Cilat janë arsyet e konfliktit izraelito-palestinez dhe si nisi ai?

Cilat janë arsyet e konfliktit izraelito-palestinez dhe si nisi ai?

Lufta mes Izraelit dhe militantëve të Hamasit, që më 7 tetor sulmuan qytete dhe komuna izraelite (të njohura si kibbutz), është më e fundit në konfliktin që vazhdon prej 7 dekadash ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve, e cila ka shkaktuar paqëndrueshmëri në Lindjen e Mesme.

Gjatë sulmit të Hamasit, mbetën të vrarë 1400 izraelitë, shumica civilë, ndërsa më shumë se 240 persona u morën peng. Në përgjigje të këtij akti, Izraeli ndërmorri sulme ajrore, përpara se drejt Gazës të dërgoheshin trupa dhe tanke, në kuadër të ofensivës tokësore, që sipas izraelitëve, synon të eleminojë grupin militant të Hamasit.

Zyrtarët e shëndetësisë në Gazë, që kontrollohet nga Hamasi, deklaruan të hënën, më 6 nëntor, se mbi 9700 palestinezë kanë humbur jetën nga sulmet izraelite.

 

CILA ËSHTË ORIGJINA E KONFLIKTIT?

Konflikti vë përballë kërkesat e Izraelit për siguri, në atë që prej kohësh ai e cilëson si një Lindje të Mesme armiqësore, kundrejt aspiratave palestineze për të patur një shtet të vetin. Hamasi refuzon një zgjidhje përmes krijimit të dy shteteve dhe është zotuar për shkatërrimin e Izraelit.

Në vitin 1947 Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi një plan për ndarjen e Palestinës në dy shtete, arabe dhe hebre dhe vendosjen e Jeruzalemit në administrim ndërkombëtar.

Udhëheqësit hebrenj e pranuan planin, që u jepte atyre 56 për qind të tokës palestineze. Lidhja Arabe e refuzoi propozimin.

David Ben-Gurion, themelues i Izraelit, shpalli krijimin e shtetit modern të Izraelit më 14 maj 1948, si një vend të sigurt për hebrenjtë që kërkonin t’i shpëtonin persekutimit dhe kërkonin një strehë në një tokë, me të cilën, sipas tyre, kishin lidhje të forta që në lashtësi.

Megjithatë, dhuna mes hebrenjve dhe arabëve vazhdoi të intensifikohej dhe vetëm një ditë pas krijimit të shtetit të Izraelit, trupa nga pesë shtete arabe nisën sulmet kundër tij.

Në luftën që pasoi, më shumë se 700 mijë palestinezë, ose sa gjysma e popullsisë arabe të Palestinës së kontrolluar nga Britania, u larguan ose u dëbuan nga shtëpitë e tyre dhe përfunduan në Jordani, Libi, Siri, si edhe në Gazë, Bregun Perëndimor dhe Jeruzalemin Lindor.

Palestinezët e cilësojnë atë që ndodhi si “Nakba”, ose katastrofë. Izraeli i kundërshton pretendimet se ishte ai që detyroi largimin e palestinezëve.

Marrëveshjet e armëpushimit bënë që të ndërpriten luftimet në vitin 1949, por zyrtarisht nuk pati paqe. Palestinezët që qëndruan pas luftës dhe pasardhësit e tyre sot, përbëjnë rreth 20% të popullsisë së Izraelit.

 

CILAT KANË QENË LUFTRAT KRYESORE NGA AJO KOHË?

 

Në vitin 1967, Izraeli organizoi një sulm parandalues kundër Egjipit dhe Sirisë, duke nisur atë që njihet si “Lufta 6-Ditore".

Izraeli i mori Jordanisë Bregun Perëndimor dhe Jeruzalemin Lindor Arab, Sirisë i mori Lartësitë Golan dhe Egjiptit Rripin e Gazës, duke i pushtuar këto territore.

Sipas regjistrimit izraelit të atij viti, popullsia e Gazës ishte 394 mijë, nga të cilët, të paktën 60% ishin refugjatë palestinezë dhe pasardhës të tyre.

Në vitin 1973, Egjipti dhe Siria ndërrmorën një sulm të befasishëm kundër pozicioneve izraelite përgjatë Kanalit të Suezit dhe Lartësive Golan, duke filluar kështu atë që njihet si Lufta e Yom Kipurit. Izraeli i zmbrapsi të dyja ushtritë brenda tre javësh.

Izraeli sulmoi Libanin në vitin 1982 dhe mijëra luftëtarë të Organizatës për Çlirimin e Palestinës (OÇP) nën drejtimin e Jaser Arafatit u evakuuan nga deti pas një rrethimi 10-javor. Trupat izraelite u tërhoqën nga Libani në vitin 2000.

Në vitin 2005, Izraeli tërhoqi në mënyrë të njëanshme ushtarët dhe banorët nga vendbanimet izraelite në Gazë. Hamasi fitoi zgjedhjet parlamentare në vitin 2006 dhe mori kontrollin e plotë të Gazës në vitin 2007. Gaza është përballur me luftime të ashpra mes militantëve palestinezë dhe Izraelit në vitet 2006, 2008, 2012, 2014 dhe 2021.

Në vitin 2006, militantët e Hezbollahut, grup që mbështetet nga Irani, zunë rob dy ushtarë izraelitë në një zonë kufitare dhe Izraeli ndërmorri veprime ushtarake që çuan në një luftë gjashtëjavore.

Përveç luftërave, ka pasur dhe dy kryengritje palestineze, të njohura si intifada, nga viti 1987 deri në 1993 dhe gjatë viteve 2000 - 2005.

Gjatë kryengritjes së dytë, Hamasi dhe grupet e tjera militante palestineze, kryen sulme vetëvrasëse kundër izraelitëve dhe Izraeli kreu sulme ajrore dhe sulme me tanke në qytetet palestineze.

 

CILAT KANË QENË PËRPJEKJET PËR VENDOSJEN E PAQES?

 

Në vitin 1979, Egjipti dhe Izraeli nënshkruan një traktat paqeje.

Në vitin 1993, kryeministri izraelit Yitzhak Rabin dhe udhëheqësi i Organizatës për Çlirimin e Palestinës, Jaser Arafat shtrënguan duart për Marrëveshjet e Oslos, marrëveshje që përcaktonte autonomi të kufizuar për palestinezët.

Në vitin 1994, Izraeli nënshkroi një traktat paqeje me Jordaninë.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Bill Clinton, kryeministri izraelit Ehud Barak dhe udhëheqësi i Organizatës për Çlirimin e Palestinës Jaser Arafat morën pjesë në takimin e nivelit të lartë të vitit 2000, në vendpushimin presidencial “Camp David” në shtetin e Merilendit, në atë që njihet si “Samiti Camp David”, por aty nuk arritën dot një marrëveshje përfundimtare paqeje.

Në vitin 2002, Lidhja Arabe propozoi një plan, i cili i ofronte Izraelit marrëdhënie normale me të gjitha vendet arabe në këmbim të një tërheqjeje të plotë nga territoret që kishte marrë gjatë luftës së vitit 1967, krijimin e një shteti palestinez dhe një "zgjidhje të drejtë" për refugjatët palestinezë. Por plani nuk u shqyrtua më tej, pasi grupi i Hamasit, hodhi në erë një hotel izraelit, që ishte plot me të mbijetuar të Holokaustit, gjatë ceremonive me rastin e Pashkës.

Pas vitit 2014, përpjekjet e mëtejshme për paqe kanë ngecur në vend.

Palestinezët ndërprenë bisedimet me administratën e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në vitet 2017-2019, pas vendimit të tij për të njohur Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit, që binte ndesh me qëndrimin amerikan për dekada të tëra. Palestinezët kërkojnë që Jeruzalemi Lindor të jetë kryeqyteti i shtetit të tyre të ardhshëm.

 

NË CILËN FAZË JANË TANI PËRPJEKJET PËR VENDOSJEN E PAQES?

Administrata e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden është përqëndruar në arritjen e një marrëveshjeje të madhe në Lindjen e Mesme, që përfshin normalizimin e marrëdhënieve mes Izraelit dhe Arabisë Saudite, vendin ku ndodhen dy kultet më të shenjta të Islamit. Konflikti i fundit i ka vënë në pozita të vështira diplomatike Riadin dhe shtetet e tjera arabe, përfshirë disa vende të Gjirit në kufi me Arabinë Saudite, që kanë nënshkruar marrëveshje paqeje me Izraelin.

 

CILAT JANË ÇËSHTJET KRYESORE MES IZRAELIT DHE PALESTINEZËVE?

Zgjidhja përmes krijimit të dy shteteve, vendbanimet izraelite në tokat e pushtuar, statusi i Jeruzalemit, çështja e kufijtë si dhe fati i refugjatëve palestinezë.

 

Zgjidhja përmes krijimit të dy shteteve: Një marrëveshje që do të mundësonte krijimin e një shteti për palestinezët në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës, përgjatë kufirit me Izraelin. Izraeli ka thënë se shteti palestinez duhet të çmilitarizohet, pra të mos ketë më armatime dhe forca ushtarake, që të mos përbëjë kërcënim për sigurinë e tij.

 

Vendstrehimet: Shumica e shteteve i konsiderojnë të paligjshme vendbanimet hebraike të ndërtuara në tokat e pushtuara nga Izraeli në 1967. Izraeli shprehet kundër duke sjellë si argument lidhjet historike dhe biblike me këto toka. Zgjerimi i vazhdueshëm i vendbanimeve është ndër çështjet më të debatueshme mes Izraelit, palestinezëve dhe komunitetit ndërkombëtar.

 

Jeruzalemi: Palestinezët kërkojnë që Jeruzalemi Lindor, i cili përfshin Qytetin e Lashtë të Jeruzalemit, të rrethuar me mure, ku gjenden vendet e shenjta për myslimanët, hebrenjtë dhe të krishterët, të jetë kryeqyteti i shtetit të tyre. Izraeli ka thënë se Jeruzalemi duhe të mbetet kryeqyteti i tij i pandarë dhe i përjetshëm.

Pretendimet e Izraelit mbi Jeruzalemin Lindor nuk gëzojnë mbështetje ndërkombëtare. Ish presidenti Dondald Trump e njohu Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit, por pa specifikuar shkallën e shtrirjes së juridiksionit të tij në atë qytet të diskutueshëm dhe e zhvendosi ambasadën e Shteteve të Bashkuara nga Tel Avivi në Jeruzalem, në vitin 2018.

 

Refugjatët: Aktualisht, rreth 5.6 milionë refugjatë palestinezë, pjesa më e madhe pasardhës të atyre që u larguan në vitin 1948, jetojnë në Jordani, Liban, Siri dhe në zonat e pushtuara nga Izraeli në Bregun Perëndimor dhe në Gazë.

Gjysma e refugjatëve të regjistruar nuk kanë shtetësi, sipas ministrisë së Jashtme palestineze. Shumica jetojnë në kampe të mbipopulluara.

Palestinezët, prej një kohe të gjatë, kanë kërkuar, që refugjatët të lejohen të kthehen, bashkë me miliona pasardhës të tyre, por Izraeli thotë se rivendosja e refugjatëve palestinezë duhet të ndodhë jashtë kufijve të tij./ VOA

K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Mergimtari: 07/11/2023 09:10

    Ato qe popujt ne lashtesi e deri ne perfundim te luftes se II-te boterore,u bene Hebrenjve ata po ua bejne Palestinezeve e popujve arabe qe nga 1948-ta e deri me sot. Natyrish jo vetem por me ndihmen e nje pjese te bashkesis nderkombetare.Interesat jane mbi humanizmin,fitimi mbi gjithecka.Ate qe Hebrejte nuk bene per Hitlerin (financimin)po e bejne sot me te tjere qe jane te fuqishem.Historia perseritet por,i lumtur eshte ai qe e kupton,si Izraelitet.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Shqipëria dërgon ushtarë në komandën e NATO-s për të ndihmuar Ukrainën

Shqipëria dërgon ushtarë në komandën e NATO-s për të ndihmuar Ukrainën