Çfarë ndodhi më 4 dhjetor 1912 në Vlorë

Çfarë ndodhi më 4 dhjetor 1912 në Vlorë
100-vjetori i Pavarësisë, me gjithë konferencat e shumta shkencore të zhvilluara nga Akademia e Shkencave dhe Qendra e Studimeve Albanologjike, ka krijuar një handikap mes periudhave të caktuara historike. Pas rrëfimit të ditës së Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor 1912, është krijuar një boshllëk gati njëvjeçar në përshkrimin e ngjarjeve që vijuam me themelimin e shtetit shqiptar, ku ka pasur edhe debate të mëdha.

Historianët dhe studiuesit kanë lënë disa momente të rëndësishme historike të pafokusura qartë dhe kapërcejnë tek studimet e vitit 1913 dhe pasojat që erdhën gjatë këtij viti. Data 4 Dhjetor, dita e themelimit të qeverisë së parë shqiptare nuk është spikatur gjatë manifestimeve të 100-vjetorit si datë me rëndësi historike. Ndërkohë, deklarata e zonjës Majlinda Bregu, e cila tha se: "më 4 dhjetor 2012 qeveria shqiptare, nën drejtimin e kryeministrit Berisha do të mbajë mbledhjen e saj të radhës në qytetin e Vlorës, në nderim të këtij akti madhor historik", ngjalli kureshtje të madhe.

Pse pikërisht kryeministri Berisha ka caktuar këtë datë?! Shumica e historianëve, jo vetëm që nuk kanë dhënë shpjegime për ndonjë akt korrespodence të qeverisë së Berishës me atë të Ismail Qemalit, por edhe nuk kanë folur shumë për 4 dhjetorin e 1912-s, duke u justifikuar se nuk e kanë mbuluar me studime atë periudhë. Në konferencën e 100-vjetorit, Xheladin Shala, studiues dhe akademik në Prishtinë, ka hedhur dritë vetëm mbi një nyjë lidhëse të kësaj date me ngjarjet ndërkombëtare që kanë ndodhur një dite më parë, më 3 dhjetor, ku thekson se: "Fitorja e plotë e shteteve ballkanike ndaj ushtrisë osmane në konfliktin ballkanik, armëpushimi i nënshkruar midis aleatëve ballkanikë dhe qeverisë osmane, më 3 dhjetor 1912, e çoi Ballkanin në rikompozimin e kufijve të shteteve përbërëse të tij". Por edhe studiuesi Shala në referatin e tij i ka shtyrë sërish ngjarjet tek viti 1913, që ka lidhje direkte me copëtimin e kufijve nga serbët.

Ndërkohë duke iu referuar një studimi të arkivave historike, cituar nga historiani Romeo Gurakuqi, sipas procesverbaleve të atyre ditëve, del se ngjarjet kanë një rrjedhë kronologjike: "Më 1 dhjetor u zgjodh Pleqësia (Kuvendi) me në krye Imam Vehbi Dibrën dhe më 4 dhjetor kjo pleqësi votë-besoi Qeverinë e Ismail Qemalit. Edhe pse qeveria i kish nisur mbledhjet që në datën 30 nëntor, ajo vendosi që mbledhja e parë të konsiderohej ajo e pasdites së 28 nëntorit të 1912-s, mbledhja që shpalli Pavarësinë e Shqipërisë." Një imazh më të qartë sesi duhet të kenë rrjedhur ngjarjet në ato ditë, kur shteti shqiptar po hidhte themelet, e jep procesverbali i mbajtur më 4 dhjetor , 1912.

     Procesverbali
MBLEDHJA V, MË 4.12.1912


“Mbledhja u hap, nga 63 kongresistë, mungojnë 6 veta. Lajmërohet se Delvina zgjodhi si delegat Mehmet Ali Pashën, por ky me shkak të përshëndetësisë nuk erdhi. Kuvendi pranon birin e tij, Avni. Kryetari këndon urdhrin e ditës: 1) të zgjedhurit e ministrave 2) të zgjedhurit e Pleqësisë. Kryetari i qeverisë shtron përpara Kuvendit një mënyrë të re për zgjedhjen e ministrave, duke thënë: "Fuqinë që e kam unë në këtë çështje, ia lë Kuvendit", Kuvendi le të zgjedhë 8 veta a 7 siç kishim thënë që të jenë 4 të krishterë e 4 myslimanë, i lutet Kuvendit ta pranojë këtë mënyrë, të mos merret me fjalë shumë, po ta mbarojë këtë çështje sa më parë. Disa delegatë flasin kundër këtij propozimi dhe kërkojnë prapë që kjo barrë t'i mbetet Kryeministrit.

Megjithëqë më të shumtët ngrihen kundër kësaj mënyre, por më së fundi mbetet që t'i zgjedhë vetë Kuvendi ministrat. Votuan 15 veta; Gurakuqi fitoi 54, Myfit Libohova 52, Mehmet Pashë Tetova 42, Abdi Toptani 34, Midhat Frashëri 35, Pandeli Cali 22, P.Poga dhe K.Meksi nga 21, Lef Nosi 20, Sami Vrioni 15, Myfti Vebiu e Dudë Karbunara nga 14, Murat Toptani 13, Eqrem Vlora 10, Jan Papadhopuli 8, Ilias Vrioni 7 dhe i fundit, D.Zografi fitoi 6 vota. Nga këta, proklamohen të zgjedhur 5 veta. Të parët që kanë një numër votash më të madh e më shumë se gjysma, d.m.th ata që kanë mbi 28 vota. Fitojnë pra në këtë votim Myfit Libohova, Gurakuqi, Mehmet Pashaj, Abdi Toptani dhe Midhat Frashëri.

Të 12 emrat që vazhdojnë pas këtyre, duke mos pasur numrin e mjaftueshëm të votave, vihen përsëri në votim. Në votimin e dytë zërat u ndanë kështu: P.Poga fitoi 40, Pandeli Cali 39, Lef Nosi 37, K.Meksi 19, Dudë Karbunara 16, Eqrem Syrjai (Vlora) 2, Myfti Vebiu Dhe D. Zografi nga një votë. Quhen të zgjedhur tre të parët që fituan më shumë se gjysmën e votave, 28. Përpara se të fitohet votimi për të zgjedhur këshillonjësit, Dhimitër Berati i lutet Kuvendit që të mbarohet kjo zgjedhje me një votim, domethënë të quhen të zgjedhur ata që do të kenë vota më shumë. Propozimi i tij pranohet dhe sakaq nis votimi.

Zërat u ndanë në këtë mënyrë: Iliaz Vrioni 55, Sami Vrioni 54, Dudë Karbuanara 48, Mustafa A. Kruja 42, Murat Toptani 42, Eqrem Syrjai 40, Myfti Vebiu e K.Meksi nga 39, D.Berati 38, D.Zografi dhe Bedri Ipeku nga 35, Sali Gjuka 35, Veli Këlcyra dhe Hairedin Cakrani nga 22, Xhelal Skrapari dhe Shefqet Daiu nga 30, Dervish Elbasani 29 dhe Ajdin Draga fitoi 27 vota. Midis atyre që s'morën dot aq zëra që duheshin për t'u zgjidhur, vetëm ata që patën më shumë se 70 vota janë: Veli Gjirokastra dhe Zenel Paja nga 24, Rexhep Peja, Isa Buletini dhe Azis Gjirokastra nga 23, Zihni Abazi 21, Jani Minga 20, Qemal Elbasani 19, Aristidh Ruci dhe Floqi nga 14, Qazim Kokoshi dhe Jan Papadhpouli nga 13, Qerim Ipeku dhe Riza Jakova nga 11. 11 delegatë të tjerë fituan 11 zëra e poshtë”.

(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Gaza/ Foshnja e porsalindur vdes nga i ftohti natën e Krishtlindjes, ndërsa Izraeli e Hamasi debatojnë për armëpushim

Gaza/ Foshnja e porsalindur vdes nga i ftohti natën e Krishtlindjes, ndërsa Izraeli e Hamasi debatojnë për armëpushim