Mbi një vit pas sekuestrimit, 2800 ton mbetjet e rrezikshme të kompanisë Kurum që u kthyen nga Tajlanda, ende mbahen në kontenierë në Porto Romano. Ndërsa Prokuroria e Durrësit lëshoi 33 udhërarreste për përgjegjësit, pasi hetimet zbuluan shkelje të legjislacionit mjedisor nga Kurum, kompania “Sokolaj” që bleu mbetjet, por edhe nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe Dogana e Durrësit, pikëpyetja mbetet se çfarë do të ndodhë me mbetjet e rrezikshme, të cilat u faktuan të tilla edhe nga analizat në Itali.

Lidhur me këtë situatë ka folur në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report TV, inxhinieri Qerim Ismeni, i cili ka thënë se këto mbetje duhet të gjejnë destinacion për t’u përdorur si lëndë e parë për zink.

Ismeni tha gjithashtu se duhen gjetur tregje për t’i shitur këto mbetje, pasi sipas tij, në Shqipëri nuk ka uzinë të tillë hidro-metalurgjike për të përdorur këtë lloj lënde të parë.

“Këto mbetje duhet të gjejnë destinacionin për t’u përdorur si lëndë e parë për Zink. Sepse në botë kondicioni i shfrytëzimit të minierave të Zinkut, mos të shkojmë më largë, Trepça jonë, nxirret në thellësi 1000 metër mineral plumb zinku me përmbajtje më pak se 3 %. Pasurohet dhe vazhdon dhe shkon te 45-55 %. Por ai është i trajtës sulfur. Këtu e kemi rastin oksid. Pra ne kemi një lëndë të parë Zinku dhe vendet, kombinatet e mëdha metalurgjike që prodhojnë sasira të mëdha të këtyre pluhurave, kanë ngritur linjat hidro-metalurgjike dhe nxjerrin Zinkun si produkt prej këtyre. Dhe nuk ka asnjë rrezikshmëri ky sepse përdoret sepse është mbushur me njerëz. Këto thasët dhe hinkat e bunkerëve janë mbushur me njerëz dhe nuk ka pasur rrezik asnjë.

Kam punuar një jetë me lidhjet e plumbit dhe zinkut dhe nuk kam asnjë pasojë, jam 76 vjeç sot. Ne nuk kemi uzinë të tillë hidro-metalurgjike për të përdorur këtë lloj lënde të parë. Për mua është lëndë e parë. Kjo përsëri eksportin e ka vendin atje, jo groposjen, sepse po të ishte... Fillimisht është trajtuar si trafik, sikur prodhuesi e nisi këtë mbetje për ta çuar për ta groposur në Tajlandë. Jo. Prodhuesi ka fituar para dhe një mall që shitet me para është produkt për shitësin dhe lëndë e parë për blerësin. Blerësi, sipas materialeve të prokurorisë rezulton se e ka blerë me 80 euro tonin dhe ka pretenduar për ta shitur, nuk e di se sa, e ka materiali i prokurorisë sesa ka pretenduar ai për ta shitur në Tajlandë.

Problemi, zhurma e madhe ndërkombëtare që u bë, e detyruan për ta kthyer. Mbase nuk ka pasur dokumentat në rregull tregtari. Për dokumentacionin le të merret prokuroria. Unë flas për çështjen teknike, këtu nuk kemi të bëjmë me lëndë të rrezikshme, por me një lëndë të parë zink-mbajtëse, që mund të shfrytëzohet në mënyrë racionale për të marrë zinkun. Në kombinatet e mëdha kanë ngritur repartet e hidro-metalurgjisë ku e përpunojnë dhe nxjerrin zinkun metal, që është në çmimet 3 mijë dollarë për ton.

“Kostot 99% i takojnë shtetit dhe 1% i takojnë privatit. Nëse shteti në portin detar ku janë stacionuar anijet... Nuk kemi ndotje ne këtu more zotëri, por kemi të bëjmë me procedura administrativ, nuk kemi të bëjmë me ndotje. Askush nuk është ndotur. E mori nga fabrika e vetë dhe e mbylli në thes. Kë ka ndotur, cilin objekt, cilin metër katror? Ndoti portin detar apo ambientin e fushë-mbretit në Elbasan? Nëse ka plotësuar dokumentat mirë tregtari, është marrë vesh me autoritetin portual dhe me drejtorin e portit... Pse nuk del drejtori i portit të prononcohet? Duhet të rishitet, sepse po të ishte puna për ta groposur, KURUM me ligjet tona dhe me hapësirën që ka në dispozicion, s’kishte nevojë për t’i marrë leje kujt. Mund ta linte të depozituar aty dhe nuk i bënte kujt dëm. Nuk është mbetje radioaktive. A transportohen bomba atomike, me çfarë i transporton SHBA?”, vijoi më tej Ismeni.

Kujtojmë se në datë 08.11.2024, u krye sekuestrimi në cilësinë e provës materiale të 102 kontenierëve, të cilët iu lënë në ruajtje dhe administrim Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara dhe aktualisht ndodhen në Porto Romano, Durrës, në kushte të sigurisë mjedisore dhe fizike. Gjatë procesit të sekuestrimit, kontenierët iu nënështruan edhe testit për radioaktivitet, ku nga skanimi nuk u konstatua prani e lëndës radioaktive GAMA apo NEUTRON.

Por po ashtu, pas administrimtit të aktit të ekspertimit ku provohet se mbetjet janë të rrezikshme dhe toksike, Prokuroria Durrës, krijoi bindjen e plotë se jemi përpara jo thjesht një fakti penal, por një zinxhiri veprimesh të kundërligjshme që sjellin pasoja të rënda në disa drejtime si në mjedis, shëndet, veprimtarinë doganore, veprimtarinë e autoriteteve për sigurinë dhe cilësinë në mjedis, si dhe veprimtarinë e ndershme dhe konkurruese ekononomike.