Ballafaqimi me botën perëndimore pas izolimit të gjatë dhe absurd komunist, na njohu me një jetë që më përpara as nuk e kishim në mendje se ekzistonte. Të ndrydhur në një shoqëri patriarkale dhe nën Partinë-Shtet, të mësuar se në familje, në punë, në shoqëri më mirë nuk duhej folur se të shprehej mendimi, u përballëm, përtej të mirave materiale, lirisë individuale, edhe me tolerancën e botës perëndimore që prej vitesh kishte luftuar për liritë dhe të drejtat e njeriut, si mënyra më dinjitoze për ekzistencën njerëzore.
Në Universitetet perëndimore, profesorë me mjekër të gjatë, syze të trasha dëgjonin dhe kundërshtonin me durim mendime nga më trasgresivet të studentëve nga mbarë bota. Studentët po formonin individualitetin e tyre, ndërsa profesorët kujdeseshin që asnjë mendim të mos ndrydhej, por të merrte formën e duhur të logjikës, demokracisë dhe të respektit të ndërsjelltë për individët pavarësisht racës, mendimeve politike, gjinisë. E gjitha kjo me durimin dhe ngadalësinë që kërkon dhe hekuri, mermeri për të bërë kryevepra nga duart e mjeshtërve më të mirë.
Ky është Perëndimi dhe për këtë liri të çmuar e demokraci në formën e saj më të arrirë, njerëz nga i gjithë globi mbërrijnë dhe e synojnë në të gjitha format. Përditë.
Më shumë se të mirat materiale, më shumë se bukuritë arkitektonike, është krijimi i një qytetërimi i cili kudo, nga fabrikat, në bankat e shkollave dhe universiteteve, në ndërmarrje e banka, në spitale e muze, përmes rregullave të tij krijon mundësinë e moskapërcimit të linjave të kuqe që mund të lëndojnë ekzistencën si Njeri.
Shqipëria është ende në Purgatorin danteks, në rrugë e sipër për të arritur Parajsën, jo atë të jetës së përtejshme, por të një jetë vërtetë demokratike, të drejtë, të balancuar, harmonike dhe respektuese të një qytetërimi të mirë. Prandaj frika më e madhe, ajo që bën të tolerohet sot çdo ves e gabim, mbetet rikthimi në epokën e shpellarëve, të njerëzve që rregullat i përdorin vetëm për përfitime personale, apo si tapetë për të kaluar rrugë që i kanë mbushur me mbeturinat personale. Shqiptarët sot shmangin si djallin vetë ata që ndryshe flasin e ndyshe veprojnë duke na gënjyer në dritën e diellit duke menduar se jemi ende ata njerëzit e Shpellës së Platonit.
Por shqiptarët kanë dalë nga ajo shpellë dhe kanë kuptuar njëherë e mirë se hijet që shihnin brenda saj nuk ishin jeta e vërtetë.