vjen zor ta them, se më drithërohej trupi. Me Vaçen ishte kënaqësi të punoje.”
Leka Bungo, regjisor: "Vaçja për mua dhe për të gjithë ka qenë një artiste që ka bërë epokë. Ka qenë e madhe që kur ishte e vogël. Një këngëtare e madhe dhe një aktore e zonja. Interpretimi i saj ka qenë kupola e interpretimit."
Mimoza Ahmeti, shkrimtare: "Personalisht për mua Vaçe Zela është burim zanor ekspresional i natyrës. Kësaj i shtoj edhe interpretimin e dlirë shpirtëror të këngëtares. Edhe pas kaq vitesh, kur dëgjoj Vaçe Zelën, ndiej po atë kënaqësi të veçantë, të palëkundshme, që vetëm ajo dhe zëri i saj të shkakton."
Prof. Dr. Fatmir Hysi: “Ajo mbetet një shenjë e qartë e identiteti dhe kulturës shqiptare të kohës dhe për dekada të tëra do të jetë një pikë e rëndësishme referimi për nivelet e larta të kësaj kulture.”
Luan Zhegu, kantautor: ”Vaçja ishte e lindur si talent. Me punë u bë një këngëtare e veçantë në llojin e vet, një zë brilant. Ajo shpalosi prirjen e saj në një kohë kur mungonin mjetet auditive moderne. Vaçja këndoi gjithmonë "dal vivo". Kjo mënyrë e të kënduarit i jepte vokalit të saj një amplitudë të madhe. Ishte e vendosur në përzgjedhjen e këngëve, në kërkesat artistike. Madje e sertë dhe në konflikt me "drejtuesit" sa herë që ata nuk e kuptonin. Kishte nuhatje të dukshme për skenën, si vend i shenjtë. Vetveten, shikuesit i kishte mbi të gjitha. Kjo bëri që vokali i Vaçe Zelës të lartësohej në përmasat që kërkoi.”
Shqipe Zani, pedagoge e kantos: “Zëri i saj, brenda një shtrirje prej një oktavë e gjysmë, arrinte të shprehte një larushi të pafund jonesh e frazash me të cilat ajo mbështillte, si me një tis të hollë fluid vokali, ide, mendime të pafund, kaq të prekshme për dëgjuesin. Vaçja punonte si qëndistari me fjalën, frazën, përputhjen mes tyre. Mund të them pa mëdyshje që Vaçja kishte një interpretim brilant.”
Pavlina Nikaj, këngëtare: “Vaçja kishte një vokal të përsosur, për rrjedhojë edhe një interpretim të veçantë, perfekt, të cilin e vishte me një botë të madhe emocionale. Në agjendën e saj kishte një repertor të pasur, madje të larmishëm, që mund t'ia kishte zili çdo këngëtar: këngë popullore, këngë të muzikës së lehtë; ka kënduar baladën, romancën, në fillimet saj edhe këngën e huaj. Dhe, në të gjitha këto është treguar një mjeshtre e vërtetë. Si njeri, Vaçja ishte e dashur, vlerësuese përkundrejt simotrave të saj këngëtare, të cilat i respektonte. Si këngëtare ajo arriti një kulm. Për të gjitha këto cilësi, unë, si këngëtare e kam adhuruar Vaçen.”
Visar Zhiti, poet: ”Lushnja ishte qyteti i të ardhurve, i të përndjekurve dhe i të internuarve. Po të parafrazonim Pol Elyarin, Lushnja u bë kryeqytet i dhimbjes. Në këtë mjedis të dhimbjes rritet edhe Vaçja. Ajo me zërin e saj sikur u dha zë... të pazëve ! Ishte mahnitëse. U bë Afërdita e këngës moderne shqiptare duke mos iu ndarë kurrë rrufetë e frikshme zeusiane. Zëri i saj mund të quhet pjesë e lirisë së munguar.”
Prof. Dr. Aleksandër Peçi, kompozitor: "E dashur Vaçe, u çmallëm shumë duke ju parë, duke ju dëgjuar, duke kënduar e duke folur në atë mënyrën tuaj mjaft të ëmbël dhe emocionuese që ju ka karakterizuar gjithmonë. Ju thatë se ju mban gjallë dashuria jonë, ne themi se na jep jetë zëri juaj magjik, i papërsëritshëm, gjithçka që ju i dhatë këtij vendi e këtij populli."
Ardit Gjebrea, kantautor: "Filloi kënga dhe unë u gozhdova i shtangur në kolltukun e platesë së Operas, duke ndjekur madhështinë e interpretimit të artistes sonë të madhe. Në një moment kulminant të këngës ndjeva që trupin ma përshkuan mornica dhe ishte hera e parë, që më ndodhte një gjë e tillë. Isha i magjepsur dhe në fund të këngës duartrokisja me gjithë fuqitë e mia dhe trupi vazhdonte të drithërohej nga emocionet që më kishte ngjallur zëri dhe çdo lëvizje e saj. Nuk mund ta harroj kurrë atë emocion dhe mbaj mend edhe vendin ku isha ulur atë natë, ku provova një emocion si të isha në dashurinë time të parë."
Rikard Ljarja, aktor e regjisor: "Vaçe Zelën e kam njohur në vitin 1961. Kemi qenë bashkëstudentë në shkollën për aktorë. Kemi qenë në një klasë. Vaçja ka qenë një tip i jashtëzakonshëm sepse ishte e formuar si artiste në atë moment që erdhi në kursin tonë. Kanë kaluar vite, vite vite... Ajo nuk arriti të bëhej aktore sepse Zoti a natyra, i kishte dhënë një dhunti të jashtëzakonshme, një zë vërtet të jashtëzakonshëm. Po nuk është thjesht çështja e zërit. Vaçja kishte potencën fizike, mençurinë edhe zërin, dhe këto të gjitha i përdori në mënyrë të shkëlqyer dhe arriti të bëhej një figurë mbarëkombëtare e këngës. Ajo nuk ishte thjesht një këngëtare, vërtet nuk ishte thjesht këngëtare! Asaj i këndonte shpirti, i këndonte syri, floku, lëkura, gjestikulacioni. Ajo ishte gjithçka. Këto fenomene të natyrës lindin shumë rrallë. I qëlloi epoka e saj. Epoka e saj ka lënë gjurmë kaq të thella në kujtesën e gjithë shqiptarëve, të gjithë brezave, edhe të atyre që do vijnë më vonë. Unë do ta quaja fenomeni Vaçe Zela. Për shqiptarët kudo që janë ajo ishte "the voice".
Mirush Kabashi, aktor: "Gjithmonë më tingëllon zëri i saj me një këngë të huaj që titullohej “Esperanca”. Pikërisht, kjo shpresë që Vaçja nuk e sillte nëpërmes përmbajtjes së këngës, por nëpërmjet interpretimit të këngës, nëpërmjet asaj të veçante të këngës së saj, ishte ajo që e bënte atë fenomen, që e bënte aq të kërkuar, që do ta bëjë atë gjithmonë si një ndër yjet më të mëdha të artit tonë, sepse Vaçja gjatë gjithë karrierës së saj artistike ngjalli te njerëzit vetëm ndjenjën e shpresës, po ndjenjën e shpresës në një sistem diktatorial. Ky është një atribut që vetëm një artiste e madhe e përmasave të Vaçe Zelës mund ta ngjallte."