Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar për ndryshimet ligjore që do të prezantohen për nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale.
Bardhi thotë se Rama po përpiqet ta shndërrojë hetimin ndaj Belinda Ballukut në një debat teorik për ndarjen e pushteteve. Ai shkruan se kjo është ndërhyrje politike për të dobësuar hetimin dhe krijuar imunitet të ri për pushtetin.
Bardhi thekson se kërkesa për arrestimin e Ballukut po trajtohet sikur nuk ekziston, teksa ndërkombëtarët e kanë bërë të qartë se procedura duhet të vijojë.
“Kur frika nga humbja e pushtetit bëhet parim; fotografitë ceremoniale as nuk krijojnë imunitet politik, as nuk zëvendësojnë ligjin.
Edi Rama po përpiqet ta shndërrojë një hetim penal ndaj Belinda Ballukut në një debat teorik për ndarjen e pushteteve. Por kjo nuk është çështje parimi. Është çështje frike.
Ligji është i qartë: pezullimi nga detyra është masë e parashikuar në Kod. Ai nuk shkarkon ministrin, nuk paralizon shtetin, nuk prek institucionin. Ndalon përkohësisht personin nën hetim të ushtrojë funksionin, për të mbrojtur procesin penal.
Të thuash se “pezullohet funksioni” është deformim i qëllimshëm. Gjykata nuk pezullon qeverinë. Pezullon një individ nga ushtrimi i detyrës.
Në BE dhe në SHBA, kur një zyrtar përfshihet në hetim për korrupsion, ai largohet. Jep dorëheqjen. Nuk ndryshon ligjin për të mbrojtur veten, siç po bën Edi Rama. Prandaj, firmosja prej tij e ndryshimit të ligjit pikërisht në momentin kur Parlamenti duhet të shqyrtojë kërkesën për arrest të Belinda Ballukut, nuk ka të bëjë me ndonjë parim kushtetues. Është ndërhyrje politike për të dobësuar hetimin dhe për të krijuar një imunitet të ri për pushtetin.
Por thelbi sot nuk është vetëm pezullimi. Thelbi është kërkesa për arrest e Belinda Ballukut, që ndodhet në Kuvend prej gati dy muajsh dhe trajtohet nga Edi Rama sikur nuk ekziston.
Përfaqësuesit e BE-së dhe SHBA-së kanë qenë të qartë: procedura duhet të vazhdojë pa vonesë. Këshilli i Mandateve duhet të mblidhet. Parlamenti duhet të votojë.
Respekti ndërkombëtar nuk fitohet me fotografi protokollare. Ai fitohet me respekt për shtetin ligjor.
Sepse nëse pengon drejtësinë në Tiranë, nuk të shpëton asnjë foto ceremoniale në Uashington”, thotë Bardhi.
Ndryshimet ligjore, të cilat nuk do të lejojnë gjykatat të pezullojnë një post kushtetues, do të paraqiten gjatë mbledhjes të grupit të PS dhe do të depozitohen më pas në Kuvend.
Komente












