Frank Lampard dhe Chelsea kanë gjetur akordin dhe legjenda e Bluve do jetë trajneri i ri i klubit nga "Stemford Bridge" të paktën për dy muajt e ardhshëm. Klubi i Premier League bën me dije se sot tekniku do drejtojë stërvitjen e ekipit, me palët që kanë rënë dakord për kontratën.
Lampard zë kështu vendin e të shkarkuarit Potter, teksa edhe vetë pësoi të njëjtin fat pak javë më parë nga Evertoni. Ky është një rikthim për Lampard te Blutë, pasi më herët i drejtoi në 84 ndeshje nga të cilat arriti 44 fitore por u shkarkua pas pesë humbjeve në kampionat.
Në aventurën e parë, Lampard e dërgoi skuadrën në finalen e FA Cup. Me 14 pikë larg katër skuadrave më të mirë, Chelsea e gjen veten në vendin e 11-të në Premier League.
Debutimi i tij pritet të shtunën kundër Wolves në transfertë, para se të mërkurën e 12 prillit të përballet me Real Madridin në çerekfinalet e Champions League. Lampard do jetë pjesë e stolit të Bluve për dy muaj, me klubin që po mendon për një trajner afatgjatë pas verës dhe emrat më të lakuar janë Luis Enrique dhe Antonio Conte.