CEZ, PS: Raporti i pavërtetë, qark
 i shkurtër mes KLSH dhe PD

CEZ, PS: Raporti i pavërtetë, qark<br /> i shkurtër mes KLSH dhe PD
Pas dorëzimit të kallëzimit penal të KLSH-së në Prokurorinë e Tiranës ndaj ministrit të Energjisë Damian Gjiknuri, ka reaguar Partia Socialiste duke e cilësuar raportin e KLSH-së si një raport pa asnjë bazë ligjore dhe fakt të vërtetë.

Deputeti socialist Ervin Bushati, tha se çdo ditë e më shumë po del në pah lidhja mes KLSH-së dhe Partisë Demokratike.

Bushati bëri publike disa fakte mbi pretendimet e KLSH-së, duke mohuar faktin që marrëveshja e arritur me CEZ ka shkaktuar një dëm prej 479 milionë euro. Sipas tij marrëveshja në fjalë ka kursyer shtetin nga një dëm prej 802 milionë eurosh.

“Jo vetëm që nuk ka asnjë dëm ekonomik dhe pretendimi i KLSH është plotësisht i pabazë, por falë ndërhyrjes së qeverisë shqiptare shtetit iu kursyen 802 milionë euro. 802 milionë euro të cilat sot, falë kësaj qeverie janë në arkën e shtetit, jo në xhepat e atyre që deri dje bënin sikur qeverisnin Shqipërinë,” tha deputeti Bushati.

Ja deklarata e plotë e deputetit socialist Ervin Bushati 

Çdo ditë e më shumë del në pah qarku i shkurtër, mes Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Partisë Demokratike.

Fillimisht ishte KLSH që deklaratat e Sali Berishës në Parlament i shndërroi në një raport, që për hir të së vërtetës nuk ka asnjë lloj baze ligjore dhe asnjë fakt apo provë të vërtetë. Kurse sot, pamë se si Partia Demokratike shfrytëzoi raportin e KLSH për të sulmuar përsëri qeverinë. Pavarësisht ping pongut opozitë - KLSH, dëshiroj të bëj publike disa fakte, që japin përgjigje për secilin pretendim të ngritur nga KLSH dhe Shqupi.

E para: Vlera prej 95 milionë euro që qeveria shqiptare duhet t’i paguante kompanisë çeke është përllogaritur në bazë të detyrimeve të pastra kontraktuale që pala shqiptare kishte ndaj CEZ a.s.. Të gjitha detyrimet, me vlerë të përgjithshme 95 milionë euro, janë të provuara si të tilla dhe të shoqëruara nga kontrata kredie, kontrata furnizimi mallrash dhe shërbimesh, apo fatura të tjera --të pranuara si detyrime edhe nga CEZ shpërndarje sh.a., pas kalimit të kompanisë çeke nën administrimin e përkohshëm shqiptar, në datë 23 Janar 2013.

E dyta: Pretendimi se CEZ i detyrohej shtetit shqiptar 352 milionë euro është një pretendim i pabazë, pa asnjë argument ligjor dhe financiar. Auditimi i kompanisë BDO vlerëson se detyrimi që CEZ kishte ndaj kompanive shtetërore KESH dhe OST është 29 miliardë lekë. Por nga ana tjetër, bazuar në formulën e vetëgjyqësisë financiare të parashikuar në marrëveshjen miqësore të qeverisë Berisha në vitin 2012, nga shuma 29 miliardë lekë që kompania çeke i detyrohej KESH dhe OST duhen zbritur detyrimet që institucionet shtetërore i kishin CEZ, të cilat kapin vlerën e 10 miliardë lekësh.

Pra në fakt, totali i detyrimit të CEZ ishte 19 miliardë lekë, ose 130 milionë euro. Për më tepër, nevojitet të llogariten edhe borxhet financiare që konsumatorët shqiptarë i kishin kompanisë së shpërndarjes, borxhe të cilat fatkeqësisht KLSHQUP-i nuk i merr fare parasysh. Bëhet fjalë për 70 miliardë lekë borxhe, ose 500 milionë euro, të cilat falë marrëveshjes së nënshkruar nga qeveria shqiptare, në momentin e arkëtimit nuk shkojnë më për kompaninë çeke, por për shtetin shqiptar.
Dhe vetëm në dy vitet e fundit, OSSHE ka arkëtuar 28 miliardë lekë borxhe të prapambetura ndaj kompanisë çeke, të cilat në fakt kanë shkuar në arkën e shtetit shqiptar.

 Së fundi: Pretendimi i zhvlerësimit të aksioneve të shtetit shqiptar, që sipas KLSH ka shkaktuar 32 milionë euro dëm, është një tjetër pretendim i pavend. Të gjitha gjetjet nga audite të pavarura tregojnë se vlera tregtare e shoqërisë CEZ shpërndarje ishte negative. Nga ana tjetër, auditi tregon se vlera e Aseteve të kompanisë ishte 24 miliardë lekë. Sipas marrëveshjes të zgjidhjes me mirëkuptim, nënshkruar nga qeveria shqiptare, aksionet e kompanisë kalojnë 100% në pronësi të shtetit shqiptar, duke përfshirë këtu edhe asetet e saj, në këmbim të vlerës simbolike prej 1 euro. Falë kësaj marrëveshje, jo vetëm që palës çeke nuk i njihet shuma prej 102 milionë euro që CEZ kishte paguar gjatë procedurës së privatizimit, por edhe 24 miliardë lekë asete të kompanisë çeke kalojnë në pronësi të shtetit shqiptar.

Në rast se nuk do të arrihej marrëveshja e zgjidhjes me mirëkuptim të konfliktit midis shtetit shqiptar dhe CEZ, kjo e fundit kish të drejtën të pretendonte si dëmshpërblim rreth 500 milionë euro nga borxhet që konsumatorët i detyroheshin kompanisë, 102 milionë euro nga vlera e privatizimit të kompanisë, si dhe 24 miliardë lekë (200 milionë euro) nga vlera e aseteve që CEZ dispononte.

Si pasojë marrëveshja e arritur me CEZ jo vetëm që nuk ka shkaktuar një dëm prej 479 milionë euro, por ka kursyer buxhetin e shtetit nga një dëm potencial prej rreth 802 milionë euro.

Dhe më e bukura është që: kompaninë CEZ e solli në Shqipëri qeveria e kaluar; dhe e dëboi nga Shqipëria po qeveria e kaluar. Pikërisht këta njerëz, që sistemin e energjisë e shkatërruan si mos më keq, këta që rrezikonin t’i shkaktonin shtetit shqiptar një dëm prej plotë 802 milionë euro, pikërisht këta njerëz sot gjejnë kurajon të akuzojnë.
Jo vetëm që nuk ka asnjë dëm ekonomik dhe pretendimi i KLSH është plotësisht i pabazë, por falë ndërhyrjes së qeverisë shqiptare shtetit iu kursyen 802 milionë euro. 802 milionë euro të cilat sot, falë kësaj qeverie janë në arkën e shtetit, jo në xhepat e atyre që deri dje bënin sikur qeverisnin Shqipërinë.




Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)
 
 
 
 
 
 

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se protestat mund ta forcojnë pozicion politik të PD-së?



×

Lajmi i fundit

Në kërkim për tentativë vrasje, 48 vjecari arrestohet teksa po tentonte të ikte nga Morina (EMRI)

Në kërkim për tentativë vrasje, 48 vjecari arrestohet teksa po tentonte të ikte nga Morina (EMRI)