Në Pallatin e Kongreseve u çel këtë të mërkurë për të 28-tin vit radhazi Panairi i Librit, ngjarja më e shënuar për kulturën dhe letërsinë shqiptare.
Për 5 ditë me radhë, deri më 16 nëntor, publiku do të mund të vizitojë stendat e shtëpive botuese, të takohet me shkrimtarët e përkthyesit, të blejë botime me çmim të reduktuar, por edhe të marrë pjesë në aktivitetet promovuese.
Tema e përzgjedhur për edicionin e këtij viti është një shprehje e të madhit Kadare: “Ndërgjegjja jonë ka nevojë për librat”.
Për kryetarin e Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, që është edhe organizatori, ky 28-vjetor i Panairit vjen në një moment kur letërsi shqipe po jep vepra shumë të mira që mirëpriten nga lexuesit.
“Shqipëria ende nuk ka hyrë në Evropë, por ne botuesit shqiptarë jemi në Evropë prej shumë e shumë vitesh. Jo vetëm me veprat që botojmë, jo vetëm me kryeveprat që përkthehen nga shumë gjuhë evropiane e përtej, por ne jemi pjesë e Evropës edhe me projektet evropiane më të rëndësishme të librit”,- tha Petrit Ymeri.
Edhe problematikat janë të forta dhe kërkojnë zgjidhje.
“Botuesit kanë probleme të mëdha të punës me librin, duke filluar që nga pirateria digjitale dhe ajo në shtypshkrime, bibliotekat që janë në situatë katastrofike si dhe numri në rënie i librarive”, tha Ymeri.
Ashtu si vitet e tjera, panairi do të ketë një kënd për biseda me shkrimtarë, përkthyes, botues e kritikë, në katin e dytë të Pallatit të Kongreseve ku është vendosur “Sofaja e librit”. Ceremonia e ndarjes së çmimeve të panairit do të mbahet në datën 15 nëntor.
Komente










