TIRANË, 9 Mars/ATSH-Maela Marini/.- Ish-kryeministri Sali Berisha dëshmoi sot në prokurori, si person që ka dijeni për akuzat e ngritura nga deputeti Tom Doshi ndaj Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta.
Në një prononcim për shtyp pasi doli nga ambientet e prokurorisë, Berisha tha se, me dëshminë e tij synon të kontribuojë sadopak për zbardhjen e kësaj çështjeje.
"Natyrisht ato që thashë aty përbëjnë sekret deri në momentin që prokuroria t'i nxjerrë nga klasifikimi, por nuk është aspak sekret dhe është tronditëse fakti që këtë skenar ogurzi, kreu i qeverisë, kreu i parlamentit dhe ministri i Brendshëm e mbajtën për 6 muaj si një çështje midis tyre dhe nuk e dorëzuan para ligjit", tha Berisha.
Ai akuzoi se në këto 6 muaj, kupola e përfshirë në këtë krim ndërmorri të gjitha veprimet që të rrënojnë dhe bllokojnë me çdo kusht hetimin.
"U kryen dy atentate ndaj personit që do realizonte vrasjen dhe ndaj paguesit dhe sekserit të Metës, në mënyrë që gojët e tyre të mbylleshin në mënyrë përfundimtare. Gjatë kësaj periudhe jo vetëm tentuan të eliminojnë dy dëshmitarët kryesor, por përpunuan edhe skenarin tjetër, se fajin e ka opozita", vijoi Berisha.
Berisha vijoi duke nënvizuar se gjatë këtyre 6 muajve, ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri e priti disa herë në zyrat e institucionit që drejton, në kundërshtim me çdo lloj rregulli etik, në kundërshtim flagrant me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, Durim Banin, person i inkriminuar.
Në këtë drejtim, ai theksoi se, kemi të bëjmë me një bllokim për qëllime politike të hetimit për 6 muaj, me një përpjekje manipulimi të gjithanshëm të hetimit dhe me një presion të tmerrshëm mbi institucionin e akuzës".
"Nuk mundet kurrë që një kryeministër të informohet se ka patur një tentativë vrasje për deputetin e tij dhe të mos kërkojë menjëherë ndihmën dhe të adresojë në prokurori çështjen", tha më tej Berisha.
Berisha tha se, "bllokimi i hetimit është atentati më i rëndë i së vërtetës në 24 vjet".










