Çfarë do të thonte për koronavirusin një milanez ekselent si Umberto Veronesi

Çfarë do të thonte për koronavirusin një milanez ekselent si Umberto Veronesi

Një nga mjekët më të ndritur italianë të kohërave, Umberto Veronesi, nuk jeton më prej 2016. Iku nga kjo botë në moshën 91 vjeçare, pasi i kushtoi një jetë të tërë luftës kundër kancerit, të keqes së shekullit, e sidomos, të kancerit të gjirit duke hapur një epokë të re shpresash shërimi për miliona vajza, nëna nëpër botë. Kushedi se ç’do të thonte një italian ekselent si ai, në këto kohë pandemie.

Jetoi dhe punoi në Milano, në qytetin sot të fshikulluar nga kërcënimi i koronavirusit. Atje pata fatin ta takoja. Nuk ishte mjek, nuk ishte njeri i zakonshëm, ishte një “Maestro” që kishte vëzhguar me kujdes jetën në të mirën e të keqen që ofron.

Në këto ditë karantine po rirexoj librin e tij “La Dieta del Digiuno” (Dieta e agjërimit), shkruar me bashkëpunëtoren e ngushtë, mjeken MariaGiovanna Luini, vetëm 3 vite para se të largohej nga kjo jetë, dhe gjej në të esenca mençurie që kujtdo do t’i vlenin si një guidë për një shtëndet të mbarë. Në karrierën e gjatë si shkencëtar, zbuloi rëndësinë e të ushqyerit dhe sidomos ekuilibrin e tij. Vetë, në kapërcim të 80-ave hante vetëm një vakt në ditë, por për kë nuk e koncepton këtë mënyrë, që e quante thellësisht personale dhe të diktuar nga jeta specifike, e sidomos nga gjurmët që në të kishte lënë urija e luftës dhe e pasluftës në Itali, këmbëngulte për një ushqim të ekuilibruar. Vetë ishte vegjetarian, pasi e konsideronte të pamundur të ushqehej me jetë kafshësh të sakrifikuara, por edhe kjo është një pikëarritje që kërkon një rrugë të gjatë e sidomos, një mendje e shpirt të rafinuar, pakicë ende në glob.

“Të hash pak ose aspak të bën keq, por të bën po aq keq të hash shumë”, shkruan. E konsideron të domosdoshëm ndryshimin e një stili jete dhe të një mbiushqimi që ka treguar shkencërisht se është shkaktar i 50% të sëmundjeve të rënda dhe invaliduese në botë. Ishte partizan i dietës mesdhetare, asaj që njohim edhe ne, me fasule, bathë, bizele, qiqra, bulmet, drithëra, fruta e perime, vezë e sa më pak mish e peshk dhe shpenzoi kohë të çmuar për ta shpërndarë si filozofi këtë dietë.

Umberto Veronesi u largua i shqetësuar për shëndetin dhe politikat shëndetësore që vendet e civilizuara ndërmarrin për popullsinë. I konsideronte të gabuara. I shkruajti në libra dhe i tha në intervista dhe në çdo komunikim publik, por asgjë nuk ndryshoi në vrapin e botës së pasur drejt ushqimit të shfrenuar, fast food-eve dhe përdorimin pa kriter të sheqerit, sidomos te fëmijët. Iku pa parë të zgjidhej ky problem; ushqimin e shëndetshëm e konsideronte si një “sigurim për jetën”. Edhe sot, me siguri, do të buzëqeshte i trishtuar, ndërsa do të shihte planetin të torturuar, të frikësuar, të kërcënuar nga një virus kapriçoz që na gjeti të papërgatitur.

Më vjen mirë që në Tiranë ka zëra sa vjen e shtohen për ushqimin korrekt dhe të ekuilibruar, pa përbuzur arritjet e mëdha që ka bërë shkenca dhe mjeksia, ku mosha mesatare e njerëzve nga 50 vjeç që ishte në vende si Italia e akoma më pak në Shqipëri, kur në ndodhi pandemia e etheve spanjolle në 1920, sot është 70 vjeç. Por ende shumë kemi për të bërë individualisht.

Në javën e katërt të karantinës, por edhe në vetminë e ditëve që po vijnë, të lexojmë dhe dëgjojmë ata njerëz që kanë dhënë e kanë bërë shumë për njerëzimin. Të lexojmë, të dëgjojmë më të mirët, që të nisim kështu revolucionin tonë: Nuk ka kuptim të vazhdojmë të hamë shumë, nuk ka kuptim të mësojmë fëmijët me patatina, pije të gazuara të mbingarkuara me sheqer, me ëmbëlsira të konfeksionuara. Të mendojmë vetëm për një çast se kur ua blejmë, është sikur të kemi firmosur me dorën tonë brishtësinë e tyre shëndetësore përballë jetës dhe çdo virusi. Brenda mureve të shtëpisë sonë jemi qeveria, presidenca, gjyqësori e ministria e shëndetësisë vetë ne. Të tregojmë se duam dhe dimë të ndryshojmë.

 

xy/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • vjeshta: 04/04/2020 10:24

    Fjalë me vënd moj motër. Po restorantet shqiptarë gatuajnë mish tri herë ne ditë. Dhe per familjet tona gjeja kryesore që mendihet është mishi. Njoh famije ne fshatin Tim që hajnë tre kater derra në vit

    Përgjigju
  • natyra: 03/04/2020 16:31

    Mish thiu e laken te zeze ju rekimandoj

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë