"Halli më i madh i Ramës është çështja Balluku”, deklaroi kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, në studion e Report TV teksa analizonte hetimet e SPAK ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe qëndrimin e Partisë Socialiste për mosheqjen e imunitetit të saj.

I pyetur nëse duhet pritur vendimi i Gjykata Kushtetuese më 22 janar apo nëse duhet të mblidhet Këshilli i Mandateve për t’i hequr imunitetin Ballukut, Ndoka tha se situata tregon qartë vështirësinë politike të kryeministrit Edi Rama.

“Shihet qartë që Rama ka një hall të madh. Është një dosje që i bën bashkëfajtorë të dy. Ndryshe nga herët e tjera, kur të tjerët ‘hanin dardhë e mollë’ pas shpinës së tij, tani situata ka ndryshuar. Rama po përpiqet të fitojë kohë përmes akrobacive me rregullore dhe Gjykatën Kushtetuese, por po zhytet gjithnjë e më thellë,” u shpreh Ndoka për Report TV. 

Sipas tij, kryeministri duhet të marrë një vendimmarrje të shpejtë për të zgjidhur ngërçin, duke kujtuar se Partia Socialiste e ka shpallur reformën në drejtësi si kauzën e saj kryesore.

“PS ka deklaruar se nuk do ta kundërshtojë dhe as do ta komentojë drejtësinë e re, por sot po ndodh e kundërta. Duket sikur janë në opozitë,” tha Ndoka.

Ai shtoi se Rama ndodhet në rënie politike dhe se çështja Balluku nuk është e ndryshme nga rasti i ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj.

“Rama nuk ka problem personal me Ballukun. Ai vepron me të njëjtin standard me emrat e përveçëm: nuk ka dashuri politike për ta dhe, kur vjen momenti, i lëshon në rrugë,” argumentoi Ndoka.


Lajmi kryesor:

Ndoka për Report TV: Pushteti i ka përdorur biznesmenët ndër vite! Merkoçi: Dikur kanë qenë krah Berishës