TIRANË - Agjencia Kombëtare e Bregdetit organizoi dje përkujtimoren e tragjedisë detare të anijes Austro-Hungareze "Linz" e cila u mbyt më 19 Mars të vitit 1918 me mbi 1000 persona në bord, pak milje larg "Kepit të Rodonit".
Historiku i kësaj anije është pak i çuditshëm. E nisur nga Porti Austro-Hungarez i Rijekes , "Linz" u ndal në Zelenika një port afër Kotorrit për të vazhduar me tej për  në Durrës, porti kryesor i ushtrive austro- hungareze.
Në bordin e saj kishte rreth 400 robër italianë të cilët po silleshin në kampet e punës në frontin shqiptar. Zyrtarisht në anije kishte 1003 persona por autoritetet austro- hungareze, pas tragjedisë ndërmorën një investigim dhe zbuluan se shumë ushtarë austro-hungarezë,  nuk ishin rregjistruar në librin e pasagjerëve. Nga ky zbulim mendohet se numri i të mbyturve në këtë tragjedi detare mund të jetë më i madh.
Nën drejtimin e Kapitenit Hugo Tonello, "Linz" shoqërohej nga dy anije siluruse "98" dhe "TB 974"  dhe nga destrojeri Balaton. Në mesnatë, Linz shpërtheu papritmas dhe u mbyt brenda 25 minutash duke bërë gati të pa mundur ardhjen në ndihmë të anijeve shoqëruese për të mbijetuarit e pakët. Marinarët e Linz ishin me kombësi të ndryshme.
Linz, ishte anije në pronësi të  firmës "Lloyd Austriak", kompania e njohur e lundrimeve dhe ishte marrë me qira për shërbime ushtarake. Ishte ora 00:19 minuta e 19 Marsit 1918 kur u deshën vetëm 25 minuta që ajo të fundosej nga minat detare.
Në bashkëpunim me Flotën Detare dhe Ambasadën Austriake dhe Hungareze, Agjensia Kombëtare e Bregdetit, bëri të mundur  një ceremoni në vendin e ngjarjes në kujtim të kësaj ngjarje tragjike e cila konsiderohet si tragjedia më e rënde detare e Austro Hungarisë.
Kurora me lule u hodhën në det në shenjë nderimi, si dhe një ceremonial të thjeshtë fetar nga Patër Aureli i kishës Françeskane që ndodhej në bordin e "Ilirisë".
Antal Heizer, Ambasador i Hungarisë, tha: "Ideja jonë ishte që ta përkujtonim këtu, në vendin ku u mbyt, një ndër tragjeditë më të mëdha të flotës austro-hungareze. Ne jemi këtu për t'i nderuar mëse 1 mijë viktimat e kësaj tragjedie dhe për të nisur një proces që kur të shënohet 100-vjetori i saj, të ketë një memorial për këtë tragjedi."/ATSH/