Një mbrëmje gala do të çelë sezonin e ri artistik të Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor. Në skenën e madhe do të ngjiten solistë të njohur shqiptarë dhe ndërkombëtarë, për të sjellë kryevepra të repertorit operistik botëror.
Mbrëmja, e konceptuar si një mozaik nga autorë dhe vepra të ndryshme, do të bashkojë arie, duete dhe kuartete, ndërsa i ftuari special është tenori rumun Stefan Pop dhe dirigjenti Simone Di Felice.
“Galatë janë bërë si ëmbëlsira e dëshiruar e çdo viti të repertorit dhe të punës që të bëhet. Po e nisim një sezon të ri me shumë dashuri, me vepra të bukura. Ju mirëpresim të gjithëve.”, tha mezzo-sopranoja Vikena Kamenica.
Në repertor rikthehen edhe vepra të njohura, por me interpretime të reja. Mezzo-sopranoja Vikena Kamenica do të sjellë Arien e Dalilës nga Samson dhe Dalila, ndërsa publiku do të dëgjojë edhe kuartetin e famshëm të Rigolettos.
“Janë dy materiale shumë impenjative. Mendoj që në Grand Gala është shumë e rëndësishme, bëhen bashkë disa autorë, si një buqetë me lule dhe me ngjyra. Është një repertor shumë i bukur.”, tha mezzo-sopanoja Ivana Hoxha.
Mes interpretimeve të mbrëmjes janë edhe arie nga Il Trovatore, Adriana Lecouvreur dhe Forza del Destino. Sopranoja Dorina Selimaj e cilëson këtë koncert një sfidë të veçantë artistike.
“Është një nder i madh që do të ndajmë skenën me një nga tenorët më të famshëm botërorë, Stefan Pop. Unë do sjell në skenë edhe pjesë që nuk janë interpretuar prej vitesh. Galaja është fantastike. Pjesët janë zgjedhur me shumë dashuri dhe janë pjesë që nuk janë kënduar më parë.”
Në këtë gala do të rikthehen në skenë edhe pjesë që nuk janë interpretuar prej vitesh, ndërsa sopranoja Eva Golemi do të interpretojë Leonorën nga Forza del Destino, së bashku me Stefan Pop.
“Galaja është fantastike. Pjesët janë zgjedhur me shumë dashuri dhe janë pjesë që nuk janë kënduar më parë. Shpresoj që publiku të vijë, të kënaqet dhe të shohë punën e jashtëzakonshme që kemi bërë.”, tha sopranoja Eva Golemi.
Nën drejtimin e dirigjentit Simone Di Felice, artistët premtojnë një mbrëmje të pasur vokale dhe skenike. Baritoni Armando Likaj do të rikthejë Arien e Figaros nga Dasma e Figaros, pas rreth 12 vitesh.
“Jemi gati për skenë dhe për të festuar së bashku këtë hapje të sezonit. Ju ftoj ta ndiqni këtë gala dhe të zbuloni vetë gjithçka që kemi përgatitur.”, tha baritoni Likaj.
Mbrëmja gala do të vijë nesër në orën 20:00, në skenën e madhe të TKOBAP-së.












Komente
Komento