Pas dënimit në shkallën e parë, beteja ligjore e katër ish-krerëve të UÇK-së hyn në një fazë të re. Mbrojtja ka bërë të ditur se do ta ankimojë aktgjykimin, ndërsa Dhomat e Specializuara kanë sqaruar për mediat në Kosovë procedurën që do të ndiqet deri në vendimin e Apelit. Nga afati i parë 30-ditor deri te vendimi përfundimtar, procesi pritet të zgjasë me muaj dhe do të kalojë në disa etapa.

Hapi i parë nis vetëm pasi mbrojtja dhe Prokuroria të marrin aktgjykimin e plotë me shkrim. Nga ai moment, të dyja palët kanë 30 ditë kohë për të dorëzuar njoftimin zyrtar nëse do ta ankimojnë vendimin. Ky dokument nuk është ende apelimi i plotë, por një njoftim ku duhet të përcaktohen qartë pikat e aktgjykimit që kundërshtohen dhe arsyet kryesore mbi të cilat do të mbështetet ankesa.

Në rastin e katër ish-krerëve të UÇK-së, mbrojtja e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit e ka bërë tashmë të qartë se do ta ndjekë këtë rrugë. Avokatët kanë deklaruar se shohin gabime faktike, ligjore dhe procedurale në vendimin e shkallës së parë dhe kanë paralajmëruar se do t'i paraqesin ato para Panelit të Apelit.

Por njoftimi është vetëm fillimi. Pas tij, pala që apelon ka edhe 60 ditë kohë për të dorëzuar parashtresën e plotë, ku argumenton në mënyrë të detajuar pse kërkon ndryshimin ose rrëzimin e aktgjykimit. Në këtë fazë paraqiten analizat juridike, referencat ligjore dhe çdo argument që, sipas mbrojtjes ose Prokurorisë, tregon se vendimi i shkallës së parë ka gabime.

Pasi dorëzohet apelimi i plotë, pala kundërshtare ka 30 ditë kohë për t'iu përgjigjur. Nëse është mbrojtja ajo që apelon, Prokuroria paraqet argumentet e saj përse vendimi duhet të mbetet në fuqi. Më pas, pala që ka apeluar ka edhe 15 ditë për të paraqitur kundërpërgjigjen e fundit.

Në këtë fazë, Presidenti i Dhomave të Specializuara cakton një Panel Apeli me tre gjyqtarë, i cili do të shqyrtojë çështjen. Paneli mund të vendosë vetëm mbi bazën e dokumenteve të dorëzuara, por nëse e konsideron të nevojshme, mund të thërrasë edhe një seancë dëgjimore, ku palët mbrojnë drejtpërdrejt argumentet e tyre.

Gjatë procedurës së Apelit mund të paraqiten edhe kërkesa për pranimin e provave të reja, por vetëm në rrethana të caktuara dhe nëse plotësohen kushtet e parashikuara nga rregullorja e Gjykatës. Më pas, pasi të kenë përfunduar të gjitha parashtresat, gjyqtarët tërhiqen në deliberim, fazë gjatë së cilës analizojnë provat dhe argumentet para se të marrin vendimin.

Sipas sqarimeve të Dhomave të Specializuara, aktgjykimi i Apelit duhet të shpallet brenda 60 ditëve nga dorëzimi i parashtresës së fundit, përveç rasteve kur rrethanat kërkojnë zgjatjen e këtij afati.

Në fund të këtij procesi, Paneli i Apelit ka disa mundësi. Ai mund ta lërë në fuqi aktgjykimin e shkallës së parë, ta ndryshojë atë duke ulur ose rritur dënimin, ose ta rrëzojë pjesërisht apo plotësisht, nëse arrin në përfundimin se ka pasur gabime të rëndësishme në ligj ose në vlerësimin e fakteve.

Për këtë arsye, edhe pse aktgjykimi i 16 shtatorit shënoi fundin e procesit në shkallën e parë, beteja gjyqësore për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin është larg përfundimit. Faza e Apelit pritet të jetë vendimtare për fatin e çështjes dhe mund të zgjasë për muaj të tërë.