Policia e Shtetit ka ndërprerë kontratën me firmën e prodhimit të uniformave për punonjësit e policisë.

Përmes një njoftimi për shtyp, Policia sqaron se marrëveshja është zgjidhur në 2 shtator dhe shkak për këtë është bërë cilësia e dobët e mallit.

Policia sqaron gjithashtu se firmës "Marsi&Al" nuk i është bërë asnjë pagesë monetare për uniformat, ndërsa thekson se janë dërguar për ndjekje penale në Prokurori përfaqësuesit zyrtarë të saj.

"Përveç procedimit në Prokurori, ndaj kompanisë kontraktore, janë ndërmarrë hapat e nevojshëm për bllokimin e garancisë financiare te kontratës në favor të Policisë së Shtetit. Theksojmë se për shkak të cilësisë së dobët të mallrave dhe jashtë kushteve të kontratës, kompanisë nuk i është bërë asnjë pagesë nga Policia e Shtetit. 
Ndër materialet që nuk kanë qenë në përputhje me specifikimet e kontratës është objekti “Bluzë pambuku me 2 kopsa për Policinë Rrugore”, e cila është testuar në përdorim, nga ku ka rezultuar me humbje të ngjyrës (pjesa e verdhë) deri në 70% të saj
", thuhet në reagimin e Policisë.  
 
Reagimi i plotë i Policisë së Shtetit:
"Lidhur me lajmin e publikuar sot ne media, për prishjen e kontratës me kompaninë që fitoi tenderin për pajisjen me uniforma të Policisë së Shtetit, sqarojme se:
 
Policia e Shtetit ka ndërprerë kontratën me kompaninë “Marsi&Al”, e cila duhet të prodhonte uniformat e reja të punonjësve të policisë, për shkak të cilësisë së dobët të mallit dhe ka dërguar për ndjekje penale në Prokurori përfaqësuesit e saj zyrtarë.
 
Përveç procedimit në Prokurori, ndaj kompanisë kontraktore, janë ndërmarrë hapat e nevojshëm për bllokimin e garancise financiare te kontrates në favor të Policisë së Shtetit. 
 
Theksojmë se per shkak te cilesise se dobet te mallrave dhe jashte kushteve te kontrates, kompanisë nuk i eshte bere asnje pagese nga Policia e Shtetit.
 
Gjithashtu është përgatitur dokumentacioni për Agjencinë e Prokurimit Publik me qëllim përjashtimin e kësaj kompanie për një periudhë tre vjeçare nga konkurrimi për prokurime publike.
 
Analizat laboratorike kanë treguar se më shumë se 10 objekte të ndryshme që i përkasin uniformës së Policisë së Shtetit, nuk janë në parametrat e kërkuara sipas specifikimeve teknike të tenderit dhe në përputhje me kontratën e firmosur.
 
Ndër materialet që nuk kanë qenë në përputhje me specifikimet e kontratës është objekti “Bluzë pambuku me 2 kopsa për Policinë Rrugore”, e cila është testuar në përdorim, nga ku ka rezultuar me humbje të ngjyrës (pjesa e verdhë) deri në 70% të saj.
 
Policia e Shtetit ka zgjidhur kontratën në 2 shtator duke njoftuar shoqërinë për ndërprerjen e kontratës.
 
Policia e Shtetit ka referuar një material kallëzimi pranë Prokurorisë, në ngarkim të kompanisë “Marsi & Al” sh.p.k., për akuzën “Shpërdorim i kompetencave”".

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com