Deputetja e PD, Ina Zhupa në kundërshtim me rendin e ditës së sotme, tha se Kuvendi po shkel rregulloren referuar mos mbledhjes së Këshillit të Imunitetit dhe Mandateve për Belinda Ballukun. Zhupa thotë se kryetari i Kuvendit Niko Peleshi ka shkelur rregulloren duke shuar vendimin për mbledhjen e Këshillit të Imunitetit më datë 28 janar me një mesazh.

Deputetja e PD thotë se pretendimi se po pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, është një justifikim dhe se Kuvendi është kthyer në mburojë të interesit të PS-së dhe Ballukut.

“Së pari, ky Kuvend ka refuzuar të pranojë një kalendar tjetër, kalendarin për mbledhjen e Këshillit të Mandateve. Ky Kuvend, pa u bazuar në rregullore, nuk mbledh Këshillin e Mandateve, edhe kur e kërkojmë anëtarët sipas rregullores. Nuk e mbledh as kur e thërret vetë kryetari, njofton datën 28 janar dhe më pas e shuan një vendim me një SMS. Në cilin parlament një vendim i shpallur shuhet me një SMS? Në cilin parlament, kur pesë anëtarë të Këshillit të Mandateve kërkojnë sipas rregullores të mbledhin Këshillin për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për imunitetin e Ballukut, Kuvendi nuk e zbaton?

Kjo duhet të ishte çështja themelore; alibia e PS-së se, me demek, po presim Kushtetuesen, sikur aty të jetë çështja e imunitetit, tregon që parlamenti po përdoret si murrojë. Nëse ju kanë gënjyer në Kushtetuese dhe nuk ka asnjë çështje që gjykon imunitetin e një deputeti. Në GJK ka një çështje për një anëtar të Këshillit të Ministrave, si zv.kryeministër dhe ministre. Nuk ka lidhje me atë që do të shqyrtojmë. Çfarë lidhje ka pezullimi me imunitetin?

Kur ju e ktheni Kuvendin në një paradhomë të Kryeministrisë, që duhet të bëjë urdhrat që ju vijnë me SMS, sigurisht që kjo opozitë nuk do të votojë kurrë një kalendar”, tha Zhupa.


Lajmi kryesor:

LIVE TV - Kuvend/ PD: S’e kemi bojkotuar Territorialen! PS afat deri në mbrëmje: Nëse nuk vini, zhbëjmë barazinë! Debate për Ballukun, opozita bllokon foltoren