CEZ,Shkëlzeni nuk betohet,frikë
nga ndjekja penale, ja 4 provatArkiv/Lajmet për lidhjet e Shkëlzenit me CEZ

CEZ,Shkëlzeni nuk betohet,frikë<br />nga ndjekja penale, ja 4 provatArkiv/Lajmet për lidhjet e Shkëlzenit me CEZ
Komisioni hetimor për aferën CEZ pas më shumë se një orë mbledhje, nuk ka arritur të marrë dëshminë e Shkëlzen Berishës, djalit të ish-kryeministrit Sali Berisha.

Ai ka refuzuar të bëjë betimin përpara anëtarëve të komisionit, çka sipas ligjit e bën të pavlefshme dëshminë e tij. 

Kryetari i komisionit, deputeti socialist Taulant Balla kërkoi nga dëshmitari të bënte betimin dhe të jepte gjeneralitetet, por kjo u refuzua nga Shkëlzen Berisha.

Ky i fundit tha se deputeti socialist është në konflikt interesi për shkak të vendimit të gjykatës i cili e ka dënuar Ballën për shpifje.

"Gjeneralitetet e mia i ke te vendimi i gjykatës i dënuar për shpifje. Nuk betohem para një të dënuari për shpifje", u shpreh Berisha.  

Nga ana e tij, Balla u shpreh se pa bërë betimin, dëshmia është e pavlefshme dhe kërkoi ndërprerjen e mbledhjes së komisionit. 

" Atëherë nëse dëshmitari nuk bën betimin, ndërpritet seanca dhe mbyllet mbledhja e komisionit", tha Balla.  

Në një prononcim për mediat jashtë komisionit, Balla tha se Sali Berisha, Shkëlzen Berisha dhe Nuel Kalaj, kanë bërë marrëveshje mes tyre për të mos dhënë informacione përpara komisionit hetimor. 

Balla tha se është detyrë e komisionit që të zbardhë se ku kanë shkuar 7 milionë eurot e tërhequra në bankë nga Nuel Kalaj, pas firmosjes së marrëveshjes së privatizimit të OSSH te CEZ-i. 

Shkëlzen Berisha, rol kyç në privatizimin e OSSH
Shkëlzen Berisha cilësohet si personi kyç që ka negociuar marrëveshjen e privatizimit të OSSH te kompania çeke CEZ. Në bashkëpunim me Nuel Kalajn, sipas fakteve të siguruara nga komisioni hetimor, Shkëlzen Berisha ka zhvilluar negociata me drejtuesit çek të kompanisë. 

Po sipas fakteve të komisioonit, Nuel Kalaj, bashkëpunëtori i Shkëlzen Berishës, ka kryer transaksione bankare në vlerën e 7 milionë euro vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve parlamentare të 2009-ës dhe pasi ishte realizuar privatizimi i OSSH-së. 

Prapaskenat
Arsyet se pse Shkëlzen Berisha, ashtu si Sali Berisha, refuzoi të betohej se do të thoshte të vërtetën, duket se fshihen tek neni 306 i Kodit Penal.

Ky nen parashikon që dëshmia e rreme përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet. Nëse Shkëlzen Berisha do të bënte betimin, ai pritej t’u qëndronte deklaratave zyrtare, ku ka mohuar lidhjet me sekserin Nuel Kalajn dhe me bosin e DIA-s Kastriot Ismailajn.

Një dëshmi e tillë, mund ta veshte atë me përgjegjësi penale, pasi komisioni hetimor ka në dorë disa dokumente, të cilat flasin për një takim të planifikuar mes Shkëlzenit, Nuel Kalajt dhe ish-kreu të CEZ në Tiranë. Në këtë kuadër, ka dyshime të forta se Shkëlzen Berisha e shmangu dje dëshminë, për të mos pasur telashe me drejtësinë.

Edhe Sali Berisha ka mohuar para komisionit hetimor takimet me Nuel Kalaj, takime të cilat janë konfirmuar publikisht nga vetë Kalaj. Por, komisioni hetimor nuk mund të bëjë kallëzim për dëshmi të rreme, për shkak se dëshmia e tij është e pavlefshme.

4 provat
Komisioni hetimor ka administruar si provë një e-mail që ish-drejtori i CEZ në Shqipëri, Josef Hejsek, i dërgonte nëndrejtorit të CEZ-it në Pragë, Tomas Pleskac, duke e informuar rreth takimit të planifikuar me ish-kryeministrin Berisha dhe të birin e tij.

Së dyti, nga të dhënat e sistemit TIMS, rezulton se Shkëlzeni dhe Kastriot Ismailaj kanë udhëtuar në një avion drejt Vjenës. Së treti, llogaritë e Shkëlzenit janë shtuar me 300 mijë euro vitin që Nuel Kalaj tërhoqi me çanta 7 milionë euro. Së katërti, dëshmitari Romeo Kara ka folur publikisht për lidhje të Shkëlzenit me Nuel Kalajn.

Po ashtu, komisioni hetimor ka kërkuar administrimin e disa pamjeve filmike të hoteleve në Pragë, në data të caktuara, për të konfirmuar atë që thonë dokumentet. Megjithatë, Shkëlzen Berisha ka deklaruar se nuk ka asnjë lidhje me Nuel Kalajn, ndërsa ka hedhur dyshime se e-maili i Tomas Pleskac mund të jetë manipuluar.


 
Neni 16, ligji për komisionet hetimore
Thirrja për të dëshmuar

1. Komisioni thërret dëshmitarë për të sqaruar rrethana të ndryshme që lidhen
me çështjen, sipas rregullave të parashikuara në Kodin e Procedurës Penale.

Neni 360, Kodi i Procedurës Penale
 Sekretari lexon deklaratën e betimit të dëshmitarit: “Betohem se do të them të vërtetën, të gjithë të vërtetën dhe të mos them asgjë që nuk është e vërtetë”. Pas kësaj dëshmitari deklaron: ‘Betohem’ dhe tregon gjeneralitetet e tij.

Mosrespektimi i dispozitave të paragrafëve 2 dhe 3 sjell pavlefshmërinë e veprimit të kryer.
 
Neni 306 i Kodit Penal
Dëshmia e rreme
Dëshmia e rreme e bërë përpara gjykatës përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

[gallery]20860[/gallery]

Komisioni hetimor për aferën CEZ

Ora 19:00 Ulsi Manja: Dëshmia e Shkëlzen Berishës do përsëritet
Deputeti socialist, Ulsi Manja u shpreh pas mbylljes së komisionit hetimor për CEZ-in, se dëshmia e Shkëlzen Berishës përpara komisionit do përsëritet.
 
Sipas tij, dëshmia do jetë e vlefshme vetëm pas betimit.
 
"Do përsëritet dëshmia. Dëshmia do të jetë vetëm në betim, pas betimit lind përgjegjësia ligjore për dëshmitarin përpara komisionit", u shpreh Manja.  

Ora 18:52 Balla: Shkëlzeni, Saliu e Kalaj, dakordësi për të mos dhënë dëshmi
Kryetari i komisionit hetimor për çështjen CEZ, Taulant Balla, u shpreh se ka dakordësi mes Sali Berishës, Shkëlzen Berishës dhe sekserit të privatizimit, Nuel Kalaj, për të mos dhënë informacion përpara komisionit.

Balla kujtoi se Kalaj ka kryer transaksione bankare në vlerën e 7 milionë eurove dhe ajo që po heton komisioni është se ku kanë shkuar paratë.
 
"Firmosja e privatizimit është bërë në godinën e kryeministrisë. Transaksioni në datën 2126 qershor nga një bankë në çeki, në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri. Personi që po hetojmë është Nuel Kalaj, një person që siç konfirmohet nga emailet e marra në rrugë shumë zyrtare, ka pasur lidhje me autoritetet, përfshirë edhe me ish kryeministrin Sali Berisha. Në një prej emaileve përmendet emri i Shkëlzen Berishës për takime me ata pas takimeve me babain. Provat janë siguruar në rrugë zyrtare. Përveç dëshmisë së Kalajt, duhej të merrej edhe dëshmia e Shkëlzen Berishës. Komisioni gjendet përpara një situate aspak të mirë dhe antiligjore nëse do procedonte me marrjen e dëshmisë pa bërë betimin nga dëshmitari.
 
Nuel Kalaj, presioni që ka marrë 7 milionë euro, nuk paraqitet në këtë komision. Sali Ram Berisha, ish-kryeministër, ka dhënë një dëshmi në komision. Dëshmia është e pavlefshme sepse s'ka kryer betimin, dhe nuk është përgjigjur fare për këtë çështje. Dhe personi tjetër i lidhur, Shkëlzen Berisha, nuk pranon të bëjë dëshminë dhe mos bërja e dëshmisë bën të pavlefshëm marrjen e dëshmisë. Ka një dakordësi mes të treve për të mos furnizuar komisionin me informacionin që ata kanë. Çfarë i bashkon këta të tre? Këta nuk duan të dëshmojnë përpara këtij komisioni"
, u shpreh Balla.
 
Deputeti socialist theksoi se komisioni do të insistojë në marrjen e dëshmisë së Kalajt dhe Shkëlzen Berishës. "Janë dy personat pjesë shumë e rëndësishme e hetimit. Për herë të parë në këto 25 vjet, nuk ka pasur një komision hetimor parlamentar i bindur për t'i shkuar gjërave deri në fund. Ne veprën e krimit e kemi gjetur, paratë, kemi dyshuar që privatizimi i OSSH është shoqëruar me ryshfet, e kemi gjetur, dhe tani kemi gjetur edhe sekserin që është Nuel Kalaj, sa kohë që nuk vjen në komision, dhe tani duam të gjejmë se ku personi i ka çuar paratë", theksoi Balla.


 
Ora 18: 45 Shkëlzen Berisha: S'kam lidhje me Kalajn, të dëshmojë Ismailaj
Shkëlzen Berisha ka deklaruar përpara mediave, pas daljes nga komisioni hetimor për CEZ, se nuk mund të bëjë betimin dhe s'mund të japë dëshmi përpara një të dënuari për shpifje.
 
Sipas tij, Balla është në konflikt interesi për shkak të vendimit të gjykatës.
 
Ai shtoi gjithashtu se nuk ka asnjë lidhje me sekserin tjetër të CEZ-it, Nuel Kalajn, ndërsa kërkoi nga komisioni që të thërrasë Kastriot Ismailajn për të dëshmuar.
 
"Nuk mund të bëj betimin përpara një të dënuari për shpifje. Është me vendim gjykate i dënuar. Le të japë dorëheqjen dhe komisionin ta drejtojë dikush tjetër.
 
Nuk kam asnjë lloj lidhje me Nuel Kalajn dhe punën e komisionit. Pse nuk thërrasin z./Ismailaj për të dëshmuar në komision. Unë nuk di se çfarë provash ka administruar ky komision. SI kanë ardhur, janë apo jo prova reale. Nuk kam asnjë lidhje as me personin dhe as me aktivitetin e tij. Ka dëshmitarë që mund të pyeten",
tha ai. 



Ora 18:40 Mbyllet komisioni hetimor për aferën CEZ

Taulant Balla: Atëherë nëse dëshmitari nuk bën betimin, ndërpritet seanca. 

Shkëlzen Berisha: Jep dorëheqjen. Je në konflikt interesi. 

Ulsi Manja: Pa bërë betimin, dëshmia e dëshmitarit është e pavlefshme. 

Taulant Balla: Z.Dëshmitar bëj betimin. 

Taulant Balla: Dëshmia është tepër e rëndësishme dhe dëshmia do të merret. Është hera e parë që ky komision hetimor po i shkon në fund gjërave dhe e kuptoj shumë mirë strategjinë për të mos dhënë dëshmi. Strategjia e Sali Berishës ngjan me strategjinë e të birit të tij sot. Pa bërë betimin, nuk vlen dëshmia. Deklarimi i dhënë në komision nuk ka vlerë. 

Arben Ristani: Je në konflikt interesi, pasi je dënuar nga Gjykata për shpifje ndaj z.Berisha. 

Taulant Balla: Thuaj betohem, e di që e ke të vështirë dhe s'e dua dot, por thuaj betohem dhe vazhdojmë me gjeneralitetet. Në të kundër dëshmia është e pavlerë. 

Shkëlzen Berisha- Taulant Ballës: Gjeneralitetet e mia i ke te vendimi i gjykatës i dënuar për shpifje. Nuk betohem para një të dënuari për shpifje. 

Taulant Balla: Z.Dëshmitar, bëj betimin dhe jep gjeneralitetet. 

Ora 18:22 Shkëlzen Berisha paraqitet si dëshmitar në komisionin hetimor.

Dhurata Çupi-Taulant Ballës: Je dënuar nga gjykata për shpifje. Duhet të jepni dorëheqje dhe mbledhja të drejtohet nga zv/kryetari. 

Ora 18:20 Opozita kërkon dorëheqjen e Ballës: Je në konflikt interesi me Shkëlzen Berishën. 

Ora 17:40 Shkëlzen Berisha do dëshmojë pas ish-drejtorit të Pastrimit të Parave, Arben Doçi

Ora 17:35 Shkëlzen Berisha mbërrin në ambientet e Kryesisë së Kuvendit

Ora 17:30 Nis mbledhja e komisionit hetimor për CEZ
Ka nisur mbledhja e komisionit hetimor aferën CEZ. Në këtë mbledhje pritet të dëshmojë edhe Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Sali Berisha, personi i cili dyshohet se ka luajtur rol kyç në privatizimin e OSSH te kompania çeke CEZ. 

Përpara dëshmisë së Shkëlzen Berishës, komisioni do dëgjojë ish-drejtorin e Drejtorisë së Pastrimit të Parave, Arben Doçi. 

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Jubileu 2025, Papa Françesku hap derën e shenjtë në burg

Jubileu 2025, Papa Françesku hap derën e shenjtë në burg