Që prej disa javësh po artikulohet nga përfaqësuesit e mazhorancës qeverisëse mundësia për ndërhyrje në legjislacionin penal. Në fillim është folur për t’u parashikuar ndëshkueshmëria e veprave pemale të korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës edhe nëpërmjet sekuestrimit të pasurive të fituara në rrugë kriminale. Më pas, kur aksidentet automobilistike me pasojë vdekjet dhe plagosjet e shumë qytetarëve vazhduen të mbeten një makth për gjithë shoqërinë sonë, nuk mungoi së shprehuri edhe nisma për sanksionim të dënimit me burg të drejtuesve të mjeteve motorike që kapen nga organet e policisë së shtetit, duke i ngarë ato në gjendje të dehur apo pa patentë etj.

     Parashikimet legjislative të dënimeve të tilla, në kushtet kur ekziston vullneti politik për t’i lënë vend sundimit të ligjit, si një parakusht i ekzistencës së shtetit të së drejtës, sigurisht që janë masa të domosdoshme dhe efikase për uljen e kriminalitetit. Por, ndërkohë, ato mbartin edhe dukuri të dëmshme në vazhdën e plot ndryshimeve në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë.

Në të vërtetë, këto ndërhyrje filluan të bëhen vetëm një vit pas miratimit të Kodit, më 1 qershor 1995, nëpëpmjet ligjit nr. 8175, datë 23.11.1996 (që atëhere u trumbetua si një reformë e rëndësishme në kuadër të luftës kundër kriminalitetit). Duhet të përmendim edhe faktin që vetëm gjatë vitit 2003, Kodi Penal është prekur tri herë; deri në vitin 2004, Kodit Penal i janë shtuar 79 nene dhe janë ndryshuar 86 të tjera; me ndryshimet e bëra pas 2004 – ës deri para dy vitesh u ndërhy në rreth 55 për qind të të gjitha dispozitave etj.

Pa vazhduar me ndërhyrjet e shumta, të dendura dhe pa ndërprerje, mund të thuhet se ndryshimet nuk kanë qenë të paramenduara dhe të studiuara si duhet. Më së shpeshti ato janë imponuar nga problemet e kohës, duke kërkuar zgjidhje urgjente. Por, sidoqoftë, çka është bërë tani, nuk mund të mos cilësohet me plot gojën, se Kodit i ka humbur identiteti fillestar. Pra, së bashku me këto amendimeve, Kodit Penal - edhe sipas mendimit të disa prej ekspertëve të njohur të kësaj fushe – duket që i është “shtrembëruar” boshti dhe kapërcyer struktura origjinale e tij.

     Ajo që e shpërfytyron së tepërmi “figurën” e këtij Kodi është teknika legjislative e përdorur, e cila shpesh herë ka qenë jo e njëjtë dhe as në harmoni me atë që është ushtruar më parë. Në të vërtetë, teknika legjislative vlerësohet në përgjithi si çështje jo thjesht formale dhe as si pretendim luksoz në këtë fushë. Ajo është e lidhur me kulturën e të shkruarit dhe të hartimit të aktit juridik, me mënyrën se si duhet kuptuar dhe interpretuar akti nga çdo lexues, por edhe nga çdo zbatues i tij. Në rastin e Kodit Penal, kjo është shumë e rëndësishme për t’u vënë në dukje, edhe nga fakti që në ‘të nuk gjendet ndonjë harmonizim i mirë për institute të ndryshme.  

Por, sidomos, gabimet serioze kanë qenë të lidhura me politikën penale, që kanë aplikuar dhe aplikojnë gjykatat. Për shembull, për disa krime të rënda, me ndryshimet e bëra gjatë viteve 2003 e 2004 u parashikua dënimi me burgim të përjetshëm dhe me gjobë, por pa parashikuar dënimin tjetër alternativ. Ndërsa, për disa krime shumë të rënda, si: atentati, aktet terroriste dhe financimi i terrorizmit u parashikua dënimi jo më pak se sa 15 vjet burgim dhe, burgimi i përjetshëm, veçse si alternativ. Gjithashtu, nga moskuptimi i elementëve të veprës penale, ka ndodhur një anomali e madhe, që ka të bëjë me faktin se dënimi me burgim të përjetshëm është parashikuar edhe për disa krime, pasojat e të cilëve vijnë nga pakujdesia.

     Duke e shqyrtuar këtë tablo, qoftë edhe tangencialisht, mund të përmenden ndonjë shkak, midis disa të tillëve, që kanë ndikuar për ndryshimet e dendura, gjatë plotësimit të disa detyrimeve të mara përsipër për t’u plotësuar, veçanërisht në kuadër të përcaktimit nën influencën e faktorit ndërkombëtar të ca prioriteteve. Në këtë kuadër, shpejtësia apo nxitimi për t’u prezantuar sa më aktivë në sy të ndërkombëtarëve është edhe shpërndarja e dispozitave, që parashikojnë vepra penale, nëpër ligje të ndryshme të zakonshme. Pra, duke aplikuar në jo pak raste një praktikë specifike, e cila bie ndesh me përmbajtjen e nenit 81/2, ku parashikohet miratimi me shumicë të cilësuar i disa prej ligjeve më të rëndësishme të shtetit, midis të cilëve edhe Kodit Penal.

     Është edhe kjo një arsye që ka sjellë imponimin e ndërhyrjes së Gjykatës Kushtetuese, e cila ka konstatuar që prandaj nene të pasqyruara në ligje të zakonshme janë antikushtetuese. Në jurisprudencën e saj, për praktikën specifike të përmendur më sipër, Gjykata Kushtetuese ka vënë theksin te rëndësia e votimit me shumicë të cilësuar, si mjet i rëndësishëm për pavarësinë e institucioneve kushtetuese dhe legjislacionit të veçantë. Gjithashtu, sa për një ilustrim tjetër, Gjykata Kushtetuese në funksion të plotësimit dhe zbatimit të standardeve kushtetuese ka shfuqizuar para pak viteve një pikë të nenit 34 të Kodit Penal në fuqi, duke arsyetuar se, dënimet e parashikuara me burgim dhe me gjobë si të barazvlefshme për riedukimin e autorit të veprës, në të vërtetë janë diametralisht të kundërta dhe çdo konvertim i njëanshëm nuk mund të jetë i përpjestueshëm.

     Pra, edhe kaq sa u thanë në këto rradhë ndoshta mjaftojnë për të thekauar, se Kodi Penal i “shkalafitur” vetëm brenda dy dekadave, nuk mund të ketë jetëgjatësi. Prandaj, edhe çdo shtesë apo ndryshim tjetër nuk mund të jetë të efektshme në perspektivë. Madje, as në një të ardhme të afërt. Në këtë kuptim, në vend që të hartohen një pas një dispozita të reja apo shfuqizime të disa të tjerave, organet nën varësi të Qeverisë dhe ato që miratohen nga Kuvendi dhe që dekretohen nga Presidenti i Republikës, më mirë që bashkë me ekspertë me përvojë të përveshin mëngët dhe t’i vënë gishtin kokës, për të hartuar një Kod Penal të ri. Mundësisht, jo më larg se sa të mbushen plot 20 vjet nga koha e miratimit dhe hyrjes në fuqi të këtij Kodi aktual.  
                      
Shkrimi u publikua sot (14.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)