Prej janari deri në dhjetor të vitit 2026, i gjithë vendi do të përfshihet në fushatën e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme. Ky proces do të bëhet përmes një norme tatimore prej 5%, ndryshe nga sa është aktualisht prej 15% nëse shitet prona.

Kjo është norma më e lartë tatimore e aplikuar ndonjëherë për këtë proces, që prej kur ka ndodhur rivlerësimi i parë, që është e njëjtë si për bizneset dhe për individët. Tatimi paguhet për diferencën e vlerës mes asaj të regjistruar në kadastër dhe asaj me të cilën shitet.

Konkretisht nëse një person ka blerë një pronë 100 mijë euro dhe sot e shet 120 mijë euro, ai do të duhet të paguaj 15% tatimin për këtë diferencë prej 20 mijë eurosh qytetari i detyrohet shtetit 3 mijë euro, ndërsa me këtë ndryshim ligjor kur bëhet përafrimi i çmimit me vlerën e tregut tatimi zbret në 5%, dhe paguan 1000 euro.

“Do të jetë tërheqëse për ata që kanë më shumë se një pronë të paluajtshme. Ulja me 3 herë e tatimit, sepse tani është 15% është pozitive. Por për ne që kemi të ardhura të mesme është e lartë norma 5%. Dakord për biznesin 5% sepse është i konsoliduar por për qytetarët është e lartë, dhe duhet të jetë 3%. E para qytetari që nuk ka ndërmend ta shesë, por duhet ta rivlerësojë pasi do të marrë një kredi, dhe është mirë ti rritet kolaterali. Por kur ke të ardhura të pakta 5% është normë e lartë”, thotë eksperti Fatos Çoçoli.

Pas procesit të rivlerësimit tregu sipas ekspertëve do të ndryshojë. Më shumë prona do të hidhen në treg për tu shitur, dhe më shumë mundësi do të ketë nga qytetarët për të blerë, pasi përfitojnë si nga tatimi i reduktuar, po ashtu edhe nga fakti që vlera e pronës është e njëjtë me atë të tregut.

“Mendoj se në tregun imobiliar do të futet një numër i lartë apartamentesh, nga ata që nuk e kanë pasur prioritet shitjen por edhe për ata që nuk e kanë pasur prioritet blerjen. Tregu është frenuar deri më tani duke pritur rivlerësimin”, thotë eksperti i Pasurive të Paluajtshme Orgest Beti.

Rivlerësimi do të kryhet me dy procedura. E para përmes një vlerësuesi të pasurive të paluahtshme, i cili e vlerëson pronën duke e përafruar me çmimet në treg, dhe së dyti përmes Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, por këtë herë vlera e pronës afrohet vetëm me referencat që ka zona.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:52
A do ketë në Shqipëri rënie të çmimeve të apartamenteve? Përgjigjet eksperti

Eksperti i Pasurive të Paluajtshme Orgest Beti thotë se pavarësisht shpresës së qytetarëve blerës, çmimi i apartamenteve në Shqipëri do të vazhdojë të rritet, ndikuar nga interesi i shtuar i huajve dhe shqiptarëve të diasporës për të blerë në vendin tonë, si dhe nga anëtarësimi i mundshëm dhe i pritshëm i vendit në Bashkimin Europian.

“Fakti që së shpejti do të jemi pjesë e familjes europiane, këtu do të ndodhë një proces që unë e kam thënë shpesh, që u kanë ndodhur dhe vendeve të tjera që janë bërë anëtarë të Bashkimit Europian, dhe atje ka patur një rritje me 20% apo 30%, edhe më shumë. Shqipëria tashmë ne shikojmë se ka një interes të shtuar nga të huajt, madje sipas statistikave që ne kemi 20 apo 30% e blerësve në bregdet janë të huaj dhe shqiptarë të diasporës”,- tha Beti.

Po ashtu në vitin 2026, me përjashtim të Tiranës, vlera e pronës në të gjithë vendin do të rritet, pasi hyjnë në fuqi çmimet e reja të referencës, që janë konsultuar gjatë këtij viti.

Çmimet më të kripura me referencat e reja do të jenë në zonën e Portit në Durrës 2000 euro dhe në Sazan, që barazohen me referencat në Tiranë për zonën rreth Stadiumit dhe Piramidës.

Ora 16:13
Rivlerësimi/ Për herë të parë do njihet vjetërsia e pronës, eksperti: Njohja e amortizimit është drejtësi ndaj qytetarëve

 

Për herë të parë në rivlerësimin e pasurive të paluajtshme do të njihet edhe amortizimi i pronave, pra vjetërsia e pronës, sa më e vjetër të jetë prona aq më pak do të paguhet tatim pas procesit të rivlerësimit.

Në rast se keni një banesë me vjetërsi 10-vjeçare do t’ju zbritet nga çmimi pas rivlerësimit 10% e vlerës që ka dalë dhe më pas do të paguhet tatimi.

Njohja e amortizimit është 1% për çdo vit vjetërsie. Pra nëse një banesë e vitit 2015, me vlerë 100 mijë euro, rivlerësohet dhe i shkon vlera 120 mijë euro, tatimi 5% nuk do të paguhet për diferencën prej 20 mijë eurosh, pasi fillimisht kësaj shume do ti zbritet amortizimi 10% ose 2 mijë euro, dhe tatimi do të paguhet mbi 18 mijë euroshin.

“Është lehtësi dhe është drejtësi. Pse drejtësi? Sepse deri tani qytetarët që e kanë shitur me 15%, po edhe me 3% kur ka qenë më përpara gjithnjë ishin të trajtuar në mënyrë jo të barabartë. Në rast se ti ke një banesë që e ke të vjetër, e ke të periudhës së komunizmit, edhe pse çmimi tregut për metër katror aty është shumë i rritur dhe çmimi i referencës për zonën ku banon qytetari është prap shumë i rritur nuk mund ta çosh ti duke patur 20-30 vjet amortizim. Ka qenë një padrejtësi që i bëhej qytetarit sepse nuk i zbritej në momentin që e shiste atë”,- tha eksperti Fatos Çoçoli.

Edhe eksperti i Pasurive të Paluajtshme, Orgest Beti, tha se përfshirja e elementit të amortizimit në rivlerësimin e një objekti është një kriter i logjikshëm dhe që duhej përfshirë më herët.

“Në fakt kjo është një gjë shumë e mirë pasi në rast se marrim një apartament le të themi që në një pallat të para viteve ’90 dhe një apartament i cili është pas 2020, nuk mund të kemi të njëjtin çmim. Logjika është shumë e saktë. Duhej të ishtë bërë më përpara por nuk është vonë”,- tha Beti.

Çoçoli shtoi se tatimi aktual prej 15% ka ulur ndjeshëm transaksionet dhe si rrjedhjojë ka rritur informalitetin.

“Shoqatat e kanë ngritur disa herë që 15% është një taksë shumë e lartë. Në momentin që ti e vendos 15%, e ke detyruar qyterarin të tkurret për ta shitur pronën, të mos ketë interes ta shesë, sepse 15% nuk është pak. Janë ndrojtur, dhe kemi pasur më pak transaksione. Edhe të ardhura më pak në buxhet sepse kemi pasur më pak tjetësime, sepse kemi patur më pak blerje të pasurive të patundshme, nga ana tjetër dhe qytetarët janë tkurrur. Kjo nuk do të ndodhte nëse do kishim 3% e normës tatimore që kemi pastur në 2019-2022”,- tha Çoçoli

Ora 15:43
Çfarë është rivlerësimi i pasurive të paluajtshme? Në 1 dekadë përmes 3 fushatave mbi 250 mijë pronave iu rrit vlera

Gati në çdo tre vjet Shqipëria është përfshirë nga fushata të rivlerësimit të pasurive të paluajtshme, ose ndryshe afrim i vlerës së pronës me çmimet aktuale në treg.

Në vitet 2011-2013 u rivlerësuan më shumë se 95 mijë prona, me një normë tatimore 1%, dhe buxheti i shtetit fitoi 39.8 milionë euro të ardhura, si rezultat i pagesës që bënë qytetar e biznese për diferencën midis vlerës që kishte prona e tyre dhe asaj që doli pas rivlerësimit.

Tre vite më vonë në vitet 2016-2017 u realizua fushata e dytë rivlerësuese. Këtë herë interesi ishte më i ulët pasi interesi u dyfishua, nga 1 në 2%. Në total ju nënshtruan këtij procesi 64 mijë e 686 pasuri të patundshme, ndërsa buxheti i shtetit përfitoi më shumë 56.9 milionë euro si rezultat i tatimit më të lartë.

I fundit rivlerësim u bë në periudhën 2020-2022, që pati normë tatimore 3%, dhe në total u afruan me çmimet e tregut 94 mijë pasuri të paluajtshme, të qytetarëve shqiptar apo bizneseve.

Nga kjo fushatë e fundit buxheti i shtetit përfitoi 138.6 milionë euro, pasi edhe tatimi ishte më i lartë, por për shkak se edhe çmimet në treg ishin rritur ndjeshëm.