Mbledhja e Gjyqtarëve do të vendosë nëse ankimi i kryeministrit Edi Rama për pezullimin e Belinda Ballukut nga detyra, do të kalojë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

Avokati Alban Duraj i ftuar në studion e “Sot, Live në Shqipëri”, u shpreh pro vendimit të Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion (GJKKO) lidhur me pezullimin e Ballukut nga detyra, duke thënë se zv.kryeministrja mund të ndikojë në prishjen e provave apo intimidimin e dëshmitarëve.

Duraj tha se për të, i padrejtë është vendimi për ndalimin jashtë territorit shqiptar, masë për të cilën duhet të ishte kërkuar autorizim nga Këshilli i Mandateve, për shkak të imunitetit të deputetit që ajo gëzon. Avokati tha se ministrat e kabinetit nuk gëzojnë të njëjtin imunitet si deputetët.

“Kemi dy kërkesa, e para është lidhur me pezullimin e vendimit të GJKKO, për të cilën GJK nuk është shprehur. Lidhur me kërkesën e 2, KM ka kërkuar të interpretohet imuniteti i ministrave Ky është thelbi i diskutimit dhe në të gjithë argumentimin thuhet që GJKKO dhe prokuroria nuk duhet të kishte kërkuar pezullimin e Ballukut, sepse pretendon se ka imunitetin e deputetit.

Lidhur me pezullimin, GJK nuk është kompetente për të pezulluar vendimin e një gjykate tjetër. Kërkesa e dytë është një kërkesë e Ramës që thotë se ministri ka imunitetin e deputetit. Në gjykimin tim imuniteti nuk është për anëtarët e KM, sepse imuniteti është vetëm për masat shtrënguese. Nëse për Ballukun do të ishte një masë arrest me burg apo detyrim paraqitje apo ndalimin jashtë shtetit, mendoj që me këtë Balluku ka imunitetin, ndërsa për pezullimin nga detyra, mendoj se është një vendimmarrje e drejtë e gjykatës”, tha avokati.

Avokati thotë se Edi Rama po përdor një standard të dyfishtë me Belinda Ballukun, krahasuar me ish-ministrat e tjerë apo Erion Veliajn, rast ky i fundit, ku u kërkoi Këshillit Bashkiak votat për shkarkimin nga detyra.

“Nisur nga rasti i Veliajt, kur Rama doli dhe ushtroi presion publik ndaj anëtare të Këshillit Bashkiak ku kërkoi shkarkimin e Veliajt. Këtu kemi një standard të dyfishtë që nuk e ka respektuar edhe me ish-ministra të tjerë. Me rastin e Ballukun jemi në një situatë që Rama po përdor dy standarde. GJK do t’i japi një vendimmarrje të drejtë përsa i përket interpretimit të pezullimit. Shpresoj që Gjykata të mos ndihet në presion nga Km sidomos nga kryeministri.

Ne duhet ta përkrahim SPAK nëse do të eci me të njëjtin standard sepse ka shumë çështje të tjera që Balluku mund të ndikojë në prishjen e provave apo në manipulimin e dëshmitarëve dhe kjo është qëllimi që vendoset masa e pezullimit nga detyra. Unë kam një mendim ndryshe, që GJKKO dhe SPAK kanë gabuar përsa i përket masën shtrënguese që kanë dhënë masën për të mos dalë jashtë shteti. Në këtë rast është shkelur Këshilli i Mandateve, është shkelur imuniteti që gëzon ajo si ministre. Në gjykimin tim asaj i është cenuar liria. Në këtë rast prokuroria duhet të kërkonte nga Këshilli i Mandateve të Kuvendit për të marrë autorizimin për Ballukun për ndalimin e lëvizjes së lirë. Pezullimi është një kërkesë e kotë nga Rama dhe KM, është një kërkesë që nuk ka kuptim ligjor dhe juridik”, tha Alban Duraj.

Gjykata e Posaçme pezulloi nga detyra zv/kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke i ndaluar gjithashtu të drejtën për të dalë jashtë vendit. Ajo është marrë e pandehur për procedurat në tenderin e tunelit të Llogorasë dhe është nën hetim për tenderin e lotit 4 të Unazës së Madhe. Në të dy rastet, dyshohet se fituesi është paracaktuar. SPAK ka bërë të ditur se po heton dhe një sërë procedurash të tjera prokurimi.