Çështja e Teatrit Kombëtar kthehet në temë debati për opozitën

Çështja e Teatrit Kombëtar kthehet në temë debati për opozitën

Dy javët e fundit, çështja e Teatrit Kombëtar është kthyer në një temë debati edhe për opozitën, e cila ka nisur të mbështesë mendimin e artistëve, duke iu kundërvënë projektit të Teatrit të ri Kombëtar të prezantuar nga kryeministri Edi Rama një muaj më parë.

Pak ditë më parë edhe presidenti i Republikës Meta ka mbajtur qëndrimin e tij kundër projektit të prezantuar nga kryeministri Edi Rama, duke u dhënë të drejtë artistëve, ndërsa i ka këshilluar që ta mbrojnë godinën e Teatrit Kombëtar, sipas deklaratave të pëfaqësisë së artistëve që ishin në takim. Në vijim të rezistencës kundër shembjes së Teatrit Kombëtar, artistët kanë bërë dje një takim me kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhin (bashkëshortja e Presidentit Meta), bashkë me përfaqësues të kësaj partie.

Pas takimit, Kryemadhi tha se LSI do të vihet në rresht për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar. Kryetarja e LSI paralajmëroi rezistencë, për ta ndaluar qeverinë për prishjen e teatrit. “Iniciativa e frikshme dhe e çmendur e qeverisë aktuale për zhbërjen e artit dhe për shkrirjen e saj apo për ta kthyer artin tonë kombëtar në një PPP, është një tradhëti kombëtare. Jemi hap pas hapi me artistët dhe jo vetëm për mos shembjen e teatrit por edhe për ligjin e domosdoshëm. Edhe për rritjen e buxhetit për artin dhe kulturën që janë shumë të domosdoshëm dhe ajo çka është më e rëndësishmja është që ne ndihemi pjesë e artit sado pak me atë naivitetin tonë duam të jemi pjesë e luftës së tyre dhe në çdo moment ne na kanë pjesë të saj”, tha Kryemadhi. 

Ndërsa artistët kanë kërkuar ngritjen një komisioni hetimor, ku shprehen për abuzime të kryeministrit Edi Rama në raport me Teatrin Kombëtar. Kastriot Çipi që ka kryesuar protestat e artistëve është shprehur pas takimit me Kryemadhin se “Ne shpresojmë që sot ka filluar një kapitull i ri në marrëdhëniet midis komunitetit të artistëve dhe politikës. Ky është takimi i dytë brenda pak ditëve që ne bëjmë, pas takimit me kryetarin e PD-së z. Basha.

Besoj që do të vazhdojmë me takimet me të gjithë faktorët politikë që natyrisht e pranojnë dialogun. Ne i kemi kërkuar LSI dhe kemi gjetur mirëkuptimin e saj që të ketë një hetim parlamentar për të gjitha abuzimet e ish-ministrit të kulturës, ish-kryetarit të bashkisë sot kryeministrit Edi Rama në raport me Teatrin Kombëtar”, ka deklaruar Çipi duke shtuar më tej se “Është një histori 20 vjeçare, e pazbardhur në rrugë ligjore, dhe unë besoj se nëse do të ketë një hetim të ndershëm dhe të plotë, Edi Rama do të ketë punë me drejtësinë, do të ketë shumë punë me drejtësinë”.

Aktori Arben Derhemi u shpreh se projekti i Teatrit Kombëtar nuk lindi si dëshirë e qeverisë për të rindërtuar Teatrin. “Ky projekt i teatrit kombëtar nuk lindi si dëshirë e qeverisë për të rindërtuar Teatrin. Lindi si dëshirë për të vjedhur një pronë dhe për ta bërë kullë. Dhe rastësisht ai vend ishte i Teatrit Kombëtar. Ça do bëjmë për Teatrin Kombëtar ta hedhim fare? Që ti dali publikut dhe t’i thotë që Teatrin Kombëtar do ta zhduk ai nuk e bën dot kështu që i gënjen njerëzit dhe i thotë që ne do e bëjmë teatrin kombëtar, por do e bëjmë të ri.

Por janë këta të poshtrit, jemi ne të poshtrit që nuk e duam të renë, duam vetëm të vjetrën. Duhet ruajtur historia e këtij kombi se është një histori 75-vjeçare. Në atë vend janë krijuar të gjithë institucionet artistike shqiptare. Mbas 75vjetësh do jetë një histori 150 vjeçare. A do kemi ndonjëherë identitet kombëtar ne, identitet kulturor? E di çfarë do na thonë brezat? Ju keni qenë shpellarë do thonë”,
tha Derhemi. 

Basha:  Do të bëjnë gjithçka për të mos lejuar shembjen e Teatrit
Kryetari i PD, Lulzim Basha ka zhvilluar në selinë blu një dëgjesë me artistët, që kundërshtojnë shembjen e Teatrit Kombëtar. Basha u shpreh në përfundim të takimit se do të bëjnë gjithçka për të mos lejuar shembjen e Teatrit. Gjithashtu lideri i PD-së, theksoi se opozita do të ndërtojë një projekt kombëtar për Artin dhe Kulturën. Në takim ishin regjisori Bujar Kapexhiu, aktorët Arben Derhemi, Gentian Zenelaj dhe të tjerë.

“Afera e Teatrit nisi që kur Rama u bë ministër i Kulturës. Ne si opozitë nuk jemi habitur, por revoltuar për rikthimin e këtij projekti, në funksion të ndërtimit të kullës dhe aferave korruptive. PD është kundër prishjes së Teatrit Kombëtar, do të qëndrojmë në krah të artistëve, qytetarët t’i bashkohen qëndresës së tyre legjitime. Qëndresa e artistëve është e drejtë, jo vetëm për ta, por edhe kujtesën. Është shumë e rëndësishme të jemi në krahun e tyre.”, tha Basha duke akuzuar kryeminstrin Rama se: “e urren mendimin ndryshe, të pavarur, ndaj po merr akte leniniste kundër artistëve.”

Basha ka shtuar më tej se “Ne do punojmë me artistët shqiptarë për modele evropiane, do iu rikthejmë autonominë artistëve. Është antihistorike të mendohet se çdo të fitojë Rama, do triumfojë projekti sovjetik. E nesërmja e shpejtë do të flasë në favor të artistëve, teatri nuk do të shembet. Do jemi aty me gjithë forcën tonë, do bëjmë gjithçka. Trualli i teatrit nuk do të tjetërsohet. Jemi kundër prishjes së teatrit, pro një ligji që sjell subvencionet në nivel ballkanik dhe më pas evropian. Artistët nuk janë vetë, do jemi krah tyre në këtë betejë”, është shprehur Basha.

Ndërsa kanë disktutar edhe për projektin e artistëve, aktori i njohur Arben Derhemi u shpreh pas takimit me Bashën se projekti është nga më të këndshmit, ndërsa akuzoi se Rama nuk i ka pritur për t’i dëgjuar. “Ne mbështetemi nga 500-600 qytetarë që nuk kanë asnjë ndasi politike, pasi mendojnë që ai institucion duhet të vijojë dhe se nuk duhet të ndërpritet se do një individ. Impakt për qeverinë? Pa dyshim. Ne kemi kërkuar një takim me Ramën, por nuk është përgjigjur dhe takimi që bëri për projektin e ri për Teatrin, ishte formal, kishte ftuar ca njerëz, përveçse se na tregoi një plagjiaturë, ofendoi figurat më të ndritura të artit shqiptar”, ka thënë Derhemi një ditë para se artistë të prezantonin projektin e tyre.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

NATO dhe Ukraina takohen lidhur me raketën e re ruse

NATO dhe Ukraina takohen lidhur me raketën e re ruse