I ftuar në emisionin e mëngjesit “Rreze Dielli” në Report TV, me moderatore Androniki Kolka, ishte nutricionisti nga Suedia Altin Joka, i cili foli për fuqinë që ka minerali i zinkut në organizmin tonë.
”Dua t’a nis me konstatimin se tokat tona për shkak të materialeve jo organike, kanë një mungesë të mineralit të zinkut, gjë që varfëron dhe ushqimet që ne konsumojmë me këtë mineral” tha Altini në fillim të bisedës, duke shtuar se sot mungojnë diskutimet nga ekspertët e fushës për këtë çështje.
Sipas një studimi, aktualisht mbi 2 miliard njerëz në botë kanë mungesë të zinkut dhe mbi 800 mijë njerëz në botë vdesin nga mungesa e tij.
”Në 2023 do jetë më shumë sesa dyfishi i këtyre shifrave” tha Altini gjatë intervistës, duke nënvizuar se edhe pse zinku merret sot më shumë se dikur, suplementet nuk po funksionojnë dhe jo vetëm kaq, por sjellin problematika të tjera në trup.
”Në një studim që u bë në vitin 2017, u pa që personat që konsumonin zink, kishin më pak simptoma të ftohjes se të tjerët, por kur studimi u përsërit pas një viti, u pa se zinku nuk qëndronte më në trup në këtë lloj forme” tha Altini.
Zinku luan një rol të jashtëzakonshëm për sistemin tonë imunitar, na mbron kundër gjithë viruseve si gripi, sëmundjeve të ftohjeve, problemeve bronkiale, infeksioneve bakteriale në traktin respirator.
”Zinku është një superhero në zhvillimin e shëndetshëm të fëmijëve, ku pamjaftushmëria e tij do të sjellë jo rritjen e tyre në gjatësi, qoftë në zhvillimin emocional, pasi zinku është lubrifikuesi i sistemit tonë imunitar” tha Altini, duke shtuar se mungesa e zinkut ndikon dhe tek dermatiti, duke na shkaktuar probleme me lëkurën, enzemat, plakjen dhe puçrrat që mund të na dalin.
Pa zinkun do të kemi probleme me tretjen e ushqimeve, duke shkaktuar probleme si diareja më pas, oreks i dobët, sikurse probleme me mikrobiomën dhe fryrjen e barkut, gjithashtu zinku është një çelës i kurorës së trupit tonë, kokës, sepse zinku gjendet në sasi më të lartë në flokë se në të gjithë trupin.
”Në mungesë të zinkut, floku dobësohet dhe bie, nëse nuk e kemi gjenetike, më pas mungesa e zinkut sjell probleme me prostatën tek meshkujt, mungesa e tij krijon probleme me urinimin” shtoi Altini, duke theksuar se zinku gjendet tek veshkat, tek mëlçia, tek muskujt, apo tek mushkëria. “Mungesa e zinkut shkakton dhe ulje të kujtesës apo të aftësisë të të mësuarit” tha ai, duke shtuar se mungesa e tij shkakton infertilitet tek të dy gjinitë nëse nuk është në sasinë e duhur.
”Ne përdorim sasi të ulta të zinkut nga ushqimet, ndërsa përdorim ilaçe si antibiotiku, apo ilaçet e tensionit që e ulin nivelin e zinkut në trup” tha nuticionisti. Por cilat janë ushqimet që përbajnë zink sipas Altin Jokës?
Të parat që kanë sasi të lartë zinku janë frutat e detit, më pas kemi thjerrëzat, fasulet, bishtajoret, farat e kungullit, farat e lulediellit, misri, patatja e ëmbël, agrumet, kivi, tërshëra, mëlçitë, gjoksi i pulës dhe gjelit, sardelet, por dhe tek arroret, bajamet, lajthitë, tek brokoli, orizi, domatja, qershitë, boronica ku zinku është në sasi më të ulët, por po t'i mbledhësh nga pak në formimin e një diete në regjimin tonë të përditshëm ne do të arrijmë të marrim nivelin e sasisë së zinkut aq sa na nevojitet.