Do të duhej ta kishim përkthyer Amin Maaloufin. Duhen të jenë të rrallë librat si ai i tij, “Çrregullimi i botës”, nga të cilët sfidat e njerëzimit të sotshëm kuptohen aq mirë. Ndonëse i shkruar në fillim të këtij shekulli, ende asnjë ngjarje nuk jep shpresë se gjërat mund të marrin tjetër rrjedhë, më të mbarë.

E, sipas tij, sot në botë mbretëron një çrregullim i madh, dhe atë në shumë fusha njëkohësisht – çrregullimi intelektual, çrregullimi financiar, çrregullimi klimatik, çrregullimi etik. Aq sa e bën të pyesë mos ndoshta lloji ynë e ka arritur pragun e pakompetencës së tij morale, apo mos ndoshta sapo e ka filluar kthimin prapa, i cili kërcënon ta vërë në pyetje tërë atë që aq shumë gjenerata të njëpasnjëshme e kanë ndërtuar me mundim?

Pse po ndodh kështu, madje pas rënies e Murit të Berlinit, “kur besonim se demokracia tash e tutje do të shtrihet prej fqinjit tek fqinji, gjithnjë deri sa të mos e mbulojë tërë planetin”?

Me përfundimin e konfrontimit ndërmjet dy blloqeve, shkruan ai, kemi kaluar nga një botë në të cilën përçarjet ishin kryesisht ideologjike, ku pandërprerë diskutohej, një botë në të cilën përçarjet janë kryesisht identitare dhe ku ka fare pak vend për diskutim. Gjithkush ia hedh në fytyrë përkatësinë e tij tjetrit, hedh anatemat e tij, i mobilizon të afërmit, i diabolizon armiqtë e tij.

Nga ana tjetër, Evropa - e cila, ndonëse e sheh më mirë se të tjerët, madhësinë e sprovës me të cilën njeriu duhet të përballet, ka njerëz e instanca të cilat janë të nevojshme për të debatuar dobishëm për to, për të gjetur zgjidhje, - hamendet se a do të duhej ajo të ndërtohet në federatë të krahasueshme më atë të ShBA-ve, dhe e pajisur me statusin e fuqisë botërore, jo vetëm ekonomike e diplomatike, por po ashtu edhe politike e ushtarake, të marrë edhe përgjegjësitë dhe flijimet që shkojnë bashkë me të.

Sa u përket ShBA-ve, sipas Maalouf, pasi që e kanë mundur kundërshtarin e tyre kryesor global, janë kapur rob në ndërmarrjen titanike, e cila i rraskapit dhe i largon nga rruga e drejtë: si ta zbusin të vetme, apo gati të vetme, një planet të pazbutshëm.

Si pjesën më problematike të planetit, Maalouf e paraqet atë arabo-myslimane. Ajo “po zhytet thellë e më thellë në një ‘pus’ historik prej nga, si duket, nuk ka forcë të tërhiqet; ajo ndjehet e zemëruar ndaj tërë botës – perëndimorëve, rusëve, kinezëve, hinduve, hebrenjve, etj. – e para së gjithash ndaj vetvetes.”

I lindur në Beirut e i shkolluar në Francë, Maalouf civilizim të tijin dhe referencë kryesore e konsideron atë të Perëndimit, ngase “sidomos në gjashtë shekujt e fundit, nuk ka asnjë lëmi i dijes, krijimtarisë, prodhimit apo organizimit shoqëror, i cili sot nuk e mban shenjën e Evropës dhe shtrirjes së saj amerikanoveriore. Madje edhe njerëzit të cilët luftojnë kundër ndikimit të Perëndimit e bëjnë këtë para së gjithash me instrumentet materiale apo intelektuale të cilat vetë Perëndimi i ka shpikur dhe i ka përhapur në pjesën tjetër të botës”.

Por, me prirjen “që mund të dëgjojë secilin ‘fis’ në gjuhën e tij”, ai është larg të qenit apologjet i Perëndimit, përkundrazi, është mjaft kritik ndaj tij. Dhe thotë: “Nuk do të na sjellë shumë sot përgjigjja në pyetjen se a duhet gjykuar verbërinë shekullore të shoqërive arabe, apo megjithatë lakminë shekullore të fuqive perëndimore”. Apo: “Ajo që sot ia zë për të madhe botës arabe, është pamjaftueshmëria e vetëdijes së saj morale; ajo që ia zë për të madhe Perëndimit, është kjo synimi i tij që ta transformojë vetëdijen e tij morale në instrument dominimi.”

Por, “kur një militant sunit ulet prapa timonit të kamionit-bombë që ai të shpërthejë në treg ku vijnë familjet shiite, dhe kur një gjakpirës i tillë quhet ‘luftëtar i lëvizjes së rezistencës’, ‘hero’, dhe ‘martir’ nga predikuesit e tij fanatikë, më asgjë nuk shërben të akuzuarit e ‘të tjerëve’, ngase vetë bota arabe duhet ta shqyrtojë vetëdijen e saj. Çfarë beteje zhvillon ai? Cilat vlera akoma i mbron? Ç’kuptim u jep besimeve të tija?”

Mbase ky libër do të mund t’ua hapte sytë gjithë atyre që mendojnë se të jesh mysliman i mirë, duhet patjetër edhe të dukesh si arab dhe të jesh përkrahës i ideologjive të tyre. Sigurisht, jo atyre që më shumë se besimin, i duan paratë e arabëve, madje - siç u shpreh këto ditë ambasadori britanik, Ian Cliff - atyre që vijnë nga dera e pasme, por i të rinjve, të cilët mund të mendojnë se ummeti islam mund të jetë zgjidhje për çrregullimin tonë të madh.