Pas barazimit 3-3 në takimin e parë të zhvilluar në Rrogozhinë, Egnatia rikthehet sot në fushë për sfidën vendimtare ndaj kampionëve të Sllovenisë, Celje. Kampionët e Shqipërisë do të kërkojnë të shkruajnë historinë, duke siguruar për herë të parë një kualifikim në raundin e tretë eliminator të Champions League.

Përballja pritet të jetë mjaft e vështirë, por gjithçka mbetet e hapur pas rezultatit të ndeshjes së parë. Skuadra e drejtuar nga Nevil Dede synon të korrigjojë gabimet në repartin mbrojtës, pasi në Rrogozhinë pësoi tre gola të evitueshëm. Në anën tjetër, sulmi ka dhënë sinjale pozitive në të gjitha sfidat evropiane të kësaj vere dhe pritet të jetë arma kryesore edhe në transfertën sllovene.

Egnatia ka treguar se zotëron cilësitë për të vazhduar aventurën evropiane. Pas eliminimit të kampionëve të Moldavisë, Petrokub, rrogozhinasit janë vetëm 90 minuta larg një tjetër arritjeje historike. Në rast kualifikimi, kundërshtari në raundin e tretë eliminator do të jetë fituesi i çiftit Ararat - Shamrock Rovers, përkatësisht kampionët e Armenisë ose të Irlandës.

Sfida Celje - Egnatia do të luhet këtë mbrëmje, duke nisur nga ora 20:15, ndërsa drejtësinë në fushë do ta vendosë arbitri holandez Joey Kooij.