TIRANË, 6 Mars /ATSH-Gjergji Mima/ - Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi sot se Kryeministri Edi Rama nga dera e Prokurorisë, tentoi të diktojë variantin e tij për ngjarjen duke e quajtur skenar aktrimi.
"Pavarësisht fakteve dhe rrethanave, pavarësisht hetimit dhe punës që duhet të bëjë drejtësia, Edi Rama imponohet duke konkluduar ai i pari për këtë ngjarje. Ky ishte synimi i tij sot, që del qartë edhe nga fakti se kryeministri e kishte përgatitur verdiktin e tij, e kishte të shkruar dhe e lexoi para kamerave, sidoqë të ketë shkuar marrja e tij në pyetje", tha Basha, duke shtuar se, "Rama nuk ngurroi të vihej në krye të skemës së krijimit të alibive dhe ushtrimit të presionit ndaj drejtësisë.
Sipas kreut të PD, "vetëm një hetim objektiv, bazuar mbi fakte, dhe i painfluencuar nga politika do të ndihmojë në zbardhjen e ngjarjes dhe zbulimin e të vërtetës. Mundësia për një hetim të tillë kompromentohet rëndë sa kohë që i akuzuari për porositjen e vrasjeve mban postin si numër dy i shtetit"./a.g/











