Kjo video 47-sekondëshe, e xhiruar nga një agjent i emigracionit amerikan tregon momentet para se Renee Nicole Good të qëllohej për vdekje të mërkurën në Minneapolis të Shteteve të Bashkuara.

Pamjet e reja, të publikuara të premten, e tregojnë Good duke qëndruar në timonin e makinës së saj dhe duke folur me agjentin. Në video, ajo dëgjohet të thotë se nuk është e zemëruar, ndërsa bashkëshortja e saj, Becca Good, filmon nga rruga dhe shkëmben fjalë me agjentin.

Videoja nis me agjentin që del nga makina e tij dhe filmon automjetin Honda SUV të Good, përfshirë targën, teksa ecën rreth saj. Një qen shihet në sediljen e pasme të makinës. Pamjet e xhiruara nga agjenti i ICE që e qëlloi treguan nënën e tre fëmijëve, duke thënë “gjithçka është okay” dhe “nuk jam e zemëruar me ty” ndërsa ai i afrohej. Situata përshkallëzohet kur një agjent tjetër afrohet nga ana e shoferit dhe i kërkon Good të dalë nga makina. Good fillon të lëvizë makinën përpara për t’u larguar dhe me ngadalë prek oficerin e parë, i cili nuk u rrëzua

Në atë çast, oficeri e qëlloi gruan disa herë, duke e plagosur rëndë dhe duke i shkaktuar vdekjen, ndërsa një zë në video dëgjohet duke thënë: “Fucking bitch.”

Pamje të tjera të publikuara më herët tregojnë automjetin ngjyrë gështenjë të përplasur anash rrugës, pasi Good ishte qëlluar. Agjenti shihet në këmbë dhe më pas duke iu afruar makinës së dëmtuar.

Administrata e presidentit Donald Trump ka deklaruar se Good ka tentuar të shtypë me makinë agjentin e ICE, duke e cilësuar veprimin si “terrorizëm të brendshëm”. Sipas Shtëpisë së Bardhë, ajo kishte bllokuar rrugën dhe kishte penguar punën e agjencisë.

Nënpresidenti i SHBA-ve, JD Vance, e shpërndau videon në rrjetet sociale, duke deklaruar se agjenti ka vepruar në vetëmbrojtje. Ndërkohë, kryebashkiaku demokrat i Minneapolisit, Jacob Frey, e quajti versionin e administratës “të pavërtetë”. Sipas tij, pamjet nuk tregojnë se gruaja përbënte rrezik.

Vrasja ka shkaktuar protesta në disa qytete të SHBA-së. 

Një fushatë GoFundMe në emrin e saj mblodhi plot 1.5 milionë dollarë.

Agjenti i ICE që vrau nënën e tre fëmijëve, është identifikuar si Jonathan E. Ross. Në qershor të vitit 2025, ai u morr zvarrë nga një mjet tjetër gjatë arrestimit të një emigranti pa dokumenta.