Çdo vit, çdo institucion arsimor apo universitet, do të mund të përcaktojë prioritetet për tu përshtatur më pas me tregun e punës. Ky ka qënë theksi i takimit të organizuar të mërkurën, në ambientet e EU Info Centre , në Tiranë, falë projektit-studimit "Ofrimi i Arsimit të Lartë dhe Mundësitë e Tregut të Punës në Vendet e Ballkanit Perëndimor".
Për lançimin e këtij projekti, në takim ishin të pranishëm, Xheni Sinakoli, menaxhere e programit , zv/ministri i Arsimit dhe Sportit Arbian Mazniku, zv/ministrja e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë Gentiana Sula.

Zv/ministri i Arsimit dhe Sportit, Arbian Mazniku u shpreh se "është kënaqësi të ndajmë fillimin e këtij projekti, që do të mund të bëjë lidhjen mes studentëve dhe tregut të punë"."Në thelb ky studim ka qëllim përmiresimin e arsimit dhe presupozon që çdo vit çdo institucion dhe universitet arsimor të mund të përcaktojë prioritetet e tij në mënyrë autonome.", tha Mazniku.

Sipas tij, studimi në fjalë është në tentativat e para për këtë fushë dhe kjo do të mund të ndihmojë që të krijohet një raport koherent mes asaj që studjohet dhe nevojave që ka tregu .

Ndërsa për zv/ministren Sula , programi i qeverisë është të mbështesë këtë studim dhe refoma që po bëhët në aspektin e tregut të punës. Gjithashtu, Sula ka vleresuar projektin duke thënë se është i domosdoshëm një studim i tillë. Duke u ndalur tek masivizimi i disa degëve të të studimit në universitete, ajo permendi degen e juridikut, historise, gjeografisë, mësuesi që sipas saj kanë dështuar në tregun e punës, pasi oferta e tregut nuk plotëson kërkesat e studentëve.

Ky projekt-studim synon të vlerësojë përputhjen e programeve të ofruara nga Institucionet e Arsimit të Lartë me nevojat që ka tregu i punë si dhe përputhshmërinë që ka aftësimi i studentëve në raport me punësimin.

Nëpërmjet këtij studimi, do të mund të kuptohen sfidat që ndesh një i sapo diplomuar si dhe lidhjen treg-studentë.

Projekti "Ofrimi i Arsimit të Lartë dhe Mundësitë e Tregut të Punës në Vendet e Ballkanit Perëndimor", financohet nga Komisioni Evropian, Drejtoria e Përgjithshme për Edukimin dhe Kulturën, i zbatuar nga London School of Economics Enterprise dhe mbështetet nga Ministria e Arsimit dhe Sportit. Në këtë kuadër, Ministria e Arsimit dhe Sportit, është angazhuar që brenda muajit prill 2015 të mundësojë sigurimin e të dhënave për realizimin e komponentëve të rëndësishëm të studimit. Nëpërmjet sigurimit të të dhënave nga universitet do të bëhet i mundur realizimi i anketës online me të diplomuarit nga tre vitet e fundit akademike, 2011-2014.Platforma online është përgatitur dhe menaxhohet në mënyre të centralizuar nga LSE Enterprise për gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor./ATSH/